Dialogu me Serbinë fillon me njohjen reciproke - Nga Agim Gjakova
Më bëri përshtypje se disa “analistë” dhe pseudo-politikanë deputetë, dialogut me Serbinë i kanë dhënë rëndësi sikur të ishte jeta e Kosovës. Çfarë kuptimi kanë shprehjet e tyre që për vitin që shkoi Kosova “...ka humbur rastin historik...”, “…se ka dështuar...” etj. të këtyre komentaxhinjve?
U duket se po bëjnë politikë me fryrje, me cilësime e pohime gjithfarëshe. Të gjitha këto deklarata, të ashtuquajtura “analitike-politike”, s’kanë të bëjnë fare me integritetin e Kosovës që është (duhet të jetë) në duart e shqiptarëve, as me përmbajtjen e zhvillimit.
Ngulmimi për bisedime, duke u nisur që nga ish-presidenti Trump e, qe sa kohë nga BE-ja, tregon për cenim të integritetit të Kosovës dhe shpreh dëshirën që zhvillimi i saj të bëhet në kahe siç dëshirojnë ata dhe jo siç është kryesisht interesi i Kosovës. A mos qenka Serbia bota?! Qenka shpëtim, derë, shteg i zhvillimit të Kosovës?!
Ish-presidenti Trump, me emisar (komisar) Grenellin, i thirri “përdhunisht” përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të nënshkruanin pikat që deshi ai që, pa njohjen e Kosovës, janë farsë. Përse nuk insistoi (nuk po them urdhëroi) që pesë vendet e BE-së ta njihnin Kosovën?
Është thënë se Serbia nuk do bisedime. Ajo nuk është e gatshme ta njohë Kosovën. Ajo edhe njëqind vjet nuk do të heqë dorë (ndoshta kurrë!) nga politika e saj e dhunës, e zgjerimit territorial, e “Serbisë së madhe”.
Pyetja që bëhet është: Cili është interesi i Kosovës për këto farë bisedimesh? Çka fiton Kosova? Ulet tensioni politik? Ulet rreziku i saj shekullor nga Serbia?
Shqiptarët që besojnë në këto janë miopë, ose të dobët nga presioni, për të mos i zënën gojë të shiturit. Në tavolinën e bisedimeve, së pari duhet të jetë pika e njohjes reciproke. Për të tjerat arrihen marrëveshje si shteti me shtet në interes të dy palëve (Serbia fiton më shumë si deri më tash), pasi jemi fqinjë dhe ekzistojnë mundësitë e përbashkëta. Për çdo kahe tjetër vetëm se është në dëm të Kosovës!
©Agim Gjakova












