Çfarë po ndodh në Ukrainë? - Nga Hajro Çini
Tensioni i radhës. As Rusia dhe as USA nuk mund të jetojnë pa tensione. Rusia e ka në historinë e saj prej disa shekujsh, ndërsa Amerika në këto 80 vitet e fundit.
A është e rrezikshme? Absolutisht që po.
Kështu ndodhi në Shtator 1939, pas një periudhe të qetë. Për një mosmarrëveshje të rastit, shpërtheu ajo që ishte planifikuar në Paris më 1919. Konferenca e Parisit quhet, edhe sot, gabimisht, Konferenca e paqes, kur në fakt ajo ishte totalisht një dështim dhe ishte pikërisht ajo Konferencë që krijoi kushtet politike për të shpërthyer Lufta e Dytë edhe më shkatërrimtare se sa e para.
Në këtë konferencë, Danzig (Gdansk-u i sotëm në Poloni), qytet dhe port i rëndësishëm Prusian, u vendos që të mos i përkiste asnjë shteti, por të ishte një protektorat ndëkombëtar, me një guvernator që do të përzgjidhej nga Liga e Kombeve dhe pas një periudhe 20 vjeçare të organizohej një referendum ku popullsia vendase të vendoste të qëndronte protektorat, t’i rikthehej Gjermanisë, apo t’i jepej Polonisë.
Të gjithë ranë dakord, Franca, Britania e Madhe, USA, Polonia, Gjermani etj. Kur u përgatit harta, Franca, tinëzisht (si “gabimisht”) e futi Danzig brenda kufirit polak.
Hitleri nxorri marrëveshjen dhe kërkoi që kjo marrëveshje të zbatohej, pra Danzig të kthehej në Protektorat dhe pas 20 vjetësh të zhvillohej referendumi. Britanikët e mbështetën plotësisht.
Kryeministri polak, Beck, i mashtroi anglezët, se ai ishte gati për një marrëveshje me Hitlerin dhe se të tre vendet po diskutonin për një pakt gjermano-polak kundër BRSS.
Situata në Ukrainë është edhe më e komplikuar se Danzig-u.
Çfarë kërkojnë rusët?
Ata duan siguri. I trëmben zgjerimit të NATO-s në Ukrainë. Rusët e dinë, se edhe pse janë fuqi shumë e madhe ushtarake dhe bërthamore, ata nuk mund të përballojnë një luftë të madhe, as financiarisht, as ushtarakisht dhe as politikisht.
Historia e 120 viteve të fundit u ka treguar atyre se ata nuk mund të fitojnë asgjë. Ata thyen hundët nga Japonia më 1905, nga Gjermania 1914-1917, me të cilën firmosën edhe Paqen e Brest-Litovskit, që ishte nënshtrim i plotë ndaj Gjermanisë, u thyen keqas në Afghanistan më 1989 dhe prej atje dolen16 shtete, ndërsa kishin hyrë si BRSS.
Pra Rusët nuk kanë asgjë për t’u krenuar ushtarakisht kur janë pa aleatë perëndimorë. Këtë e di edhe Putini, prandaj ai nuk guxon të shpërthejë ndonjë luftë. Por ai do të ngrejë tensione për t’u marrë në konsideratë shqetësimet ruse.
Rusia është përdorur historikisht nga anglo-sanksonët si mish për top dhe ata kanë punuar si mercenarë të tyre, kur Anglo-Amerikanët kanë pasur nevojë për ta dhe kështu kanë arritur të ndajnë trofenë e fitores.
Kur Franca Napoleoniane u bë rrezik real për Britaninë, me embargon e famshme kontinentale, kjo e fundit pagoi për 20 vjet Rusinë, që ajo të ndeshej me Francën. Në pothuajse të gjitha ndeshjet ushtarake, rusët humbën përballë Napoleonit dhe po të mos kishte qënë dimri rus, ndoshta sot, nuk do të flitej më për Rusi. Vetëm kur Franca u konsumua, vetëm atëherë anglezët i dolën përballë në Waterloo.
Kur karburanti u bë mjet kryesor i zhvillimit dhe vendet naftë mbajtëse ishin në Perandorinë Osmane, Britanikëve i lindi nevoja të punësojnë përsëri rusët dhe pas disa dekadash luftrash ruso-turke, Britanikët arritën të kapin Lindjen e Mesme dhe që nga ajo kohë, as Lindja e Mesme dhe as bota nuk po gjen ekuilibër, qetësi dhe paqe.
Kur Gjermania hitleriane, kapi të gjithë Europën pa asnjë luftë, Britanikët u detyruan t’i puthin dorën Stalinit, që ai të përdorë rusët si mish për top, duke përfituar ndihma të jashtëzakonshme ekonomike, teknologjikedhe ushqimore nga USA, e kështu së bashku, të mundnin Gjermaninë.
Pra rusët mund të fitojnë vetëm kur janë në shërbim të anglo-saksonëve dhe thyejnë hundët kur nuk janë në krahun e tyre.
Ndërkohë që e kanë përdorur sa herë që kanë pasur nevojë Rusinë, anglo-sanksonët e kanë shkelur me këmbë sapo nevoja e tyre është përmbushur, bile e kanë shpallur edhe armike kur nuk kanë pasur një të tillë.
Anglo-saksonët degradojnë kur nuk kanë një armik. Dhe kur nuk kanë i kthehen Rusisë që të luajë atë rol.
Shikojeni se sa ka degraduar USA pas fitores së Luftës së Ftohtë. Është e paimagjinueshme në kohën e Reganit, Niksonit, Kenedit apo Aizenhauerit që diplomacia amerikane të binte në nivelin e Waren Cristopher, John Kerry, Albraight apo Blinken.
Kështu që anglo-saksonët kanë nevojë për një luftë. Lobi i armatimit është një bishë e pangopshme. Atij i duhen vende të reja në NATO, sepse çdo vend i ri në organizatë, duhet të shkatërrojë armatimin ekzistues dhe të armatoset me atë që prodhon sot ky lob. Prandaj i duhet anëtarësimi i Ukrainës, se nga ana strategjike anëtarësimi i saj në NATO nuk ka absolutisht asnjë vlerë të shtuar.
Nga ana tjetër, USA i duhet një fitore ushtarake, se që pas çlirimit të Kosovës, që ishte e vetmja luftë e drejtë që bënte USA, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë (luftë që e fitoi bindshëm dhe shpejt sepse kishte moral për të luftuar dhe fituar), USA ka dështuar turpërisht në Afganistan dhe ashtu si edhe Rusia, nuk ka korrur asnjë fitore ushtarake në Azi. Edhe atë kundër Japonisë më 1945, e fitoi me armatim bërthamor, duke kryer edhe një krim kundër njerezimit.
Një fitore ushtarake ndaj Rusisë është e lehtë dhe e arritshme. Prandaj edhe ka interes që ta shpërthejë.
A do ia japë Putini atë mundësi?
Logjikisht jo, se ai e di që do të jetë shkatërrimtare për Rusinë dhe ndoshta edhe copëtim i saj i mëtejshëm, por as Putini nuk i ka gjërat totalisht në kontroll dhe mund t’i dalë krejt pa pritur një “Danzig” dhe tragjedia mund të shpërthejë.
Një luftë në Ukrainë do të krijonte një zinxhir të pakontrollueshëm dhe Lufta e Tretë Botërore, që unë druhem se është në prag, do të ishte eksponencialisht më shkatërruese se dy të parat të marra së bashku.
Uroj që Kongresi Amerikan të rrisë kontrollin mbi Administratën e Biden, se vetë ky ka nevojë për një kontrollues.
©Hajro Çini










