Kolumnist

Kapitalizëm carist - Nga Dashnor Kokonozi

Është mbresëlënës kontrasti midis potencialit që ofron Shqipëria për zhvillim të mirë ekonomik dhe etiketës që ka në ballë si vend i pa gratshëm.   

Pse kaq varfëri?

Pa qenë specialist i fushës, kam përshtypjen se kjo përveç arsyeve historike, i detyrohet edhe faktit se për inerci të regjimit të shkuar këto 30 vjetët e fundit qeveritë janë tunduar të zhvillojnë një “kapitalizëm nga lart”, thënë ndryshe kapitalizëm carist, që vitet e fundit është bërë më i theksuar se kurrë.

Periudha cariste e Rusisë njohur jo pak investime, por nuk ishin rezultat i kërkesave dhe zhvillimeve të brendshme e të vetvetishme të vendit. Cari dëgjonte se ka hekurudha në botë dhe thoshte e dua edhe unë një të tillë për Rusinë time të dashur. Diku nga fundi shfaqi dëshirën edhe për fusha aviacioni.

Investimet cariste nuk i dhanë asgjë ekonomisë ruse e mbi të gjitha nuk patën asnjë rezultat në zhvillimin e një klase të mesme. Krimi dhe korrupsioni lulëzoi. Në prag të revolucionit numëroheshin oligarkë dhe një Rusi mjaft e varfër e mbi të gjitha pa strukturat dhe dimensionet përkatëse të një shoqërie moderne.

Pushteti carist kishte jo vetëm ekonominë e tij cariste, por edhe policinë cariste, drejtësinë cariste, shtypin carist, gazetarët caristë dhe një numër të pafund strukturash që gëlonin e ushqeheshin nën hijen e pushtetit carist.

Kishte nisur të zhvillonte edhe ai shoqërinë civile cariste.

Pra, investimet cariste sikundër në Shqipëri, nuk ishin inekzistuese, por Rusia mbeti nga vendet më të varfra në Evropë.

Njerëzve të thjeshtë, ata që nuk duan të prostituoen moralisht në dyert e pushtetit u mbetet emigracioni.

Për të tjerët, për shtresat e gjëra popullore, ata që janë larg pushtetit, që nuk kanë as para për një biletë avioni, mbetet ose të thyejnë gurë ose të prostituoen në motele e Tiranës a trotuarët e Evropës.

©Dashnor Kokonozi