Kolumnist

Mësimi i madh nga një qytet i vogël

Nga: Taulant Dedja

Këtë fundjavë Kanadaja u trondit nga një tragjedi rrugore që mori papritmas 15 jetë. Shumica lojtarë të një ekipi Hockey Junior me emrin Broncos nga qyteti Humboldt i provincës së Saskatchewan-it.

Solidariteti njerëzor ishte i jashtëzakonshëm. Mesazhe simpatie e ngushëllimi pa fund e plot emocion iu përcollën familjarëve të viktimave nga anë e mbanë vendi por edhe nga i gjithë planeti.

E ndoqa gati gjithë ditën dje dhe pardje përshkrimin mediatik orë pas ore të ngjarjes që mbuloi me zi një qytet të tërë por jo vetëm. E ndoqa si botues e gazetar, por edhe si njeri me ndjenja e qytetar edhe i këtij vendi.

Kuptova që askush nuk mbeti indiferent se nuk mundej ndryshe. As nga bota e Hockey-t që është sporti kombëtar kanadez por as nga politika. Mbulimi nga mediat kryesore ishte perfekt. Në kohë dhe me detaje. Me shumë kujdes, përmbajtje dhe profesionalizëm. Asnjë grimë spekulim. Respekt maksimal për dinjitetin njerëzor.

Natyrisht mesazhet me shkrim dhe jo me zë e figurë (e nënvizoj) të politikës do zinin hapësirën e tyre në kronikat e gazetarëve, sepse politikanët janë zgjedhur të përfaqësojnë popullin dhe eshtë më se normale të shprehin solidaritetin në raste fatkeqësish. Tek tuk u shfaq edhe ndonjë foto e Kryeministrit Justin Trudeau. Vetëm kaq. Ai madje, në diskrecion të plotë u drejtua edhe për nga spitali universitar në Saskatoon ku ndodheshin 14 të plagosurit e mbijetuar nga aksidenti.

Në fakt, më shumë se çfarë përshkrova më lart, ajo që më vuri në mendime e më detyroi të ulem të shkruaj këto radhë, ishin deklaratat e drejtorit të administratës së Bashkisë dhe presidentit të Klubit Broncos të Humboldt, qytetit të vogël me 6 200 banorë që mban emrin e eksploratorit të shquar gjerman Alexander Von Humboldt.

Teksa dhanë disa detaje për ceremoninë përkujtimore që u mbajt mbrëmë në Kompleksin Sportiv, apo thënë ndryshe “shtëpinë” e ekipit Broncos të Hockey-t, ata kumtuan që sipas programit, nuk do kishte asnjë fjalim nga politikanët, sepse e gjithë ceremonia do të duhej të koncentrohej tek familjet e prekura nga tragjedia dhe i dedikohej vetëm atyre.

Ky është një mësim i madh sipas meje, mësim që vjen nga një qytet i vogël, por që flet shumë. Flet për kulturën e një vendi ku askush nuk tenton të përfitojë politikisht apo mediatikisht nga fatkeqësitë. Dhe besoj se është një rregull i pashkruar që dje e respektuan të gjithë pa përjashtim. Që nga mediat e deri te Kryeministri, i cili asistoi në ceremoni i shoqëruar nga njeri prej djemve të tij.

Nuk mund të mos kujtoj në keto çaste realitetin krejt të ndryshëm në atdheun tim. Për fat të keq, aty kjo kulturë ende nuk ekziston ose ekziston fare pak. Pa lënë mënjanë spekulimet mediatike që rëndom kanë ndodhur me kësi ngjarjesh, më i padurueshëm është spekulimi i atyre politikanëve që nuk lënë rast pa dalë e pa u shprehur para kamerave a mikrofonave, pikërisht atëherë kur në raste fatkeqësish heshtja është më shumë se “flori” …