Kolumnist

Fate pensionistësh të vuajtur dhe fatlumë - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Një kolege po më tregonte një ditë mbi jetën e mamasë së saj 80-vjeçare. Duke parë kuriozitetin tim të shtuar nuk m'i kurseu aspak detajet. Meqënëse kjo bisedë nuk u zhvillua nën kushtet e ruajtjes së konfidencialitetit, do ta ndaj atë me ju.

Mamaja e koleges sime është një pensioniste që dikur kishte punuar në një kompani prodhimi produktesh bujqësore. Pas daljes në pension mbeti e vé. Edhe pse me katër fëmijë të shkolluar e rregulluar në punëra me të ardhura të mira, ajo preferon të jetojë në shtëpinë e saj vetëm. Fëmijët me nipër e mbesa e vizitojnë në fundjavë, vetëm nëse ajo u ka thënë se është e lirë.

Po po, një pensioniste, e vé 80-vjeçare është e angazhuar në Kanada. Ekzistojnë qendra sociale e argëtuese për të moshuarit të cilat ofrojnë nga A tek Zh shërbime për anëtarët e tyre, por edhe për cilindo të interesuar. Në fakt këtu, mund edhe të marrësh shërbime, edhe të ofrosh. Mamaja e koleges sime ofron mësime për kopshtarinë. Ajo është eksperte e shfrytëzimit të bahçes. Njeh çdo mjet pune dhe produkt që përdoret për kujdesin ndaj tokës dhe pemëve. Duke u shpjeguar të tjerëve sekretet e kopshtarisë, ajo ndihet aktive dhe e dobishme. Këtu në qendër ka njohur dhe shokun e saj, me të cilin lë takime tête-à-tête në mbrëmje, nën shoqërinë e muzikës dhe alkoolit. Pasi kërcejnë e pijnë, shoku shkon në shtëpinë e tij. Të dy janë të aftë të ngasin makinën. Kjo u jep pavarësi edhe më shumë. Ajo thotë se nuk i pëlqen ta trashë miqësinë. Do të ishte bezdi e madhe të zgjoheshin çdo ditë bashkë.

A u del pensioni për të bërë një jetë të kënaqshme? - pyes unë kolegen.

Po, - thotë ajo. - Mamaja e ka shitur shtëpinë që kishte, ka blerë një apartament në vend të saj. Është më mirë për të moshuarit jetesa në condominium, ku një kompani kujdeset për pastrimin e dëborës, pishinës, etj. Nga shitja e shtëpisë dhe paratë e akumuluara nga rezerva e pensionit ajo ka mjaftueshëm për të plotësuar nevojat dhe qejfet.

Këtu mu kujtuan pensionistët në Shqipëri, sa të shtrënguar e kanë jetën, sa aritmetikë bëjnë çdo herë që marrin pensionin duke llogaritur qindarkat për nevojat bazë. E kjo si një rezultat i më tepër se 30 vite punë.

Pensionistët në Shqipëri nuk kanë luksin e argëtimit nëpër qendra e as të shfrytëzimit të potencialit të tyre në interes të vetes apo të tjerëve. Pensionistët në Shqipëri i sforcojnë të plaken duke u ankuar për jetën dhe jo duke festuar mbi përmbylljen e një etape të gjatë shërbimi.

E nëse një prej tyre del e sfidon sistemin qoftë edhe me një karrocë perimesh në rrugë, xhelatët i përndjekin e tallin duke u treguar se vendi i tyre është larg dritave të qytetit, larg zhurmave të jetës së rregulluar me ligje në favor të të privilegjuarve të moshës, statusit social e ekonomik, përkatësisë partiake a familjare.

Nënokja e rebeluar ndaj xhelatëve është më e re në moshë se mamaja e koleges sime, por në jetën e saj hyn kushdo, jo një shok a shoqe i zgjedhur prej saj, por kushdo që i bën fresk sulltanëve e xhelatëve. Këta syresh rreken të argumentojnë paligjshmërinë e saj, a thua Nënokja përdhosi kalanë e Gjirokastrës me aheng e alkool.

Se Nënokja nuk ka si preokupim se prej cilit monument kulture të përfitojë, Teatrit Kombëtar a Kështjellave historike. Ajo nuk luhatet mes zgjedhjes se çfarë vere të pijë në mbrëmje a çfarë muzike të luajë, porse ajo lidh e numëron tufat e majdanozit që i duhet të shesë duke bërë sytë katër për xhelatët. Se perimet e saj cilësohen të paligjshme, vetëm sepse ato nuk janë cannabis për transport ndërkombëtar.

Nënokja e Tiranës është po aq eksperte e kopshtarisë sa zonja kanadeze, por atë nuk e trajtojnë si zonjë të dijes mbi bahçen, por si “katunaren” që prish bukurinë e rrugëve të shtruara edhe me paratë e saj.

Në bisedë me kolegen time zgjodha të mos bëj krahasime sistemesh apo fate brezash. Se e dija që do shqyente sytë dhe do shprehte dhembshuri, dhe kaq. Por kur e mendoj, kaq bën edhe një pjesë e mirë e jona. Shkruajmë, flasim në media sociale e ndërkohë xhelatët i lëmë të dhunojnë çdo ditë ato grupe që sistemi i ka lënë në mëshirë të fatit, ndër ta edhe pensionistët, përveç nënës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës./ FlasShqip.ca

©Jeta Dedja