Kolumnist

A po ndërhyn Rusia në zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri? - Shaban Murati

Një deklaratë dhe një sjellje e ambasadorit rus në Tiranë që nuk ka ndodhur kurrë më pare

Nuk ka ndodhur kurrë më parë që Ambasada apo ndonjë ambasador rus të kenë shkelur kufirin diplomatik dhe të kenë ndërhyrë hapur në procesin zgjedhor në Shqipëri. E bëri për herë të parë ambasadori i tanishëm i Rusisë në Tiranë, Mihail Afanasiev, i cili në deklaratat e botuara në faqen zyrtare të Ambasadës ruse në Tiranë shpreh hapur kërkesën e çuditshme antidiplomatike për “një qeveri të re në Shqipëri”.

Duket jo rastësisht zgjodhi edhe datën 26 Mars, një ditë pas hapjes zyrtare të fushatës elektorale në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Asnjë ambasadë apo ambasador i akredituar në Tiranë, perëndimor apo lindor qoftë, nuk është prononcuar se cilën parti apo qeveri do të preferonte në Shqipëri pas zgjedhjeve, pavarësisht se çdo ambasadë apo qeveri e huaj mund të kenë preferencat e tyre politike në Shqipëri.

Sepse ato e dinë që është shkelje brutale e normave dhe rregullave diplomatike të akreditimit dhe të Konventës së Vienës, sipas të cilave nuk mund të dalë një ambasadë dhe të shprehet se anën e cilës palë politike mban në zgjedhjet e vendit, ku është akredituar.

Nuk dihet cilat janë arsyet pse e ndërmori këtë hap të pazakontë të shkeljes së statusit dhe të normave diplomatike ambasadori rus, i cili deklaron pa ekuivok: “Shpresojmë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 25 Prill dhe formimit të qeverisë së re të Shqipërisë autoritetet e vendit do të kenë mundësinë që të kthehemi sëbashku në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojmë të gjitha çeshtjet e ngutëshme të bashkëpunimit tonë”.

Ambasadori dëshiron pra një qeveri të re në Shqipëri, pasi ka shprehur paraprakisht dhe zyrtarisht ankesën për qeverinë aktuale shqiptare se “marrëdhëniet tona po përjetojnë një periudhë të vështirë”, se “arsyet e rënies se nivelit të marrëdhënieve tona janë disi artificiale”, se “kjo gjendje e bashkëpunimit tonë nuk është normale”, etj.

Padurimi e shtyn ambasadorin të shprehë kërkesën e pavend për një qeveri të re, gjë që tingëllon qartësisht si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe në punët e brendshme të vendit. Për të shpjeguar hapin e tij të pazakontë ambasadori sjell alibinë e nevojës së diskutimit në tryezën e bisedimeve të “çeshtjeve të ngutëshme të bashkëpunimit” midis dy vendeve.

Është hera e parë që një ambasador rus formulon termin “çeshtje të ngutëshme” në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rusisë. Ambasadori mund të ketë rreth një vit e gjysëm që merret me marrëdhëniet shqiptaro-ruse, por ekspertët që merren prej dekadash me këto marrëdhënie, mund të përcaktojnë me siguri diplomatike dhe profesionale se midis Shqipërisë dhe Rusisë nuk ka asnjë çeshtje të ngutëshme. Sipas burimeve diplomatike, çeshtja e vetme, që diplomacia ruse e klasifikon si të “ngutëshme” në marrëdhëniet dypalëshe, është ajo e Traktatit të Miqësisë midis Rusisë dhe Shqipërisë, të sigluar në Tiranë në vitin 2004 nga ministrat e Jashtëm Sergej Lavrov dhe Kastriot Islami.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov ia kërkoi hapur nënshkrimin e këtij traktati kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë vizitës në Moskë në shkurt 2020 në cilësinë e kryetarit të radhës të OSBE. Është një Traktat skandaloz për një shtet anëtar të NATO-s dhe pse është i tillë, qeveritë shqiptare që nga 2004 e deri tani nuk kanë guxuar ta nënshkruajnë, por kanë bërë gabimin e madh shtetëror që e kanë konservuar në frigoriferin diplomatik. Unë kam kërkuar disa herë, qoftë në kohën kur punoja në Ministrinë e Jashtme, qoftë më pas, që Shqipëria duhet ta shfuqizojë atë traktat të sigluar, që është i papërputhshëm me interesat kombëtare të Shqipërisë dhe me statusin e saj si anëtare e NATO-s. (Shih gazeta “Dita”, “Qeveria shqiptare të shfuqizojë traktatin e miqësisë sigluar me Rusinë”, 4 mars 2020).

Pikërisht pse ky traktat është interes strategjik rus, diplomacia ruse ka bërë dhe bën presione të pandërprera mbi qeveritë dhe diplomacinë shqiptare që ta nënshkruajnë zyrtarisht, madje qoftë dhe duke i ndryshuar emrin dhe ta quajnë “Deklaratë”. Moska i bënte llogaritë në mbështetjen e lobit rus në ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, ku kanë kolltukuar disa ministra te Jashtëm që kanë qenë dakord të nënshkruhej ai traktat në nivelin më të lartë. Madje ndonjë ministër i Jashtëm kominternist ka arritur deri atje sa të hidhte publikisht edhe alternativën e një partneriteti strategjik me Rusinë.

Deklaratat e ambasadorit rus parashtrojnë një platformë interesante të justifikimit të ndërhyrjes në procesin zgjedhor dhe në punët e brendshme të Shqipërisë. Diplomacia e çuditshme gjeografike ruse shprehet se “Rusia shtrihet në afërsi të gadishullit ballkanik ndaj është një pjesëmarrëse e natyrshme në të gjitha proceset që ndodhin këtu, të cilat nuk mund të mos prekin interesat e saj”, për të dalë tek perla gjeografike se “ne jemi fqinjë në Detin e Zi”.

Më tej platforma diplomatike ruse e ndërhyrjes shkallëzohet në interpretime voluntariste sipas të cilave niveli i ulët marrëdhënieve dypalëshe vjen “si një element i luftës politike që po zhvillohet midis forcave politike në vetë Shqipërinë”. Ambasadori përmbahet të thotë se cilat forca politike janë për marrëdhënie të ndritura me Rusinë dhe cilat jo, por ky diversion i duhet atij për të përligjur kërkesën finale që Shqipëria ka nevojë për një qeveri të re.

Pastaj nxiton që të japë si themel të rëndësishëm të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe modelin e marrëdhënieve midis Shqipërisë komuniste dhe Bashkimit Sovjetik komunist, kur Shqipëria ishte satelite e Rusisë dhe i kishte dhënë asaj edhe bazë ushtarako-detare në territorin e saj.

Natyrisht ambasadori nuk e ka jetuar atë periudhë të zezë në Shqipëri dhe nuk e di se Moska grabiste gjithçka në Shqipëri, që nga kromi e deri vaji i ullirit që mungonte me vite në treg, dhe varësia e Shqipërisë nga Moska ishte në atë gradë sa që edhe historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit brezi im e ka mësuar në shkollë me tekste ruse. Ambasada ruse mund të ngrejë edhe “njëzet shoqata të tjera miqësie me Rusinë” nëpër qytetet tona, përveç atyre 20 shoqatave që ka ngritur deri tani. Por miqësitë dhe marrëdhëniet normale midis dy shteteve nuk ndërtohen me nostalgji neokomuniste dhe as me modele shtetesh satelite, si marrëdhëniet dypalëshe deri në vitin 1961 të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike.

Nuk është i qartë romantizmi sovjetik diplomatik i propozimit të tij që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen organizatës ekonomike të krijuar dhe drejtuar nga Rusia “Bashkimi Ekonomik Euraziatik”, i përbërë nga shtetet ish-republika sovjetike plus Serbia, që hyri në vitin 2019.

Së pari, duhet thënë se Shqipëria si shtet kandidat i BE është e interesuar për integrimin europian dhe për anëtarësimin në BE dhe dihet se çdo shtet që anëtarësohet në BE duhet të çfuqizojë marrëveshjet e tregtisë së lirë me organizata të huaja ekonomike si “Bashkimi Ekonomik Euroaziatik” i Rusisë. Nga ana tjetër ambasadori rus duhet ta ketë lexuar në historinë e marrëdhënieve dypalëshe se Shqipëria ka qenë anëtare e “KNER-it”, Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke, të krijuar dhe të drejtuar nga Moska në kohën e perandorisë komuniste sovjetike dhe nuk i pa asnjë hajër integrimit ekonomik me Rusinë.

Si mënyrë e forcimit të marrëdhënieve me Rusinë ambasadori i sugjeron Shqipërisë të neglizhojë politikën armiqësore të Moskës ndaj Kosovës. Ai shpik një të ashtuquajtur çështje të Kosovës, kur ajo në realitet nuk ekziston, sepse është zgjidhur që në vitin 1999 me ndërhyrjen humanitare të 19 shteteve demokratike të Aleancës Atlantike për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimit etnik i Serbisë, si dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008. Diplomacia ruse e di fare mirë se pavarësia e Kosovës është sanksionuar ligjërisht dhe vendosur si e përputhëshme me ligjet ndërkombëtare nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Korrik të vitit 2010, ku u paraqit edhe Rusia si avokate e Serbisë, ndaj më kot ai shpik sot një të ashtuquajtur çështje të Kosovës.

E vetmja çështje është normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është në të mirë të dy shteteve. Sa për këmbënguljen profane të diplomacisë ruse për rezolutën e vdekur 1244 të KS të OKB, çdo student diplomacie e di se ajo rezolute nuk e përmend në asnjë rresht apo fjalë të saj Serbinë.

Të njejtën ditë me ambasadorin e saj në Tiranë, edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zaharova, në brifingun e saj me mediat në 26 Mars ndërhyri në punët e kombit shqiptar dhe u mor gjatë me objektivin e diplomacisë ruse të nxitjes së konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, dhe me një retorikë urrejtje antishqiptare sulmoi popullin e Kosovës dhe NATO-n. Zaharova shtroi dy teza absurde. Teza e parë, që ndërhyrja e NATO-s në Jugosllavi në 1999 është akti i i parë agresiv kundër një shteti sovran që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht se zëdhënësja e MPJ të Rusisë nuk kishte lindur në atë kohë, asaj si përfaqësuese e MPJ nuk i falet të mos e dijë se ushtria ruse ka pushtuar Hungarinë në tetor të vitit 1956, kur shtypi me zjarr dhe terror protestën masive të ligjshme të popullit hungarez. Nuk i falet të mos e dijë që ushtria dhe tanket ruse pushtuan Çekosllovakinë në Gusht të vitit 1968 për të shtypur Pranverën e Pragës. Tradita pushtuese e Rusisë vazhdoi me agresionin kundër Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe me agresionin kundër Ukrainës në vitin 2014, kur aneksoi me dhunë Krimenë.

Teza e dytë absurde e Zaharovës është që “çeshtja e përgjegjësise së Aleancës Atlantike për 24 Marsin 1999 mbetet e hapur”. Nuk e di ku ka qenë me punë zëdhënësja Zaharova, por MPJ Ruse e ka të regjistruar që në 15 Dhjetor 2004 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka rrëzuar padinë e qeverisë së Serbisë kundër shteteve të NATO-s, pjesëmarrëse në ndërhyrjen humanitare të 1999.

Logjika diplomatike të çon te mendimi se ka një lidhje midis ndërhyrjes së ambasadorit rus në Tiranë në punët e brendshme të zgjedhjeve në Shqipëri në 26 Mars me ndërhyrjen në punët e brendshme të Bosnje-Hercegovinës të ambasadorit rus në Sarajevë në 18 Mars, që kërcënoi shtetin ballkanik të mos hyjë në NATO. Duket se diplomacia ruse po përuron një fazë të re të një ndërhyrje të hapur frontale në punët e brendshme të popujve dhe të vendeve të Ballkanit.

Një zhvillim i tillë provon se sa të drejtë kishte Parlamenti Europian kur miratoi në 10 Tetor 2019 rezolutën për ndërhyrjen e huaj në proceset elektorale dhe sa të drejtë kishte Parlamenti i Shqipërisë, që miratoi në 5 Dhjetor 2019 rezolutën “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”.

Në këtë mënyrë qeveria e Shqipërisë e ka bazën juridike dhe diplomatike për të protestuar pranë MPJ të Rusisë për këtë ndërhyrje të papranueshme të ambasadorit rus në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.

©DITA