Kolumnist

Të ndryshosh apo jo, kjo është çështja! - Nga Ndue Dedaj

Nuk do aspak të dëgjosh, si sot si mot, “Shqipëria - vendi i paradokseve” dhe përpiqesh ta refuzosh, mirëpo “nga kokrra e grurit te qeveria” ka qenë vargu i një poeme, që do të thoshte nga më e vockla gjë te më e madhja. Dhe ja, një kilogram qershi në pazarin e Milotit shitet me 6 mijë lekë të vjetër kurse në tregun e Tiranës tri herë më pak?! Dhe të flasësh pastaj për rregullsi tregu… Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur për të shkarkuar (me apo pa të drejtë, do ta vendosë Gjykata Kushtetuese) Presidentin e Republikës, kurse zotëria e tij, si të jetë ndonjë festë, ka thirrur artistët e mirënjohur dibranë të këndojnë e kërcejnë live në oborrin presidencial?! Ec e merre vesh se çfarë mesazhi ka dashur të përcjellë me këtë soj shfaqjeje kreu i shtetit, ama, publikut i sërviren në të njëjtën kohë dy pamje (njëra surreale), këndej hare e dekorata nga zoti President, andej shpallja e tij “non grata” nga organi që e ka zgjedhur.

Liderët shqiptarë: këngë me lahutë dhe “non grata” (!)

Sali Berishës i janë kënduar këngë në vendlindje si udhëheqës i demokracisë dhe simbol i ndershmërisë, por ja që ndërkombëtarët e përtej Atlantikut nuk mendojnë si në lavdet e lahutës sonë, pasi kohët e fundit e shpallën “non grata” për të mos hyrë në SHBA ai dhe familja e tij. Nuk është hera e parë që drejtues të lartë të shtetit shqiptar ndalohen të udhëtojnë drejt Amerikës. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ish-Prokurorin e Përgjithshëm Llalla, ish-kryebashkiakun e Durrësit Dako, deputetin e dorëhequr socialdemokrat Doshi etj. Edhe Ilir Metës i janë kënduar këngë në Skrapar, por jehona e tyre nuk ka mundur të shkojë dhe përtej oqeanit. Pa harruar se dhe në Kosovë u është kënduar udhëheqësve të dalë nga lufta, që, megjithatë, sot gjenden në Hagë! Një problem është këtu. Këndej nga ne këngë me lahutë, andej nga bota e qytetëruar “pranga” (kufizime). Kryeministri Edi Rama ka kohë që thotë se ne i kemi plotësuar kushtet për në BE, por “lahuta” jonë qeverisëse nuk është dëgjuar në Bruksel, çka shpresohet të ndodhë në muajt që vijnë.

Asnjëherë krahasimet nuk janë të qëlluara, por ky ka qenë njëlloj fataliteti ynë në histori. Ahmet Zogu u këndua në këngë sa ishte mbret, por mbasi ia hoqën fronin u akuzua për grabitjen e thesarit të shtetit etj. Enver Hoxha, krahas luftës së klasave për të tjerët, krijoi Bllokun gjysmëshekullor të privilegjeve për vete dhe sivëllezërit e tij në pushtet. Ne vërtet u kemi kënduar heronjve të kombit, por u kemi kënduar ndonjëherë edhe cubave, dallkaukëve, që më pas gjyqi i historisë u ka treguar vendin. Siç dihet, Presidenti amerikan Joe Biden ka lëshuar një urdhër ekzekutiv, që ua ndalon hyrjen në SHBA zyrtarëve të shteteve të Ballkanit që janë të përfshirë në vepra korruptive etj. A thua, më në fund, krimi i të mëdhenjve do të ndëshkohet?, pyesin qytetarët e thjeshtë. A po vjen dita që të akordohemi dhe ne me “orkestrën” demokratike euro-atlantike?

Fishta i thuri himne Oso Kukës, kur ai e kishte mbyllur historinë dhe nuk ishte më mes të gjallëve. Ndaj t’ua kursejmë lavdet udhëheqësve sa janë gjallë, se ku i dihet, qëllon që bëhemi pishman për rapsoditë që u kemi thurur.

Berisha, “Papa” i dorëhequr, që nuk u tërhoq

Tetë vjet më parë kemi botuar shkrimin “Në PD nuk ka vend për dy Papë”, ku thuhet: “Ka ikur Papa Benedikti XVI dhe Papë tashmë është i zgjedhuri pas tij, Papa Françesku. Prej ditës kur Papa i dorëhequr është larguar, nuk është parë askund, në asnjë ceremoni, as private. Edhe pse feja me politikën janë dy gjëra të ndryshme, parimësia e dorëheqjes është një, ti ikën dhe punën tënde e kryen një tjetër. Ndaj as në PD-në tonë nuk ka kuptim që të ketë dy “Papë”. Ky është rregulli, ndryshe do të ishte përjashtimi…”. Shkrimi vijon: “Të gjithë presin nëse PD-ja do të jetë me apo pa doktorin, kreu i ri i saj, Basha, do ta marrë plotësisht rolin e tij, apo violinë e parë do të jetë prapë Berisha dhe ai do të jetë zë i dytë në orkestrën politike të Partisë, ku zyrtarisht është i pari?! Kjo nuk pritet për t’u parë vetëm nga kundërshtarët politikë apo ndërkombëtarët, por në radhë të parë nga vetë demokratët, që kanë aq kontribute për forcën e tyre politike dhe përgjegjësi për të ardhmen e saj”.

Koha tregoi se “Papa” ynë i dorëhequr nuk i ndenji rregullit, por përjashtimit!

Sot, shumica mendojnë se ndikimi i zotit Berisha te kreu i PD-së, Basha, ka qenë dominues, siç ka dhe nga ata që mendojnë se Lulzimi ka bërë në krye të vet.

Njerëzit kanë pritur tri gjëra: A do të mundej Rama të ngrihej në staturën e Kryeministrit, apo do të sillej si “monark” që i do të gjithë frerët në duar? A do të mundej Meta si President të shkëputej nga politika partiake, apo do t’i tërhiqte kërraba nga partia e tij? A do të mundej Basha të bëhej lideri real i PD-së, apo do të pengohej nga hija e liderit historik?…

Diçka e tillë nuk ndodhi, pasi etja e liderëve tanë për pushtet është “gjenetike”. Prandaj ndryshimi nuk ndodh asnjëherë siç pritet. Mjafton të sillet ndërmend Reforma në Drejtësi, stërkëmbëshat dhe vonesat e politikës, për të kuptuar frikën e pushtetarëve abuzues nga një pushtet tjetër, i pakontrolluar prej tyre, ai i ligjit.

Ka ndërruar jeta, por nuk ka ndodhur ndryshimi

Qytetarët janë kritikë për zhvillimet, kurse udhëheqësit flasin sikur këtu çdo gjë shkon për mrekulli. Por si mund të ketë “ngazëllim” në sallonet e shtetit, kur ka një apo dy vrasje çdo ditë? Kur aksidentet rrugore po bëjnë kërdinë në njerëz? Kur nuk mund të shkelësh lirisht në çdo cep të vendit, pasi në jo pak zona canabis sativa të thotë “ndal”. Kur plehrat “përmbytin” plazhet, qytetet, rrugët, lumenjtë? Kur maturantët dalin në rrugë për testet e provimeve të kontestuara prej tyre?

Nëse problemin e shohim më gjerë, atëherë na duhet të kuptojmë dhe “pse” të tjera. Sot vendtubimet tradicionale janë të zbrazura. Ka më kinema? Askund. Teatrot e rretheve bëjnë teatër? (Se sa për atë kombëtar dihet gjëma e tij). Në biblioteka më shumë se shkollarë ka pensionistë, që shkojnë aty për të lexuar gazetat. Tash ka një tjetër mjedis publik ku “shtyhet koha” masivisht, kafenetë plot e përplot. Lajmet nga fronti i punës e prodhimit janë krejt të pakta. Nuk ka punë, por nuk ka dhe dëshirë për të punuar. Shumëkush sytë i mban nga partia. Njëlloj si dje, po e pate një “ganxhë” lart, fillon punë ku të duash, fiton tenderë, bën prokopi, po nuk e pate, harroje.

Të rinjtë nuk shohin ndonjë perspektivë. Nuk ndodh askund si këtu, që të bëhesh “VIP” e të zësh ekranet vetëm se ke marrë pjesë në “Big Brother”, “Love story”, “Përputhen” etj., pa e ulur vlerën e këtyre programeve televizive. Ama, kjo sikur iu thotë të rinjve, që kërkojnë modele, ja ku i keni! Fëmijët dhe të rinjtë janë të rrezikuar nga krimi seksual, që shoqëria nuk po e ndalon. Vërtet kriminelët e përfshirë në krime të tilla të përbindshme duhen ndëshkuar rreptë, por a është kjo e gjitha? A është efikas sistemi i edukimit rreth mbrojtjes së fëmijëve? A është e përgatitur familja për përballimin e sfidave të prindërimit bashkëkohor? A është Policia e Shtetit e mirinformuar rreth situatës së krimit nën “rrogoz” para se ai të shpërthejë? Ç’kuptim ka nisma “Policimi në Komunitet”, kur nuk shërben për të parandaluar abuzime të tilla? A “prodhojnë” rezultat shoqatat e shumta që merren me fëmijët e të rinjtë apo vetëm certifikata?...

Për të gjitha këto, ndryshimi nuk mund të thuhet se ka ndodhur as në politikë, as në qeverisje, as në shoqëri…

Apologjia për “ndryshimin” dhe Kuvendi i ri i Shqipërisë

Fjala ndryshim është më e lakuara e tridhjetë vjetëve, sa dukej jo vetëm më “magjikja” e fjalorit të demokracisë, por si e bekuar nga vetë Zoti. E kemi hasur në forma të ndryshme në aq e aq sigla e afishe elektorale partish, të djathta e të majta, që betoheshin për ndryshimin, por pa munduar ta sillnin atë. Lokomotiva e ndryshimit u mor peng herët nga korrupsioni, pangopësia e pushtetarëve me paratë publike, krimi i organizuar, narkotrafiku etj.

Por lexuesi ka të drejtë të pyesë: nuk ka shpresë? Kështu do të vazhdojmë duke mihur në ujë? Po, ka. Pas dy vjetësh me një biçim Kuvendi për faqe të zezë, 25 Prilli solli Kuvendin e ligjshëm, që ka dhe opozitën dhe do të krijojë një tjetër klimë besimi me vendimmarrjet e tij. Gjykata Kushtetuese është më në fund në veprim. SPAK-u po ashtu. Ndëshkimi i pandëshkueshmërisë nuk duket më i pamundur. Mbi të gjitha, idealizmi shqiptar nuk është sosur, veçanërisht te të rinjtë, bota akademike, gazetarët, politikanët e rinj, profesionistë të sferave të ndryshme, fermerët, biznesi që përballet me vështirësi të shumta etj., njerëz që duan t’i bëjnë gjerat ndryshe.

Këto e të tjerë faktorë do të sjellin dhe qytetërimin e politikës.

©Ndue Dedaj