Kolumnist

Kryeministri është i lumtur - Nga Vangjush Saro

Po, kryeministri ynë është i lumtur. Kryeministri i Shqipërisë së palumtur është i lumtur. Pse të mos jetë; gjithçka ecën siç do ai, siç ka ëndërruar dhe projektuar ai. Kryeministri dhe klani i tij i kanë të gjitha në rregull; jashtë e brenda (vendit). Ata po ëndërrojnë tani për një mandat të katërt, pastaj edhe për një tjetër… Nuk ka ndonjë arritje të dukshme, për të mos thënë të kundërtën; por ani. Kryeministri s’ua përton fjalëve. Për gjithçka që (s’)bën apo (s’)bëjnë, gjendet menjëherë justifikimi: dhe nëse nuk ka argumente mjaft, fillon e hyn në punë ironia, gallata me satelitë, qesh të qeshim…

Po vërtet, pse duket kaq i lumtur Kryeministri? Pse shfaqen kaq në humor marionetat e Tiranës? Siç u përpoqa të komentoja këto ditë në një nga rrjetet sociale, ku, duam s’duam, përfshihemi për t’iu qasur sa më mirë termit ‘kontribut’, të qëndruarit gjatë në pushtet është një gjë tepër e rrezikshme. Kurse të qëndruarit gjatë në opozitë, është një gjë qesharake. Ndërkaq, e gjithë kjo situatë (po) prodhon vetëm mediokritet.

Mirëpo farsa shpesh serviret si dramë; edhe pse nuk asgjë për të cilën të ndjehesh mirë, gazi nuk mungon, propaganda gjithashtu vijon me të njëjtat ritme: Milet, punët po shkojnë vaj! Dhe kjo është lumturia e asgjësë. Si për ta konkretizuar më mirë këtë situatë absurde, ja ç’thotë Raportuesi i BE-së për Shqipërinë, David Lega: “Më duhet të theksoj se besueshmëria e BE -së varet nga përmbushja e 15 parakushteve që ajo i ka vënë Shqipërisë, kjo para se të vazhdohet me procesin e pranimit në BE.”

Çdo dëshpërim apo çdo lumturi, e ka një shenjë a fole diku. Lexoj nganjëherë çfarë thonë gazetat, sidomos në penën e ekonomistëve të njohur të vendit. Po rritet borxhi në mënyrë të frikshme. (Si nuk u gjet një fjalë a term shqiptar për këtë dukuri!) “Borxhi i Jashtëm Bruto në raport me PBB u rrit nga 65.8% në 67.3%.” (Banka e Shqipërisë.) “Rritja ka qenë më e madhe për borxhin e brendshëm, me rreth 40 miliardë lekë dhe rreth 9 miliardë lekë për borxhin e jashtëm.” (“Monitor”)

Çfarë është borxhi? Është si të ecësh pa frena; është zhvlerësim i parasë dhe i sigurisë sociale; është si të pushkatosh mirëqenien e qytetarëve, në mos ata vetë… Shikoni përtej festave të hipokritëve të Qeverisë e të Bashkisë: Kryeqytetin e kanë marrë në dorë kullat dhe të zotët e kullave; hapësirë sociale e për fëmijët s’ka më. Herë pas here kërcet koburja. Në Drejtësi qasen të kontribuojnë tipa të dyshimtë. Punë s’ka. Dhe njerëzit, kryesisht ata që janë jashtë klaneve, po përpiqen të ikin nga sytë këmbët; më keq se në fillim të viteve ‘90. Por Kryeministri qesh. Është i lumtur. Ai dhe klani i tij e kanë mbroth. Fundja, siç thotë diku Servantesi, “ai që këndon, i lehtëson hallet e tij”.

Mirë mirë, por le të ulemi në ‘terren’. Çfarë pamë këto ditë? Pamë një mbrëmje gala me rastin e shfaqjes së një filmi nga ato prodhimet e bujshme të Hollivudit (që për vete po jeton krizën më të madhe që nga fillimet e tij). Lavdi Amerikës në mënyrën më servile(!) Shkëlqenin apo nuk shkëlqenin atje VIP-at e vendit pa shkëlqim. Dhe bashkë me sjelljet vanitoze të tyre, pamë veshjet e shtrenjta - çudi, se jam shumë naiv, si i sigurojnë gjithë ato të ardhura - pamë hipokrizinë e një klase politike sterë e zezë, që punon vetëm për vete. (“Megjithatë, kalldrëmi ishte i lerosur...” A. Kamy)

Ndërkohë dhe pa kaluar shumë kohë, pamë edhe sherrin tribal të dy mësueseve dhe familjeve të tyre në një gjimnaz bash në mes të kryeqytetit… Ky diametralitet është dramatik, nuk ka si të të bëjë të lumtur. Por Kryeministri dhe klani i tij janë të lumtur. Lumturia e tyre ushqehet nga motive që shumëkush nuk i kupton. Çfaj ka ai!

Në çdo kohë, ka pasur drejtues dhe ndjekës të lumtur. Dhe përtej çdo paragjykimi a keqkuptimi, askush nuk e do të palumtur Kryeministrin. Por do të ishte më mirë sikur të ishte pak i lumtur edhe populli i tij. Të jesh i kënaqur me tablonë aktuale, kjo është demagogji; është lumturi e gënjeshtërt; jetë e gënjeshtërt. Stabilitet fals. Pokeri… (“Mjerisht duket se tash shumë kohë neve nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë…” At Zef Pëllumbi)

Nuk di si do ta gjejmë dhe duhet të gjejmë pak më shumë kurajo e pozitivitet. Me këtë rast, kërkoj ndjesë për disa terma të rënduar, por le të shpresojmë se më tej do të kemi edhe ne të tjerët inspirim për të qenë disi më të kënaqur e më të përmbajtur.

©Vangjush Saro