Kolumnist

Zgjidhja nuk vjen nga ata që janë pjesë e problemit - Nga Afrim Krasniqi

Të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen brenda vendit, ndjejmë kënaqësi dhe bëjmë lajm kryesor çdo lajm që vjen nga ndonjë vend i botës ku qytetarët dalin në protesta dhe ia dalin të rrëzojnë qeverinë, presidentin apo të bëjnë revolucione. I fundit është rasti i Kirgistanit. Media në Tiranë e paraqet si ngjarje të madhe demokratike, protestat për manipulimin e zgjedhjeve çuan në dorëheqjen e qeverisë, presidentit, përsëritjen e zgjedhjeve dhe hyrjen me forcë të qytetarëve në institucione. Ndonjë politikan i yni, përfshirë Presidentin, u entuziazmuan shumë nga fitorja e revolucionit qytetar në vendin e largët aziatik, duke kërkuar të përcjellin mesazhin e njëjtë për Shqipërinë.

Megjithatë, në këto sjellje emocionale dhe shpesh edhe amatoreske “harrohen” ca detaje që kanë domethënie të madhe: dakord që zgjedhjet u anuluan, presidenti e qeveria ra, - ky është lajm i mirë dhe mësim për çdo regjim të korruptuar dhe autoritar, si oligarkët që patën pushtetin deri më 6-14 tetor 2020 në Bishkek (Kirgistan). Por nuk ka vend për shampanjë: shikoni çfarë ndodhi më pas, - një ish-president i dënuar me burg për korrupsion u lirua dhe ish-bashkëpunëtorët e tij të besuar, shumica ish të dënuar ose akuzuar për korrupsion, përfshirë ish-kryeministra dhe ish-ministra, u bënë drejtuesit kryesorë të protestave dhe përfituesit kryesorë prej tyre.

Një parti klienteliste e një prej familjeve më të mëdha oligarke në vend, që nisi karrierën duke drejtuar doganat, ishte partia më e suksesshme në zgjedhjet e fundit. Disa biznesmenë të rinj, oligarkët e rinj u bënë gjithashtu mbështetës të protestës dhe përfitues të saj. Në fund ka një kryeministër të ri që nuk i përket gardës së vjetër politike, asaj ideologjike sovjetike dhe asaj korruptive të tranzicionit, dhe ka një perceptim të madh publik se “ata” ia dolën të përdorin revolucionin qytetar për të marrë kontrollin e pushtetit.

Qytetarët që bënë revolucionin ishin në rrugë, ishin të varfër, ishin të zhgënjyer dhe tani mbeten përsëri në rrugë, të varfër dhe të zhgënjyer. Sepse shoqëri para-demokratike si shumica e modeleve orientale të Pranverës Arabe, si modelet e revolucioneve aziatike, si modelet e "zgjedhjes së të keqes më të vogël", nuk mund të prodhojnë më shumë demokraci sesa rotacion oligarkësh dhe elitash të konsumuara politike.

Shqipëria nuk përbën përjashtim, ndofta as më 1992, por me siguri as më 1997, as më 2005, as më 2013 dhe me siguri as më 2021 dhe ndofta as më 2025. Pati zhvendosje, riciklim, por jo reformim dhe ndryshim. Për të prodhuar demokraci funksionale duhet shumë me tepër sesa turma mbështetëse në rrugë dhe militantë që ndjekin në mënyrë të verbër liderin, - duhet kulturë dhe moral, integritet dhe transparencë, ide dhe vizion, elita dhe sens përgjegjësie qytetare, - cilësi, shumica e të cilave mbeten ende të huaja edhe për një vend e shoqëria si Shqipëria, ku vijojmë tu japim në çdo sektor/fushë pushtet periodikisht pakicës më të korruptuar, më arrogante, më oligarke, më pak profesionale dhe më pak evropiane të saj.

Ne nuk na duhet një politikë e traditë e tillë, këto nuk janë modele frymëzuese, zgjidhja nuk vjen reale nga ata që janë pjesë e problemit. Vendi ka nevojë për ringritje morale, kulturore, qytetare, ka nevojë për një sistem merite që bazohet tek institucionet e forta dhe jo tek liderët e fortë, ka nevojë për qytetarë të pavarur, për politikanë që ndryshojnë sistemin për të ndryshuar sjelljen korruptive të zyrtarëve dhe nuk ndryshojnë zyrtarët duke ruajtur e forcuar sistemin korruptiv.

©Afrim Krasniqi