Nobel 2020, hipokrizi suedeze me paqen e munguar dhe varfërinë - Nga Taulant Dedja
Sot u bë i njohur për opinion publik laureati i Çmimit Nobel për paqen i vitit 2020. Sipas agjencive të lajmeve, ky çmim i është akorduar “Programit për Ushqimin të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (World Food Program) që qysh prej vitit 1961 lufton për reduktimin e varfërisë në botë”.
Ti japësh çmimin Nobel për Paqe një programi të OKB (në këtë reflektim të shpejtë nuk dua t'i hyj temës se sa ndikohen nga korrupsioni programet e OKB, veçanërisht kur zbatohen në vendet e prapambetura dhe me demokraci thuajse inekzistente) është njëlloj sikur çmimin për Letërsi t'ia japësh një shtëpie botuese, apo atë për Mjekësi një multinacionaleje farmaceutike pse ka prodhuar vaksinën X. Të paktën kjo është përshtypja ime.
Me sa duket, komiteti i Nobel, që si çdo i tillë bën dhe qoka, ka qenë në hall këtë vit dhe nuk ia akordoi asnjë individi çmimin që të duket “politically correct”, nisur nga konteksti aktual shumë konfuz i raporteve në politikën ndërkombëtare dhe balancat e pasigurta mes poleve SHBA-BE-Rusi-Kinë.

Pyetja që shtrohet sot është a duhet të mbetet ky çmim një referencë për vlerat e vërteta apo është thjesht një ritual tradite që i ka kaluar koha dhe nuk i duhet dhënë fare rëndësi?
Personalisht mendoj që i ka kaluar koha, të paktën në formën që vazhdon ti serviret publikut.
Nuk besoj se përmbysej bota nëse komiteti i Nobel, fjala bie, do deklaronte që ketë vit nuk ka çmim Nobel për Paqe sepse nuk ka patur progres domethënës për vendosjen e paqes në botë dhe aq më pak në reduktimin e varfërisë në botë, probleme të cilat OKB sistematikisht ka dështuar ti zgjidhë prej dekadash!
Për ironi, ne shqiptarët kemi dhe një kujtim sa të hidhur, aq edhe qesharak nga një prej agjencive në varësi të OKB. Në vitin tashmë paksa të largët 1987, teksa diktaturës enveriste po i afrohej fundi dhe populli ushqehej me tollon prej një dekade, FAO (Food and Agriculture Organization), organizata e OKB për Ushqimin dhe Bujqësinë i akordoi çmim vendit ku 80% e popullsisë që jetonte në fshat ushqehej me bukë misri dhe e kishte të ndaluar të blinte bukë gruri (nga gruri që prodhonte vetë) në dyqanet e qyteteve.
©Taulant Dedja












