Sindroma e monstrës
- Nga: ARBEN KALLAMATA
Para disa kohësh, postova në Facebook një parodi të shkurtër të bazuar në vargjet hapëse të poemës së Naimit “Bagëti e Bujqësi”. Nuk ishte as përpjekje për t’u shquar si poet (pasi nuk jam) dhe as ngasje për t’u dukur origjinal, pasi parodi të tilla kanë bërë të tjerë me më shumë sukses përpara meje. Ishte thjesht një impuls për të bërë pak humor dhe për të lehtësuar pak ngarkesën e ditës, që u mirëkuptua nga shumë miq të mij.
Por, për çudi (ose aspak për çudi) u gjend dhe dikush që u nervozua dhe më dergoi këtë koment : “Pasi i latë pendën Shqipërise prisni të bëhet më e nderuar !!!” Po, me tre pika çuditëse.
Si rregull, unë nuk ia përtoj debateve në Facebook, por këtij komenti iu përgjigja me adresimin te një shkrim i imi i mëparshëm i titulluar “Llum”, ideja kryesore e të cilit është që askush nuk ka të drejtë të më diktojë mua se çfarë të them duke u bazuar te vendi ku jetoj.
Do ta kisha harruar fare këtë shkëmbim sikur të mos më kishte rënë në sy, që edhe në shtyp edhe në rrjetet sociale, vazhdon të mbizotërojë përçmimi ndaj emigrantëve dhe dëshira për të na e mbyllur gojën ne që jetojmë përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Gjë që më bëri të mendoj:
A mund t’i thuhet “i le pendët Shqipërisë” Naimit, Samiut, Abdylit? A mund t’i thuhet “i le pendët Shqipërisë” Asdrenit, Pashko Vasës, Konicës, Nolit, Eqerem Vlorës, Martin Camajt, Arshi Pipës, Sami Repishtit, Sejfi Protopapës, Isabela Çoçolit? A mund t’iu thuhet “i latë pendët Shqipërisë” të gjithë atyre që çanë muret e ambasadave dhe mbushën anijet më 1990, pa të cilët s’do të kishim sot as grafikat e mrekullueshme të Avni Delvinës dhe as rrëfimet njerëzore të Arben Imerit?
Pastaj, a mund t’i thuhet “i latë pendët Anglisë” çiftit Persi dhe Meri Shelli dhe mikut të tyre të afërt Xhorxh Gordon Bajron? A mund t’i thuhet “i latë pendët Gjermanisë” Mozartit dhe Ajnshtainit? “I latë pendët Polonisë” Mari Kyrisë dhe Shopenit? Austrisë - Frojdit dhe Shvarcenegerit? Rumanisë - Joneskos dhe Nadia Komaneshit; Serbise – Nikolla Teslës; Greqisë - Demis Rusos; Italisë - Toskaninit apo Al Pacinos; Rusisë - Solzenisinit, Egjiptit – Omar Sharifit? Kolumbisë - Markezit?... I vura tre pikat jo për të neutralizuar ato tre pikë çuditëset, por për të thënë që kjo listë mund të shkojë pa fund.
Ka qënë një kohë kur nga Shqipëria nuk lejohej të largohej asnjeri. Kjo kohë ishte nga viti 1945 në vitin 1990. A ju kujtohet si quhej? Koha e komunizmit, koha e diktaturës, koha e Enverit.
Për 45 vjet monstra që drejtonte vendin shpenzonte një pjesë të madhe të buxhetit për të ruajtur kufirin. Jo që të mos i hynte kush brenda, por që të mos i dilte njeri jashtë. Monstra shkonte dëm burime të panumërta materjale dhe njerëzore, rrezikonte kapital politik të pallogaritshëm për të vrarë, torturuar e burgosur ata që donin të largoheshin dhe për të syrgjynosur e keqtrajtuar gjithë familjet e tyre.
Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë arsyen përse e bënte monstra këtë marrëzi. Disa mendojnë se ai kishte frikë se mos i iknin të gjithë. Disa të tjerë arsyetojnë se e bënte ngaqë ishte xheloz dhe nuk donte që skllevërit e tij të siguronin diku gjetkë një jetë më të mirë. Të tjerë i bien shkurt duke thënë se ishte paranojak.
Pa hedhur poshtë asnjë prej tyre, unë them që arsyeja kryesore përse monstra nuk i linte njerëzit të iknin, ishte se nuk duronte dot që dikush, kushdo që kishte jetuar ferrin e tij, të dilte jashtë dhe të fliste hapur, serbes, pa i bërë syri tërr për ato që kishte parë. Nuk duronte dot që njerëz që e njihnin nga pranë realitetin e tij të ishin të lirë të shprehnin mendimin e tyre për atë realitet.
Sindroma e monstrës vazhdon të mbijetojë në forma të ndryshme te shumë njerëz në atë vend edhe sot e kësaj dite. Ajo shfaqet me bezdinë e madhe dhe nervozitetin e hapur ndaj çdo shprehje kritike që vjen nga përtej kufirit. Ashtu si monstra, këta njerëz nervozë dhe të bezdisur, nuk e kuptojnë që kushdo që merr mundimin dhe ndjek lajmet nga Shqipëria, kushdo që merr mundimin dhe shpreh një mendim për Shqipërinë - të saktë apo të gabuar – niset thjesht nga dashuria dhe nga dëshira për ta parë atë vend sa më mirë.
Sindroma e monstrës i ka rrënjët e thella dhe do të duhet kohë që t’i gjendet ilaçi. Përderisa të gjendet, ne që jemi përjashta do të vazhdojmë të mbetemi në shënjestër. Po ç’faj kemi ne? Fajin e kanë ata që na lanë të dalim jashtë. Kush na la ne të dilnim jashtë?!
Kjo, sipas të famshmëve Baha Men, është nga ato pyetjet 1 milion dollarëshe. Meqë interneti na i jep mundësitë, mund ta dëgjoni. Titullohet “Who let the dogs out? - Baha Men https://www.youtube.com/watch?v=Qkuu0Lwb5EM











