Dinjiteti nuk dhurohet - Nga Përparim Kabo

Dashuria nuk është profesion që mësohet, është humanitet i edukuar qysh në familje. A dimë të duam ne?
Unë mendoj se në shumicën e antropologjisë sonë ka mbetur kjo ndenjë dhe motiv i bukur i jetës dhe shfaqet si sjellje, si qëndrim, si raporte dhe si marrëdhënie...
Egoizmi ndarës i interesave materiale, një sëmundje e shoqerisë së tregut dhe konsumizmit godet dashurinë njerëzore sipas parimit egocentrist. Unë jam çfarë unë kam - argumenton Erich Fromm në studimin e tij me të njejtin titull.
A e ushqejmë ne gëzimin e përditshëm... qoftë edhe me gjëra të vogla si mëtonte Goethe? Jo jo... fatkeqësisht jo!
Një pjesë e madhe e shoqërisë është e sëmurë nga ndjenja e posedimit dhe individi i tillë e lëshon identitetin te turma partiake dhe dinjitetin te poseduesi.
Kjo sjellje nuk e lejon njeriun të takoje gëzimin dhe gjithnjë diçka i mungon... Gëzimi i përditshëm e bën lumturinë nëse na lejohet të përdorim këtë fjalë.
Problematikat në shoqërinë tonë janë të mëdha. Një pjesë e konsiderueshme e tyre u krijua nga politikat e gabuara dhe nga korrupsioni, nga hedonizmi dhe kriminalizimi në shumë aspekte i jetës shoqërore dhe institucionale.
Në këto kushte mund të ndodhë që të të pushtojë pesimizmi, dëshpërimi dhe mpirja e indit të reagimit - nje lloj pafuqie dhe gjunjëzimi fatalist. Aq sa nuk do të bisedosh me mundësitë. Modeli i keq i pasurimit të paligjshëm të ka prerë krahët dhe njeriu thotë: ç’më duhet morali?
Dalja nga kjo gjendje mbytëse ka si parakusht ekonominë familjare dhe shoqërore individuale e komunitare. Një vend i varfer nuk fal lumturi... një vend i vjedhur nuk lejon të krijohet lumturia, një vend i grabitur dhe që shet propagandë e fyen njeriun dy herë... sepse i shet edhe hipokrizi.
Pyetja pezull eshte... pse njerëzit në shoqerinë tone janë të dëshpëruar? Pse ka kaq shumë urrejtje? Mes ëndrrës dhe realitetit mbretëron zhgënjimi i gjatë, frenimi dhe konformizmi i pjesshëm që vjen nga rreshtimet politike prej fanatikësh që shërbejnë.
Liria e të vërtetes është mbytur nga liria për të vërtetat e gënjeshtërta. Dëshpërimi kolektiv është produkt i pasigurisë së gjerë në një shoqëri që edhe si tejshikim e ka humbur besimin.
Të kthejmë besimin, ky është guri ynë i Sizifit... paradoks apo dilemë? Mendoj detyrim!
Duhet nisur me edukimin e të jetuarit dhe të menduarit kritik. Nga shoqëria e nuliteteve do duhet të kalohet te shoqëria e njeriut me dinjitet të ndërtuar dhe jo të dhuruar. Nuk ka dhurata të tilla!
©Përparim Kabo, 20 Shkurt 2021