Kolumnist

Palestina si vijë ndarëse mes Prishtinës dhe Tiranës - Nga Enver Robelli

Në fund të Dhjetorit 2017 Asamblea e Përgjithshme e OKB-së votoi një Rezolutë që kritikonte vendimin e qeverisë së Donald Trumpit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta theksonte se statusi i qytetit duhet të zgjidhet me negociata dhe në përputhje me Rezolutat përkatëse të OKB-së. Për Rezolutën mbi Jeruzalemin votuan 128 shtete anëtare të OKB-së - prej 193 vendeve anëtare. Ndër shtetet që votuan për Rezolutën dhe kundër vendimit të SHBA ishte edhe Shqipëria. 35 vende abstenuan, mes tyre Hungaria, Kroacia, Rumania, Republika Çeke dhe Letonia, të gjitha këto vende anëtare të BE. Edhe Bosnjë-Hercegovina abstenoi.

Kur ndodhi ky votim i Shqipërisë, nga Prishtina reagoi presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi, duke e kritikuar Tiranën për votën që ishte në kundërshtim me qëndrimin e SHBA. Thaçi nuk e përmendi me emër kryeministrin Edi Rama, por kjo vetëkuptohej. Kundër Rezolutës së vitit 2017 patën votuar SHBA-të, Izraeli dhe disa shtete ishuj (gjithsej 9 shtete). Si rrallëherë në historinë e OKB, SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë si Gjermania, Franca, Britania e Madhe kishin qëndrime të kundërta sa i përket të ardhmes së Jeruzalemit.

Duke pranuar të vendosë ambasadën në Jeruzalem (në shkëmbim të njohjes së pavarësisë nga Izraeli), Kosova ka dalë kundër qëndrimit të Shqipërisë sa i përket statusit të Jeruzalemit. Dy shtete shqiptare që prej vitesh theksojnë se duhet pasur qëndrime të përbashkëta në politikën e Jashtme, në këtë çështje janë të ndara.

Vota e Shqipërisë për Rezolutën që e hidhte poshtë vendimin e SHBA për ta pranuar Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, ishte mirëpritur nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Me votën e tij kryeministri Edi Rama tregoi lojalitet edhe ndaj Erdoganit.

Më 2012 kishte ndodhur e kundërta. Atëbotë kryeministër i Shqipërisë ishte Sali Berisha. Më 29 Nëntor 2012 Palestina mori statusin e vëzhguesit në OKB (non member observer state status). 138 prej 193 vendeve anëtare të OKB-së votuan për Rezolutën përkatëse. Shqipëria abstenoi. Ishte në mesin e 41 vendeve që abstenuan, mes tyre edhe Gjermania. Zemërimi i Erdoganit për abstenimin e Shqipërisë ishte i madh. Këtu fillon edhe ftohja e raporteve të tij me Berishën dhe afrimi masiv me Edi Ramën, të cilin e përkrahu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. «Më ka mashtruar Berisha për Palestinën» - kështu citohet t'i ketë thënë Erdogani Ramës në një bisedë (sipas një funksionari të lartë të Partisë Socialiste të Shqipërisë).

Më 3 Dhjetor 2012 Sali Berisha kështu e sqaroi abstenimin e Shqipërisë në OKB lidhur me Palestinën: ata që votuan Rezolutën duhet të vinin një nen që e njohin shtetin e Izraelit, pasi ky do të ishte kontribut për paqen dhe do t’i shërbente zgjidhjes përfundimtare, shtoi Berisha. «Turqia është një aleat i shkëlqyer dhe Erdogan është ndër (aleatët) më të mëdhenj të kombit tonë, por duhet të theksoj se qëndrimin tonë ndaj rezolutës së paraqitur nga një grup i gjerë vendesh si kryeministër i këtij vendi e kam shprehur publikisht në Shtator të vitit 2011 në sesionin e OKB-së. Shqipëria mbështet zgjidhjen e dy shteteve të pavarura, jemi nga të paktat vende që kanë njohur shtetin palestinez, por në vitin 2011 kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute», deklaroi atëbotë Berisha.

Izraeli e ka pushtuar pjesën lindore (arabe) të Jeruzalemit më 1967, gjatë luftës gjashtëditore dhe e pretendon gjithë Jeruzalemin si kryeqytet. Një pjesë e konsiderueshme e bashkësisë ndërkombëtare e hedh poshtë këtë pretendim. Palestinezët synojnë ta shpallin Jeruzalemin Lindor kryeqytet të shtetit të tyre të pavarur, i cili s'duket askund në horizont. Shumica e shteteve islamike e përkrahin kërkesën e palestinezëve.

Vitin e kaluar një sërë shtetesh arabe - nën ndërmjetësimin e qeverisë së Trumpit - normalizuan marrëdhëniet me Izraelin, mes tyre Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Maroku. Por asnjë nga këto shtete nuk e pranoi Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Kosova dhe Serbia, ndërkaq, në zotimet e nënshkruara në Washington në Shtator të vitit të kaluar paralajmëruan se do të hapin, respektivisht zhvendosin ambasadën në Jeruzalem.

Në rastin e Kosovës vendimi duket i pakthyeshëm. Se çfarë pasoja mund të ketë ky vendim në shtetet islamike apo arabe që nuk e kanë pranuar ende Kosovën, mbetet të shihet. Në rastin e Serbisë mund të ndodhin befasi: presidenti Aleksandar Vuçiç ka theksuar se Serbia së pari do të hapë një përfaqësi ekonomike në Jeruzalem, sigurisht për të zbutur pak zemërimin e shteteve arabe dhe të Rexhep Taip Erdoganit. Por në zotimet e Washingtonit theksohet qartë se Serbia do ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Suzana Vasilijeviç, këshilltare e Vuçiçit, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington pati thënë se vendimi për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jeruzalem nuk është definitiv. Pas njohjes definitive nga Izraeli të Kosovës, Serbia ka gjasa të mos e respektojë zotimin që ka marrë përsipër në Washington për zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem. Për të qetësuar Izraelin nëse nuk e zhvendos ambasadën në Jeruzalem, Vuçiç ka paralajmëruar se Serbia do të blejë armë nga Izraeli.

Para se të bëhej president i SHBA Joe Biden ka deklaruar se nuk do ta anulojë vendimin e Trumpit për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Vendimin e Trumpit Biden e pati quajtur «gabim», por «meqë kjo ka ndodhur, unë nuk do e ktheja ambasadën në Tel Aviv».

Pas vendosjes së marrëdhënieve dipomatike mes Izraelit dhe Kosovës ka reaguar Turqia, duke e kritikuar këtë si hap «në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar». Pas zotimeve të nënshkruara në Washington shtatorin e kaluar, presidenti i atëhershëm Thaçi (ngjashëm si homologu i tij serb) nxitoi në Turqi për të takuar dhe qetësuar Erdoganin. Në një takim të zhvilluar më 20 Shtator në Stamboll me Erdoganin Thaçi paralajmëroi fuqizimin e «partneritetit strategjik» me Turqinë.

Hapjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem e ka kundërshtuar BE duke përkujtuar se Kosova dhe Serbia synojnë anëtarësimin në BE dhe duhet të sillen konform politikave të BE-së. Kjo deklaratë e një zëdhënësi të BE-së do të kishte peshë nëse ideja e zgjerimit të BE-së në Ballkan do të ishte realiste. Tani për tani kjo ide konsiderohet e vdekur. BE po ashtu prej vitesh nuk ka arritur ta bindë Serbinë për të vendosur sanksione kundër Rusisë ashtu siç ka bërë BE pas aneksimit të Krimesë nga Moska. Megjithatë, BE ka vazhduar negociatat për anëtarësimin e Serbisë, ndonëse me ritëm të ngadalësuar.

Politika e standardeve të dyfishta e BE rrezikon të përfundojë në një qorrsokak me kakofoni. Çështja e Jeruzalemit ka dëshmuar edhe njëherë që kur shtete të vogla dhe të pafuqishme si Serbia dhe Kosova hyjnë ose rrëshqasin mes interesave të fuqive të mëdha, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse të përpiqen të shpëtojnë me sa më pak pasoja. Sa i përket periudhës afatshkurtër Kosova, megjithatë, nuk pritet të ketë ndonjë pasojë për shkak të hapjes së ambasadës në Jeruzalem. Procesi i lobimit për njohje të pavarësisë së Kosovës është i bllokuar deri në vjeshtë, kështu është zotuar qeveria aktuale.

©KOHA