Mbi ndjenjën e fajit- Nga Jeta Dedja
- Nga: JETA DEDJA
Çdokush bën gabime në jetë dhe sigurisht që po të ketë pak mend do dëgjojë dikur edhe zërin brenda vetes që ti thotë se ka vepruar gabim. Ndjenja e fajit është normale të përjetohet, e kundërta do të të bënte një njeri të tmershëm, ose psikopat. Gabimi ose faji që mund të kesh bërë mund të jetë i vogël në pamje të jashtme, por nëse nuk përjetohet dhe shlyhet, efektet e tij shndërrohen në rrathë të mëdhenj guri të hedhur në liqen.
Ti mund të bësh ndryshimin vetëm duke kuptuar me mençuri sesi të dalësh prej rrethit të fajit. Pikërisht mënyrat apo gjetjet e rrugës së përshtatshme do të të shpëtojnë nga emocionet negative, që të ngërthejnë në këto situata. Ka gjithmonë të paktën një mënyrë të shëndetshme se si të shlyesh një gabim. Por së pari duhet ta kuptosh atë dhe të gjesh apo të ndjesh nëse ti ke ose jo faj. Nëse ndihesh sikur ke hyrë në një burg emocional dhe ke krijuar distancë me dikë, për diçka që ke bërë kundër tij/saj ka shumë gjasa që të ndihesh në faj. Ndoshta sepse e ke lënduar dikë, fizikisht ose psikologjikisht. Ose sepse ke thyer kodin moral duke gënjyer, përfolur apo përhapur thashetheme mbi të. Por ndoshta ndjen faj se nuk ke mbajtur premtimin që i ke bërë vetes, psh të mos e përsëritësh më të njëjtën sjellje që dikur në një rast të ngjashëm të ka nxjerrë me faj.
E çuditshme po e vërtetë, ti mund të ndjesh faj edhe për diçka që nuk e ke bërë por ke dashur t’ia bësh dikujt. Të ka ndodhur të hash veten me dhëmbë për mendimet djallëzore që të kanë kaluar në mendje. Mund të ndodhë të ndihesh në faj pse nuk i ke bërë ato që ke menduar, por mund të ndodhë të ndjesh faj edhe pse vetëm i ke menduar.
Ndonjëherë mund të ndihesh në faj kur beson se ato mendimet djallëzore të thurura prej inatit ndaj dikujt, i kanë shkaktuar vërtetë një situatë ose dëm personit. Për shembull, ti i uron një të keqe dikujt që e ke marrë inat, dhe atij/asaj i ndodh diçka. Ti ndjen faj duke besuar se gjithçka ndodhi prej mallkimit tënd.
Por faj mund të ndjesh edhe kur nuk e ke ndihmuar dikë që të ka kërkuar ndihmë për diçka që ti i ke patur mundësitë. Mosangazhimit apo kopracisë i vë vulën edhe ndjenja e fajit, e cila në këtë rast nuk është se zgjat shumë tek njerëz me tiparet e mësipërme.
Dhe pasi ke gjetur veten fajtor/e për diçka, me siguri të ka ndodhur të kalosh nëpër ciklin e fajit. Ti mund të kesh ecur nëpër fazën e parë që është ajo që quhet “Ti duhet”. Kjo fazë vjen nga dëshira për të fituar vetë-miratimin ose miratimin e të tjerëve. Kur nuk ke forcë karakteri ta shqyrtosh vetë një situatë, ti mund t’ua tregosh gabimin tënd të tjerëve për të lehtësuar gjendjen e fajit ose për të testuar pozitën e fajit tënd. Nëse të tjerët të bëjnë të ndihesh ok dhe të mbështesin sepse ose ti ke aftësi bindëse, ose atyre nuk ua ndjen shumë, ose zgjedhin të mos përzihen ti kalon në fazën e dytë të mosveprimit. Ti tërhiqesh në guackën tënde, ndërpret kontaktet me personin që ke lënduar dhe i vë kapak gjithçkaje, i/e bindur në pafajësinë tënde.
Por nëse të tjerët mbajnë qëndrim kundër veprimeve të tua, atëherë ka mundësi që ti të kalosh në fazën e njohjes së autorësisë së fajit. Por sa e vështirë është ta njohësh e pranosh publikisht një faj? Duhet një forcë e madhe vetë-pranimi si dhe dashuri prej tjetrit. Por nëse nuk e provon nga do e dish nëse e ke këtë forcë dhe a të duan vërtetë njerëzit që të rrethojnë? Jeta është më e bukur jashtë ciklit të fajit se sa brenda atij rrethi që rrotullohet me rezultatin e vetëm të marramendjes.
©JetaDedja/Flasshqip











