Kolumnist

Mbi rrëzimin e statujave dhe Supremacinë e të Bardhit - Nga Jeta Dedja 

Nga: Jeta Dedja

1.

Një vit më parë, m’u desh të hulumtoja mbi një koncept që nuk e kisha ndeshur më herët në jetën time, ndoshta për shkak se jetoja në një vend ku të qënurit lëkurë bardhë nuk ishte një cilësi që lipsej të evidentohej në diskutime shoqërore ose akademike.

“Dead White Man”-më tërhoqi vëmendjen gjatë studimeve pasuniversitare këtu në Kanada. “Burrë i bardhë i vdekur” cilësohet një shkrimtar, shkencëtar ose një figurë tjetër e famshme nga e kaluara, rëndësia dhe talentet e të cilit mund të jenë zmadhuar për shkak të përkatësisë në një grupim gjinor dhe etnik historikisht dominant”. Pra bëhet fjalë për dominancën nëpër literatura, por edhe sheshe publike (meqënëse jemi në valën e rrëzimit të monumenteve), të teoricienëve, politikanëve, shkrimtarëve, artistëve, etj, meshkuj, të racës kaukaziane, kryesisht prejardhje europiane dhe që nuk jetojnë.

Kur teoricienët e shkencave sociale para pesë vitesh flisnin për këtë koncept, jehona shkoi deri në Universitetin e Cape Town në Afrikën e Jugut. Atje studenti i revoltuar Chumani Maxwele mbushi një kovë me feçe njerëzore dhe ia hodhi statujës së Cecil Rhodes, kolonizatorit britanik që shërbeu si kryeministër për 6 vite, vendosur në kampusin e universitetit. Prej këtij xhesti nisi lëvizja #RhodesMustFall, e cila përdori instrumente të ndryshëm brenda gjysëm-intervalit paqe-dhunë, derisa u finalizua me heqjen e monumentit, që erdhi pas një vendimi të senatit të universitetit. Studentët, të cilët thuhet se kishin liderë që jetonin në vende si Parisi e Londra, argumentuan se Rhodes nuk meritonte të qëndronte para universitetit pasi u kujtonte banorëve racizmin e tij ndaj tyre.  

Megjithatë, jo të gjithë reagojnë njëlloj ndaj opresionit, edhe pse vuajtjen mund ta kenë të ngjashme. Ja marrim rastin e SHBA, ku 5 vjet pas ngjarjes në Cape Town, aktivistët BLM nxisin rrëzime monumentesh, por në ndryshim nga lëvizja e studentëve të Cape Town të cilët pritën një vendim të senatit të universitetit, në SHBA të rebeluarit morën vetë vendimin, pra dhe autoritetin. Ata nuk dolën me argumente kundër, por thjesht me aksione.

2.  

Kur jeton në një vend të përbërë nga shumë kultura, prepotenca e kulturës dominante shkakton pakënaqësi tek pakicat. Nëse një apo disa komunitete lihen mënjanë, nuk u përfillen nevojat, fyhen, keqtrajtohen nga një mesazh që vjen në forma të ndryshme, si për shembull, përmes teksteve shkollore, media, politikat sociale, ligjet apo monumentet e “Burrit të bardhë të vdekur”, reagimi më i natyrshëm është revoltimi, fillimisht i brendshëm e më vonë, pasi gjen terrenin dhe suportin e mjaftueshëm shprehet së jashtmi.

Po çfarë kërkon njeriu apo grupimi i revoltuar? Shpagim, kaos, drejtësi, vëmendje, para apo pushtet?

A e merr atë përmes rrëzimit të monumenteve? Po, në një farë mënyre e merr dhe rezultati i përftuar i shkakton kënaqësi. Por a mjafton kaq? Varet ose Jo. Nëse njeriu i revoltuar ka një kërkesë të caktuar dhe ai e arrin atë, atëherë revolta pushon. Nëse njeriu i revoltuar ka disa kërkesa, dhe i shton ato dita-ditës, i mbështetur nga forca të tjera, ai do të shfaqet i uritur. Pas çdo kafshate, i shtohet oreksi, sidomos nëse inkurajohet dhe i thuhet “Ha, vazhdo, jepi, të bëftë mirë, po nuk u ngope, të jap prapë”.

Ndjenja e revoltës tek njeriu i shtypur ndër breza ka një veçori, ajo mblidhet, e mblidhet si një lëmsh në stomak, në grykë a në mendje e vetëm rritet derisa shpërthen. Trajtat e shprehjes varen nga subjekti, por edhe nga rrethanat dhe faktorët e tjerë të jashtëm, që jo rrallë herë dominojnë dhe tejkalojnë subjektin. Rrallë, shumë rrallë shfaqen shenjtorët apo mediatorët pa interesa përfitimi nga të revoltuarit. Zakonisht, njeriu i revoltuar është viktimë e një opresori, dhe ai rrezikon të bjerë viktimë e një opresori tjetër, që shpesh herë gjendet mes të njëjtit grupim, madje mes mbështetësve më të flaktë të revoltës së njeriut.

Nëse një protestë ndaj racizmit, seksizmit, moshizmit, sanizmit përshkallëzohet egërsisht dhe përdoret politikisht, ajo nuk është më një protestë e një grupi të opresuar, ajo është instrumentalizuar nga grupet dominante që luftojnë për interesat e tyre në kurriz të grupeve të marxhinalizuara.

3.  

Studiesit e shkencave sociale në Amerikën e Veriut konsiderojnë dhe vendosin në rrethinat e topografisë së dominancës, komunitetin LGBTQ+, emigrantët, indigjenët, të varfrit, jokristianët, personat me probleme të shëndetit mendor, personat që përdorin drogë, personat me probleme shëndeti fizik, femrat, personat e racializuar jo të bardhë, marrësit e shërbimeve, të moshuarit.

Dhe në qendër kuptohet që janë të bardhët, meshkuj, heteroseksualë, me arsim të lartë, kristian ose ateist, shtetas, jo emigrantët, të shëndetshëm, pa probleme shëndeti mendor, fizik apo droge, të moshës nga 18-65 vjeçare, dhënës shërbimi.  

Por kujdes, ky konfigurim ndryshon në varësi të kushteve dhe vendit, pasi gjithë këto grupime mund të lëvizin në lokacionin social dhe diku mund të jenë përfitues dhe diku tjetër të opresuar.

Për shembull. nëse një person i komunitetit LGBTQ+, femër, e racializuar, jokristiane, zgjidhet kryeministre e provincës, ajo lëviz në matriksin e dominancës nga periferia shkon në qendër të pushtetit. Në këtë pikë, ajo nuk konsiderohet më e marxhinalizuar, por pjesë e grupit dominant dhe si rrjedhojë opresuese ndaj ish-anëtarëve të komunitetit të saj. Ajo do të quhet pjesë e “Whiteness supremacy” dhe kjo nuk ka lidhje me ngjyrën e lëkurës, por me privilegjet që rrjedhin prej vendosjes në matriksin e dominancës.  

Në një çështje drejtësie sociale, ka gjithmonë të paktën një supremacist, ku ngjyra është gjëja e fundit e rëndësishme. Supremacisti, që në shkencat sociale është përgjithësuar me termin anglisht “Whiteness” është ai që merr autoritetin, pushtetin, lidershipin, ai që tërheq ose shtyn dikë apo një grup dhe e mban poshtë ose larg qendrës së fushës së dominimit. Ai që ndryshon qëllimin e revoltës, ai që negocion për interesa jashtë atyre të të shtypurve, ai që del e shfaqet si përfaqësues dhe pastaj bën kompromise në kurriz të të vuajturve. Ky është “I Bardhi” jo prej lëkure, por prej mentaliteti kolonizatori. Ky lloj opresori, ka arritur të zërë vend edhe në faqet e historisë, edhe në rrugët e kryeqyteteve edhe në media, sepse ai i përket grupit të të privilegjuarve duke mbajtur të shtypur, larg qendrës dhe përfituar prej këtij fakti, njeriun joelitar, njeriun që nuk i përket grupit dominues.

Ky grup dominues i referohet elitave politike, kulturore, sociale e ekonomike, plus gjithë atyre që në një mënyrë ose tjetër kanë përfituar nga përkatësia në këtë grup dhe janë identifikuar me normat dhe vlerat e këtij grupi.

Rrjedhimisht, kush nuk identifikohet me grupin dominant quhet grup minoritar dhe për pasojë i opresuar në të paktën një aspekt. Mund të jetë prej gjinisë, racës, fesë, statusit civil, sistemit politik, etj.    

4.  

Aktivistët socialë duke përfituar edhe nga aktualiteti amerikan po lobojnë që kurrikulat shkollore të ndryshojnë, madje dhe ato figurat e “burrave të bardhë të vdekur” të rishqyrtohen në mënyrë që racizmi sistemik të adresohet njëherë e mirë.

Tendenca është që të fuqizohen (medemek) të shtypurit duke ua plotësuar kërkesat, të cilat ca herë janë të yshtyra prej një dore të tretë, e të formuluara me një logjikë që tejkalon normat, moralin dhe standardet e gjithëpranuara prej kohësh. Por kohët që po jetojmë mesa duket po imponojnë ndryshime në standarde. Edhe pse masa popullore ka prirjen e mospranimit dhe gjykimit në bazë të parametrave të dikurshëm, supremacistët për interesa të tyre politike lobojnë pro këtyre ndryshimeve të normave e vlerave “të vjetëruara”. Është sërish një formë kontrolli mbi minoritetet, duke u dërguar atyre mesazhin që “siç ua japim të drejtat ashtu edhe ua heqim”.

Por a do të kishim më në fund adresimin përfundimtar të opresionit dhe zhdukjen e supremacisë së të bardhit? Seriozisht pyet? Jo, sepse opresioni nuk është një aksion i momentit, i ditës apo i kohës, opresioni është një sistem i tërë, i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm, që sot po quhet globalizëm, dikur kolonializëm, e nesër kush e di se çfarë. E sa i përket supremacisë së të bardhit, unë do të thoja ta zëvendësonim termin me supremacinë e parasë, e cila zor se bie nga froni, duke qenë e lidhur ngushtësisht me opresionin.  

Qershor, 2020

©JetaDedja/Flasshqip.ca