Kolumnist

Dygjuhësia tek emigrantët shqiptarë-Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Për emigrantët shqiptarë kudo nëpër botë ndodh të diskutohet shpesh çështja e dygjuhësisë. A duhet t’u flasim njëkohësisht fëmijëve në dy gjuhë apo jo? Kur duhet t’ua mësojmë gjuhën amtare? A do ndikojë të folurit e dy gjuhëve paralel në zhvillimin e tyre gjuhësor e kognitiv?

Dikur mendohej se dygjuhësia sillte efekte negative në zhvillimin gjuhësor kognitiv dhe edukativ të fëmijëve, ndërsa sot mendimet kanë ndryshuar. Dygjuhësia konsiderohet aset i çmuar në jetën e njeriut.

Të dish sot sa më shumë gjuhë, sidomos për emigrantët, është vlerë që shton mundësitë për punësim dhe integrim. Kush nuk do preferonte për fëmijët që të flisnin të paktën dy gjuhë si gjuhë të lindura? Por si mund të arrrihet kjo në kohën kur nuk mund të jesh i ekspozuar në dy vende njëkohësisht? Pasi sipas studiuesve gjuhët mësohen perfekt kur jeton në vendin ku flitet ajo gjuhë, pra kur je i ekspozuar për periudha të gjatë ndaj ambientit ku flitet gjuha. Po nëse në familje flitet një gjuhë dhe jashtë saj një gjuhë tjetër? Atëherë këtu kemi një problem me zgjidhje.

Është vënë re tek familjet e emigrantëve kur u flasin fëmijëve në gjuhën e nënës, ata bëhen folës të mirë të të dy gjuhëve. Ndërsa në familjet që kanë preferuar të flasin vetëm në gjuhën e vendit ku kanë emigruar me mendimin që fëmijët të mos dallohen e ta mësojnë shpejt gjuhën, është vënë re se fëmijët nuk e kanë folur gjuhën e nënës siç pritej ta flisnin, por e kanë folur si një gjuhë të huaj të mësuar shkel e shko.

Ky nuk është një shembull për të fajësuar prindërit. Edhe ata kanë arsyet e tyre që duhen mirëkuptuar. Stresit të jetesës në një vend që të shtron kërkesa të tjera më emergjente, nuk duhet t’i shtojmë edhe përgjegjësinë e mosangazhimit për mësimin e gjuhës. Ndodh të neglizhohet, por ndodh edhe për arsye kohe.

Prindërve u është dashur të punojnë gjatë e të mos kalojnë shumë kohë në shtëpi me fëmijët dhe atë pak kohë që kanë patur në dispozicion e kanë shfrytëzuar për të shkëmbyer informacione e emocione dhe jo për të bërë detyra shtëpie. Është e këshillueshme që prindërit t’u flasin sa më shumë në gjuhën amtare fëmijëve, të lexojnë shqip, të këndojnë në shqip, dhe jo në gjuhën e huaj. Sepse është e sigurt që fëmija do ta mësojë shkëlqyeshëm gjuhën e vendit ku jeton, nuk është për t’u patur merak.

Duhet thënë se ka disa përparësi dhe efekte pozitive për fëmijët që mësojnë dy gjuhë. Sipas studiuesve, folësit e dygjuhëve, ose bilinguistët janë më të ndjeshëm ndaj lidhjeve semantike mes fjalëve, janë më të aftë për të analizuar strukturën e një fjalie, janë më të zotë për të zbuluar rregullat në një detyrë që u jepet dhe kanë ndjeshmëri sociale më të madhe. Por ka një aspekt në të cilin bilinguistët çalojnë krahasuar me monolinguistët. Kur vjen puna te sasia e fjalorit, bilinguistët ndikohen nga parimi i komplementaritetit. Nëse nuk i vjen një fjalë në mendje në njërën gjuhë, ata nuk rrinë të vrasin mendjen për ta gjetur fjalën, por e zëvendësojnë me fjalën në gjuhën tjetër.

Megjithatë kjo mund të vijë edhe për shkak të bashkëbiseduesit të tyre, i cili zgjedh gjuhën me të cilën u përgjigjet fëmija. Dihet që fëmijët zgjedhin të komunikojnë me gjuhën që flasin më mirë, si rrjedhojë ka prindër që i bien shkurt. Nuk harxhojnë kohë për të dhënë mesazhin që duan të japin. Por kjo do të ishte një metodë që do ndikonte në venitjen e gjuhës së nënës.

Në raste të tilla për të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptarë në çdo vend të botës, do duhej një zgjidhje pse jo nga jashtë familjes, por me mbështetjen e gjithë familjeve shqiptare. Puna komunitare është parë kudo që bën çudira njëlloj si thënia “Bashkimi bën fuqinë”. Nëse të paktën një herë në javë, fëmijëve shqiptarë u ofrohen mësime të gjuhës dhe gjithçkaje tjetër që ka lidhje me kulturën e trashëgiminë shqiptare, atëherë ata do të kenë mundësinë e ekspozimit ndaj gjuhës shqipe në komunitetin e tyre.

Dhe nëse këto mësime zhvillohen në forma sa më argëtuese, do të jenë tërheqëse për vëmendjen e fëmijëve të cilët do të arrijnë ta kërkojnë vetë këtë aktivitet në fundjavë. Është e rëndësishme që edhe mësuesit e gjuhës, ata që ndërveprojnë me fëmijët të jenë njohës të mirë të shqipes. Nëse një qendër e tillë krijohet, tashmë e vënë si objektiv edhe nga qeveria shqiptare përmes miratimit të ligjit për Diasporën, ose edhe ato qëndra që janë të krijuara tashmë të vazhdojnë të funksionojnë dhe të mbështeten rregullisht nga komuniteti, duke ofruar cilësi dhe profesionalizëm, atëherë fëmijët e shqiptarëve në çdo qoshe të globit, do ta flasin bukur gjuhën e të parëve.

Nëpër raporte flitet për monumente të trashëgimisë kulturore, në libra gjithashtu shkruhen se cilat janë. Por unë them se monumenti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të një kombi është vetë njeriu dhe gjuha që flet ai. Shqiptarët janë ata që mbartin fuqinë e trashëgimisë së gjithçkaje shqiptare. Prandaj çdo shqiptari, duke i trashëguar gjuhën të parën, ne i kemi përcjellë historinë dhe kulturën kombëtare.