Kolumnist

Një sy në libër e tjetrin në celular - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Çfarë nevojitet që të lexosh? Kohë, material leximi, vullnet, dëshirë, aftësi, mundësi fizike, internet, një palë syze? Çfarë tjetër? E nëse i ke të gjitha, a lexon?

Një pjesë e mirë e njerëzve sot pavarësisht se zotërojnë “takëmet” e duhura për të ushtruar aktin e leximit, zor se i vënë ato në përdorim të plotë. Ca syresh nuk lexojnë fare, rroftë televizori për ta. Ca të tjerë shohin vetëm fotot ilustruese, ka nga ata që mjaftohen me dy fjalitë e para, ose faqen e parë dhe të fundit të një libri, ka të tjerë që lexojnë diagonal për të marrë një ide, ka lexues besnikë të telefonit, e të rrallë janë ekspertët e leximit të mirëfilltë që i shkojnë leximit nga fillimi në fund dhe e kuptojnë atë, në çfarëdolloj forme qoftë ai, print apo online.  

Kur analizoj leximet e artikujve në FlasShqip vërej se lexohet më shumë përmes celularit dhe se shkrimet e shkurtra korrin sukses në web, ndërkohë të shpërndara në rrjete sociale “lexohen” artikuj që kanë një hyrje në krye gjë që u mundëson “lexuesve” të marrin me mend zhvillimin dhe konkluzionet e opinionit, dhe si rrjedhojë t’i japin të drejtën vetes të komentojnë sikur e kanë kënduar atë (Jo të gjithë janë kështu). Nuk do doja të mendoja se këta janë analfabetë funksionalë të paaftë për të kuptuar e brendësuar një informacion, më mirë do t’i quaja dembelë ose sipërfaqësorë e në ndonjë rast dhe selektivë apo të huajëzuar nga leximi.

Dukuritë e mësipërme që po distancojnë individin nga leximi i mirëfilltë po prekin çdo kategori moshore sot. Një nxënës po më thoshte një ditë se për çdo gjë ai pyet Aleksan, ngaqë përton të hapë e të shfletojë librat, madje edhe të formulojë me shkrim një pyetje në Google. Dhe këtë e bën jo sepse stili i tij i të nxënit është auditiv, por sepse është më thjeshtë dhe shpenzon më pak kohë. “Aleksa më fol pak për historinë e Kanadasë mes viteve 1800-1900”. Dhe Aleksa zë e rrëfen: “Sipas Wikipedias…”

Por, Aleksa e sjellshme nuk është një burim i besueshëm, ajo nuk mundet të shfletojë libra të vyer se ata kushtojnë dhe për këtë duhet një abonim special në Amazon. Kështu që adoleshenti nervoz i kthehet me dembelizëm librit duke vrarë mendjen se si të gjejë një metodë kërkimi fjalësh kyçe në libër që t’ia lehtësojë leximin. Pak a shumë si në kompjuter kur bën “search” dhe “find”.

“Përpiqet e përpiqet ime bijë dhe e përplas librin në krevat” -po më thoshte një prind. "Nuk ka durim dhe bëhet nervoze pastaj. Më kthehet mua dhe më thotë: - Ti e ke fajin që bën zhurmë në kuzhinë dhe flet në telefon me shoqet”.

Kultura e gjetjes së informacionit me një klick apo një pyetje zërore ka ndikuar negativisht në sjelljen e të lexuarit. Sot, një pjesë e madhe e njerëzve duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me teknologjinë kanë rënie të aftësisë së përqëndrimit dhe vëmendjes. Ata ushtrojnë leximin në formë Z-je, marrin me mend përmbajtjen, kalojnë shikimin ndër rreshta në kërkim të asaj që duan dhe nuk brendësojnë informacion, pra rrjedhimisht lexojnë por nuk thithin gjë.

E vërteta është se nuk mund të kesh të njëjtën përfshirje dhe angazhim mendor në leximin në telefon apo PC, siç do të ishe para printit.  Duhet përpjekje titanike e syve të kullotin në ekranin e vogël që lëshon valë. Gjithashtu leximi është një aktivitet që kërkon përqëndrim dhe qetësi, të dyja këto nuk mund t’i kesh kur je i rrethuar nga dhjetra ngacmues. Ndërkohë që ti lexon të vjen një njoftim në Messenger, një tjetër në What’s up, Tik Tok, Instagram, etj, dhe ty të gërryen kurioziteti se çfarë shkruhet, kush është, çfarë po ndodh në rrjet dhe ti nuk je aty online. E ja ku vjen dhe momenti ta lëshosh librin nga dora dhe t’i hidhesh celularit.  

28 Mars 2021