Kolumnist

Në vend të Nenit 55, sot kemi Nenin “Pse më shef” - Nga Alfons Zeneli

Shoferi që nuk iu bind urdhërit të policisë për të hapur derën e automjetit, është arrestuar pak minuta pas ikjes spektakolare. Siç mësohet, ai ka pretenduar se ka ikur ngaqë ishte trembur.

Normalisht duket si nje pretendim klishé. Por, po normalisht kjo mund te merret si shume e besueshme, nëse kemi parasysh pikëpamjet paraprake të policëve për drejtuesin e automjetit që kishin ndaluar.

Fjalori tip "BQ", "RRK" i përdorur prej tyre, nuk ka asnjë ndryshim nga ai i rrugaçëve dhe banditëve të periferive, çka i jep plotësisht të drejtë atij çunit që ia mbathi. Po të lexosh, po të shikosh filma, po të dëgjosh policët normalë të vendeve normale, vëren se fjala kyçe, fjala emërues i përbashkët i çdo komunikimi është "i dyshuari". Të paktën deri në një vendim të formës së prerë të një gjykate.

Tek kumti i këtij termi qëndron dhe gjithë simbolika e demokracisë që iu siguron të drejta njerëzve. Nga kuptimi i këtij termi ne mësojmë se çdo njeri i ka të gjitha të drejtat njerëzore, pavarësisht se policia apo prokuroria dyshon.

Nga ana tjetër, edhe pasi është vërtetuar katërcipërisht fajësia e dikujt, policët, prokurorët, gjykatësit, gardianët e deri dhe te xhelati që egzekuton dënimin me vdekje të një vrasësi apo përdhunuesi serial, janë të detyruar t`i drejtohen fajtorit me "zotëri".

Pra ligjet e demokracisë ta ndalojnë në mënyrë kategorike denigrimin e personalitetit të atij tjetrit, qoftë dhe vrasës i 1000 njerëzve. Ai merr dënimin e merituar, por nuk denigrohet si person. Për shembull, një gjykatës, pasi ka vërtetuar fajësinë e një përdhunuesi, nuk mund ta pështyjë ate, t`i thotë legen, bq, baxhellë e t`i gjuajë me shpulla.

Mirepo bravoçunat e Çuçit as nuk i dinë vetë këto rregulla as, siç duket, nuk ka kush t`ua mësojë. Ndaj kuinteti i policëve në skandalin e djeshëm te Varri i Bomit, Bamit apo i Barjamit, këndoi sipas avazit të rrugës me fjalë te cilat nuk mund të përdoren as me shkurtime nga nëpunësit e një shteti normal.

Në fakt, shfaqja e harbutërisë policore si në këtë rast, apo dhe në shumë të tjerë, nuk ka përse të na bëjë shumë përshtypje, për sa kohë dëgjojmë në media e në publik të hapur vetë kryeministrin të vjellë llum fjalësh e sharjesh ndaj gazetarëve.

Në një farë mënyre, dashje padashje, kjo është një leje e pashkruar që kryeministri ua jep të gjithë nëpunësve të shtetit të vet, për të batërdisur me sharje e dajak çdo qytetar qe ua bën fiksim.

Skena e turpit policor të djeshëm rinxorri dhe avazin e njohur të dhunës ndaj mediave. Pasi policet dështuan në kapjen e të dyshuarit dhe mbetën shumë keq në sy të publikut, iu sulen gazetarit që po ushtronte detyrën dhe e trajtuan fiks siç do të kishin trajtuar "BQ" që sapo iu kish lënë targën.

Gazetari Ergys Gjençaj po filmonte skenen. Mirëpo filmimi si proces kryhet nëpërmjet syrit. Dhe ky detaj e ka marrë në qafë gazetarin. Policët kanë shfaqur simptomat e shefave dhe të rrugës ku janë edukuar duke e dhunuar gazetarin me akuzën e famshme rrugaçërore dhe shtazarake "Pse me shef".

Ky është dhe neni i vetëm me të cilin qeveria, prokuroria, policia dhe gjithë administrata civile ndëshkojnë qytetarët.

©Alfons Zeneli