Kur syri është më i madh se stomaku-Nga Jeta Dedja
Kam shijuar këto kohë qytetin e ri ku jemi vendosur. Njerëz të sjellshëm që fjalën “Bonjour” e kanë në majë të gjuhës sapo u shfaqet dikush para syve. Duken të relaksuar, pa stres, me buzë të gatshme për të formuar buzëqeshje për komshiun, kalimtarin, klientin. Ndihem e lumtur që ndodhemi në këtë klimë sociale, mikpritëse ku fqinjët vijnë të prezantohen familjarisht për t’u njohur.
E kështu me këtë ndjesi isha e zhytur krejtësisht një ditë në zhvillimet e provincës së Quebec-ut përcjellë nga spikerja e lajmeve së cilës rudhat e lëkurës dhe buzët e holla nuk ia kishin sfumuar profesionalizmin. Ekrani i madh i televizorit ia vinte më shumë në dukje tiparet e fytyrës.
Po nuk do flas për të, do flas për gjërat që na rrethojnë, sendet në shërbim të njeriut, të cilat nga dita në ditë zmadhohen apo shtohen pa arsye madhore. Ja për shembull televizori. Kompanitë nxjerrin në treg variante të shumëllojshme, por syri i njeriut të sotëm, që ka parë më shumë, drejtohet tek ekranet e mëdha. Mundësisht t’i zënë faqen e murit. A është për komoditet, për bukuri apo saktësi?
Syri është lakmitar, nuk ka të ngopur, prandaj thonë dhe se është më i madh se stomaku. Ama edhe frigoriferin e duam të madh. Ah sigurisht nuk mjafton një i vogël si ai Obodini i kohërave të vjetra. Se sot, një karrocë pazari së cilës edhe kësaj i janë rritur përmasat, njerëzit e mbushin plot pa kuptuar, por edhe sepse një blerje është e lidhur zinxhir me tjetrën. Janë menduar mirë të gjitha.
Shko provo t’i blesh fëmijës një lodër. Nesër do kuptosh që kjo lojë ka edhe aksesorë që përditësohen dhe që duhen blerë se ndryshe nuk ka kuptim. Ose dikush që do me u duk me sqimë apo klas, blen një xhaketë Gucci, epo një brand nuk shkon të vishet me diçka ordinere, thonë fashionistët, do veshjen e vet, prandaj vrap e gjen tjetri/a pantallonat, këpucët, çantën, ehuuuu, me rradhë. Populli ynë ka një fjalë të urtë për këtë rast që mua më pëlqen ta përdor kur e kap veten në tentativa blerjesh koti “Më bli një kalë e një shalë baba, se kam gjet një patkua”.
Kështu bëri edhe Dideroi i famshëm, filozofi francez i cili për shumë vite rrojti në varfëri dhe ishte i lumtur, por një ditë të bukur kur i erdhi dita e martesës së bijës, i ngrati njeri i dijes, nuk kishte para ta nderonte siç duhej dritën e syve. Këtë e mori vesh perandoresha e Rusisë, Katerina e Madhe, e cila i ofroi Dideroit një shumë të mirë në këmbim të shërbimit të tij si bibliotekar i saj. Natyrisht që Dideroi pranoi, paraja është tunduese. E kështu Didëroit i ndryshoi jeta. Kur i zë dora ca para njeriu fillimisht merret me pamjen e vet. Njëlloj dhe Didëroi, ndërroi rrobat, s’shkonte të mbante ato të vjetrat. Por kur i kënaqur u ul në tryezën e tij të shkruante, vuri re se rrobat e tij stononin me ambientin përreth. Ç’bëri Dideroi. i ndërroi të gjitha, brenda një kohe të shkurtër. E më pas??
Më pas shkroi se ishte më i lumtur i varfër, kur nuk mendonte për sendet.
Sendet janë kurthi i hershëm dhe i sotshëm i njeriut. Babëzia për të patur këtë edhe atë, pa nevojë themelore, por në emër të rehatisë, luksit, mirëqënies, e shtyn njeriun e sotëm të blejë për shembull shtëpi më të madhe edhe pse nuk e pastron dot atë, as e shfrytëzon dot çdo pëllëmbë të saj. Kjo shtëpia më pas do t’i kërkojë të tjera sende të panevojshme, zbukurime, mobilje që rrinë kot pa asnjë funksion, dollape që mbushen me rroba të cilat nuk vishen për disa sezone e sërish qëndrojnë aty si dëshmi e kamjes dhe babëzisë për më shumë, më shumë. Por ka edhe nga ata që falin e japin të vjetrat sapo në shtëpi u hyn diçka e re e ndihen mrekullisht mirë.
Por e vërteta është se plot njerëz gjejnë kënaqësi në të dy llojet e sjelljeve. Nuk ka të paguar kënaqësia e zotërimit të diçkaje që të pëlqen, apo që e bën dikë tjetër të plasë nga inati që nuk e ka - thonë disa, me vete ose me zë të lartë. Se njerëzit blejnë kot edhe për hir të krahasimit.
Filmi “The Joneses” me Demi Moore ilustron bukur nxitjen e krahasimit social, zilisë, grykësisë, ambicies, inatit për t’i futur banorët e një lagjeje në kurthin e blerjeve reaktive. Ani se shumë prej tyre përfundojnë me borxhe dhe rrënim ekonomik dhe për pasojë shkatërrim marrëdhëniesh familjare e ndërpersonale, jeta vazhdon dhe të tjerë viktima do të bien në rrjetën e blerjeve për t’iu mburrur farefisit e shoqërisë, për t’i bërë qejfin partnerit/es e shumë rrallë për t’i shijuar të mirat larg syve të botës, vetëm nëse ua do puna dhe frika nga ligji detyrohen ta bëjnë këtë.
Montreal 2020
©JetaDedja











