Kolumnist

Ministri mbi borëpastruese - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Më ra zilja në pikë të mëngjesit. Lexoj në celular me sytë gjysëm të hapur emrin e koleges sime Catherine. “Hej Jeta, më fal për zilen, por doja të të thoja fli dhe pak se nuk kemi shkollë, janë mbyllur për shkak të reshjeve të dëborës”.

Kaq e pati gjumi. Ngrihem të shoh nga dritarja situatën. Isha e paduruar të shihja ministrin kanadez mbi borëpastruese. Hapa televizorin se kush e di e kisha humbur rastin. Programi i mëngjesit po rridhte qetësisht e normalisht. Poshtë lexoja titrat me emrat e shkollave të mbyllura. Ku ishte ministri, po kryetarja e bashkisë pse nuk po dilte? Ata duhet të na tregojnë se po bëjnë punën për të cilën paguhen, se janë në krye të detyrës duke zhbllokuar rrugët këto çaste me levat e borëpastrueses në dorë, që unë të kem besim se jeta do vazhdojë.

Eh këta politikanët kanadezë nuk e kanë idenë fare se ç’është propaganda alla rilindase.

Oh prit, një kronikë me kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau. Po pres se mos ai po tall ndonjë qytetar. Jo dreqi, edhe pse nuk është në ditët e tij më të mira të qeverisjes e ruan etikën me këdo. Po imagjinoja nëse kryeministri kanadez do t’i kishte thënë një banoreje që “demin do e sjellim për lopën dhe jo për ty” siç bëri ai që kryeson të ashtuquajturën qeveri në Shqipëri. Çfarë mund të kishte ndodhur?  Jo vetëm që do të kishte firmosur pensionin e tij politik, por do të kishte ecejakuar nga sallat e gjykatave për ca kohë dhe do të ishte lakuar mirë e mirë nëpër fletushkat e organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut.  

Hmmm do thoni ju nuk krahasohen këta të dy. E pse jo, kanë të njëjtin pozicion, pse mos të pësojnë të njëjtat reaksione?

Nejse, kthej sytë nga dritarja të ngopem me bardhësinë e dëborës që ka shtruar butë-butë pa na shqetësuar gjithë natën. Si një pushtues që vjen tinëz e të merr lirinë, por ky pushtim zgjat shumë pak. Borëpastrueset parakalojnë triumfatore duke çliruar lagjet njëra pas tjetrës.

Rrugët u bënë të kalueshme. E megjithatë hera e parë për këtë vit shkollor që mbyllen shkollat prej dëborës. Po pse mbyllen shkollat kur borëpastrueset punojnë pa ndërprerje në pastrimin e rrugëve? Jeta sërish vazhdon. Punonjësit e sektorëve të tjerë nuk e ndërpresin punën. Ndërsa shkollat, çerdhet, kopshtet mbyllen.

Siguria e fëmijëve! Kjo është arsyeja. Shteti parandalon dëmet prej aksidenteve. Jeta e fëmijëve është përparësi. Duke mbyllur shkollat pakësohet qarkullimi në mëngjes i automjeteve gjë që redukton shanset e përplasjeve mes tyre.

Kanadaja është vend ku dëbora nuk është fenomen i rrallë që të ngazëllen për të bërë foto çdo ditë. Ajo është pjesë normale e dimrit dhe njerëzit janë të mësuar me të. Disa qytete janë pak a shumë si Veriu i Shqipërisë. Por ndryshimi qëndron tek aksionet që marrin organet administruese vendore e qëndrore.

Mos thoni që nuk ka vend për krahasim. Përsa kohë që ligjet i marrin e kopjojnë nga jashtë dhe aspiratat vazhdojnë të jenë kah perëndimi, atëherë kemi plotësisht të drejtë ta vëmë në kandar çdo masë a strategji veprimi.  

Alarmohen zyrtarët shqiptarë dhe u del situata nga kontrolli sepse nuk marrin masa për një ditë që është lehtësisht e parashikueshme. Dhe çfarë? Pak investim në një ndërmarrje pastrimi, makina për pastrim dëbore, ca thasë me kripë, menaxhim e vullnet të mirë. Kaq!

Dhe mos argumentojnë kot se i kapi në befasi natyra. Jo, nuk e besoj. Unë prej Kanadasë, përmes aplikacionit të parashikimit të motit marr informacion se si do jetë moti edhe në Shqipëri. A nuk e kanë këtë mundësi kaq minimale edhe personat përgjegjës në vend?

Por vjedhin aq shumë dritëshkurtrit saqë nuk dinë si të justifikohen.

Shkurtojnë fondet e investimeve në shërbime publike jetësore në veri e juglindje. Ia lënë fatit në dorë dhe besimit se qytetarët nuk do ta prishin gjumin për çfarë ndodh jashtë pragut të derës së tyre.

Prandaj këta zyrtarë nuk ngopen duke zhvatur nga projektet e ndarë tepsinë duke lënë thërrimet për punët publike, dhe si plan B rezervojnë teatrin me marioneta politike dhe militantë-aktorë kur bëhet hataja.

Objektivat e punës së këtyre në ditë krizash, tërmetesh, dëbore, përmbytjesh, nuk janë as fëmijët, as siguria e popullatës as zgjidhja e situatës. Për këta kryesorja është propaganda.

Sa bukur e sa lavdishëm do dalin në kamera? A janë kilogramët më pak të dallueshëm apo duhet të shfaqen në një plan tjetër të madh? Hajde o burra-o gra se po vijnë zgjedhjet, le t’u tregojmë fukarenjve se po punojmë për ta. Le t’u japim ca oferta me leverdi. Merr dy paguaj një mirë është, apo ta shtojmë edhe një aksesor me përparëse të bardhë a ndonjë nënoke të sëmurë?

E shumta të revoltuarit do shkruajnë e shfryjnë në rrjete sociale, me shpresë se fjala frymëzon, godet, shpartallon.

Por në fakt, këta soj njerëzish që kanë paratë e popullit dhe fatet e vendit në dorë do duhej të meritonin më shumë se sa reciprociteti i talljes me shkrime e meme.

Këtyre zyrtarëve u duhet treguar vendi duke i paditur ligjërisht për paaftësi dhe shpërdorim detyre, ndërsa zëri qytetar lipset të ngrihet lart, shumë lart duke kërkuar standard të ri dhe refuzuar mallra të konsumuar e skaduar që shiten me ofertë. 

 

©Jeta Dedja

16 Shkurt 2021