Të shikojmë përtej horizontit të zymtë - Nga Dom Gjergj Meta
Kultivimi i jetës shpirtërore paraqitet i domosdoshëm në çdo kohë dhe etapë të njeriut e të shoqërisë, pasi në brendinë e njeriut gjendet aftësia për të shkuar përtej faktit objektiv, përtej asaj çka ndodh konkretisht dhe për të gjetur një domethënie ose së paku për të shtruar pyetje.
Vetëm jeta shpirtërore e bën njeriun të aftë t'i japë kuptim ngjarjeve të jetës së përditshme, të gëzueshme apo të trishtueshme qofshin ato.
Kjo jetë shpirtërore është njëkohësisht mendim, arsyetim, reflektim, meditim, por mbi të gjitha mundësi për të mos u ndalur apo mjaftuar me atë çka shohim, verifikojmë apo falsifikojmë. Nëpërmjet saj depërtojmë thellë në mundësitë e pafundme të jetës njerëzore dhe na hapen horizonte pas horizontesh, edhe në situatat më të vështira që kalon njeriu apo shoqëria.
Prandaj edhe situatat aktuale që po kalojmë kanë nevojë për një vështrim më të thellë që nuk ndalet thjesht në dukje, por shkon brenda dhe përtej tyre. Kjo situatë pandemike dhe sidomos kaosi shoqëror që po e shoqëron na thonë diçka për njeriun dhe shoqërinë, përtej (pa)aftësisë së shkencës për ta administruar atë. Këtu është në lojë njeriu me të gjitha dimensionet e tij.
Ashtu sikurse holokausti apo gulagët komunistë na thanë diçka për njeriun, të padëgjuar më parë, diçka që na bëri të dridhemi përballë humnerës ku mund të bjerë njeriu, aq sa e gjitha përmblidhet në pyetjen dramatike të Primo Levi-it: "A është vallë njeri?". Edhe pse me vonesë, njeriu reagoi ndaj asaj të keqeje.
Edhe kjo përvojë aktuale që po kalojmë mbart rrezikun e madh të indiferencës, të totalitarizmit, të përkuljes mbi peshën e rregullave. Por na kërkohet të reagojmë nëpërmjet një reflektimi të thellë e të shikojmë përtej këtij horizonti që për momentin na duket i zymtë.
Brenda njeriut gjenden pyetjet e mëdha e po ashtu vetëm nga brenda mund të vijnë përgjigjet.
©Dom Gjergj Meta










