Kolumnist

Edi Rama nuk e mbron dot Kosovën me cicërima banale në Twitter - Nga Enver Robelli

Çfarë po bën Edi Rama qe disa ditë me shënime në Twitter kundër Lulzim Bashës është lojë për hesape elektorale të kasabasë së Tiranës. 10 vjet pas publikimit të Raportit të Këshillit të Europës, Edi Rama po e bën “zbulimin e madh”: Basha paskësh përkthyer për hetuesit ndërkombëtarë, andaj qenkësh tradhëtar. Në fushatën e tij stigmatizuese Rama po e portreton Lulzim Bashën si ndërtues të së ashtuquajturës "Shtëpia e verdhë". Duke kryer një punë teknike të përkthyesit për OKB-në, Basha paskësh bërë akt të lartë tradhëtie, pretendon Rama. Thua se OKB nuk do të gjente një përkthyes tjetër për të kryer punën.

Është e diskutueshme nëse Basha ka qenë përkthyes gjatë misionit në Shqipëri për të cilin po flet Rama, i cili në vend të fakteve parashtron pyetje sugjestive, e këto janë një mjet i manipulimit gjuhësor. Një hetues latinoamerikan, për shembull, ka thënë se nuk i kujtohet të ketë qenë Basha me të gjatë misionit në Shqipëri. Natyrisht, është e mundur që latinoamerikani të gënjejë. Por që t'ia zbulojmë gënjeshtrën latinoamerikanit, Rama si ngritës akuzash duhet të prezantojë fakte kundër Bashës. Barra e provës bie mbi Ramën si ngritës akuzash. Por edhe nëse Basha ka qenë përkthyes në çështjen për të cilën po flet Rama, atëherë në pushtet ka qenë Partia Socialiste dhe lejen për të ardhur hetuesit e OKB-së në Shqipëri e kanë dhënë socialistët. Në këtë histori politikanët e Tiranës nuk mund të krenohen fare për sjelljet e tyre. Dhe këtu nuk ka dallim mes socialistëve dhe demokratëve.

Që nga fundi i viteve 90-të shumë shtetas të Shqipërisë punojnë për OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë. Po ashtu një pjesë e përkthyesve të gjuhës shqipe në gjykatat ndërkombëtare janë shtetas të Shqipërisë. A po i kërcënon Edi Rama edhe këta njerëz në përpjekje për t’u dukur patriot elektoral? Gjuha e Edi Ramës është, fatkeqësisht, gjuhë kërcënuese edhe ndaj dëshmitarëve: kush bashkëpunon me drejtësinë apo punon për drejtësinë, ai etiketohet si tradhëtar. Ky është, në thelb, mesazhi. Me këtë qasje bizare kryeministri i Shqipërisë po e keqpërdorë Kosovën për beteja politiko-elektorale në Tiranë. Më 1996/97 këtë e bënte Sali Berisha (gjatë krizës së piramidave), tash gjurmëve të tij është nisur Edi Rama.

Në vend të racionalizmit po dominon agresiviteti, manipulimi dhe devijimi i krejt historisë së Raportit të Këshillit të Europës me metodën: hajde t’i gjejmë tradhëtarët në mesin tonë. E vërteta është: kjo nuk është histori me tradhtarë shqiptarë. Mjafton të lexohen raportet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për shembull të OSBE-së, ku Edi Rama aktualisht është edhe kryesues (pothuaj i padukshëm), për të kuptuar pak se çfarë ka ndodhur në Kosovë në fazën e konfliktit dhe postkonfliktit. Edhe vetë Hashim Thaçi si kryetar i Kosovës ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se nuk e përjashton mundësitë që ndonjë luftëtar të ketë keqpërorur pozitën e tij.

Pse votuan “deputetët e Berishës dhe Metës” për Raportin e Këshillit të Europës në Strassburg - kështu pyet Edi Rama. Pyetje me vend. Por pyetje që Rama e shtron me 10 vjet vonesë. Pasi që Shqipëria përmendet në Raportin e Këshillit të Europës, votimi kundër këtij Raporti nga ana e përfaqësuesve të Tiranës në Strasbourg do të hapte dyshime se Shqipëria ka diçka për të fshehur. Fundja, e dokumentuar është se UÇK ka pasur qendra ndalimi në Shqipëri. Ka pasur procese gjyqësore në Prishtinë për këtë dhe janë dënuar njerëzit. Edi Ramës nuk i intereson e vërteta, i intereson vetëm "profilizimi" elektoral dhe kjo është për keqardhje, sepse një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s do të duhej të tregonte më shumë staturë politikani dhe jo të merrej me postime të kota në Twitter dhe kësisoj të nxiste edhe reagimin e Lotte Leicht, drejtore për Europë e Human Rights Watch, e cila e akuzoi për abuzim me drejtësinë.

Më 2010, kur doli Raporti i Këshillit të Europës, as Partia Socialiste, as Partia Demokratike në Shqipëri, as partitë në Kosovë nuk e kanë nuhatur rrezikun që vinte nga ky raport. Dhe të gjitha këto parti duhet të jetojnë me akuzën e diletantizmit politik që kanë treguar ndaj kësaj çështjeje. Rrezikun nuk e ka hetuar atëbotë as Hashim Thaçi përkundër paralajmërimeve. Ishte në kulmin e pushtetit të tij dhe me gjasë besonte se reja e zezë e raportit do të hiqej me shpejtësi marramendëse. Më 2010 Edi Rama ka qenë kryetar i Partisë Socialiste, pra shef i partisë kryesore opozitare. Nuk është shquar atëbotë për ndonjë gjallëri patriotike në mediat sociale. Në Nëntor të vitit 2020 është lehtë të mllefosesh me ca cicërima në Twitter. Kosova nuk mbrohet në Twitter nga Gjykata Speciale. Por mund të keqpërdoret në Twitter. Dhe këtë po e bën Rama.

Kosova gjendet në një situatë të rëndë politike, me një pjesë të udhëheqjes së deridjeshme para gjyqit. Përçarja e kësaj udhëheqjeje po shihet edhe në mënyrën se si mbrohen të akuzuarit në Hagë. Disa me ekipe të kalibrit botëror, disa pa avokat fare, por vetëm të shoqëruar nga disa kushërinj. Përballë situatës delikate në Kosovë, Shqipëria dhe udhëheqësit e saj politikë mund të ndihmojnë nëse kanë ndonjë ide si të ndihmojnë, ndërsa tiradat nëpër media sociale dhe akuzat e ndërsjella vetëm polarizojnë opinionin dhe nuk kanë për cak të vërtetën, por mjegullën patriotike.

Pasi që i pëlqejnë pyetjet sugjestive, mund t’i shtrohen disa të tilla Edi Ramës dhe Partisë së tij Socialiste, fundja Rama është pjesë e politikës shqiptare që mbi 20 vjet, që mbi 10 vjet në pozita udhëheqëse partiake dhe që 7 vjet në postin e kryeministrit. A ka thënë gjë Edi Rama për Kosovën kur doli libri i Carla Del Pontes, e cila me papërgjegjësinë e saj shpërthyese i hodhi në opinion supozimet e papublikuara të gazetarit amerikan Michael Montgomery mbi “tregtinë me organe nga pjestarë të UÇK-së”?

Montgomery, një gazetar me integritet, autor i një kronike tronditëse mbi masakrën e forcave serbe ndaj shqiptarëve në fshatin Qyshk të Pejës, nuk gjeti dëshmi për akuzën makabre të “tregtisë me organe” dhe ato që kishte dëgjuar ia dorëzoi misionit të OKB-së në Kosovë në formë të një shënimi (memo). Montgomery tha se “burimet e mia ishin njerëz të thjeshtë të UÇK-së”, këta njerëz “thanë se kishin dëgjuar” për çështjen e organeve. Kjo nuk mjaftonte për një storje publicistike. Por i mjaftoi Carla Del Pontes e Dick Marty-t për ta plasuar me tituj bombastikë një rrëfim që duket si i këputur nga perandoria e fantazisë.

Cila ka qenë përgjigjja e palës shqiptare ndaj kësaj akuze monstruoze? Hashim Thaçi paralajmëroi padi ndaj Dick Marty-t, gjë që s'ndodhi kurrë, e as ndaj Del Ponte-s, pastaj tha: "Jam i hapur për hetime ndërkombëtare". Ndërsa Sali Berisha tha se Shqipëria po ashtu është e gatshme të bashkëpunojë, meqë përmendej në Raport, por në Kuvendin e Shqipërisë Berisha atëbotë mbajti një fjalim me shumë nervozitet, me ç'rast tha se kur të parët e shqiptarëve kishin kulturë, të parët e Dick Marty-t ecnin nëpër degë lisash. Kjo është gjithçka, por jo strategji për të sfiduar një raport tejet kompleks dhe të rrezikshëm. Pasojat po shihen sidomos në vitin 2020.

© KOHA