Ukraina, Rusia dhe aleanca e SHBA me Gjermaninë - Nga Hajro Çini
“Njerëzit nuk zënë mënd kurrë, mësimet nuk do t’iu hyjnë asnjëherë në punë!”, u shpreh Napoleoni kur i vjehrri i tij, Perandori i Austro-Hungarisë, shkeli marrëveshjen e radhës, (shumë poshtëruese), që ai kishte bërë me Napoleonin kur kishte humbur luftën. Pas çdo disfate me Napoleonin, Austro-Hungaria humbiste gjysmën e territorit që i kishte mbetur, por përsëri i hynte aventurës.
Mu kujtua sot kjo thënie e Napoleonit, tek shikoj i trishtuar ndërhyrjen brutale ruse në Ukrainë.
Kjo që po ndodh është dështim total i diplomacisë botërore, si dhe i llogaritjeve të gabuara, mëndjeshkurtra, sipas interesave të çastit të fuqive të mëdha.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, deri para vitit 1913, që në një shekull, bota të përfshihej në dy luftra botërore. Luftrat janë pjesë dhe bashkëudhëtare të njerëzimit, por ato nuk kanë qënë të asaj shkalle, aq të mëdha dhe aq shfarosëse sa ato që u bënë në shekullin e 20-të, veç një periudhe të shkurtër të sundimit të Xhenxhis Khanit.
Normalisht duheshin nxjerrë mësime, por si duket njerëzimi nuk nxjerr.
Në të dy luftrat e mëdha, një nga lojtarët kryesorë ka qënë Rusia, në aleancë me Anglo-Saksonët dhe Francezët dhe në antagonizëm me Gjermaninë.
Të dy luftrat kanë filluar në Ballkan, e para me vrasjen e princit të kurorës së Austro-Hungarisë në Sarajevo dhe e dyta, edhe pse zyrtarisht iu faturua Gjermanisë në Poloni, kur Britania e Madhe dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë (dhe jo anasjelltas), siç duan ta keqinterpretojnë fituesit të vërtetën, nisi më 7 prill 1939 me pushtimin kriminal të Shqipërisë.
Ballkani u konsiderua për më shumë se një shekull “fuçi baruti”. Nuk kishte qënë i tillë për më shumë se 20 shekuj, bile që nga fillimet e historisë njerëzore. Sipas historianit dhe shkollarit britanik Lord Kinross, Ballkani u shndërrua si i tillë si rezultat i rënies së Perandorisë Osmane dhe rritjes së Perandorisë Ruse. (Vini re, rritjes së Perandorisë Ruse!)
Që në fillimet e veta Rusia ka qënë një shtet shumë agresiv dhe shovinist, fqinjët e të cilit kanë vuajtur vazhdimisht. Por rusët kanë qënë rezultativë vetëm kur kanë qënë në aleancë (dhe mercenarë) të Anglo-Saksonëve. Kur nafta u bë një lënde shumë e rëndësishme për zhvillimin e kapitalizmit, britanikët punësuan rusët që luftonin kundër Perandorisë Osmane, që Britanikët (dhe Francezët) të kapnin burimet e arit të zi.
Kur Napoleoni ndërmori bllokadën kontinentale, sa për pak mbyti totalisht ekonominë britanike, Britanikët paguan përsëri rusët, të cilët luftuan (dhe humbën) për 20 vjet rrjesht, sa Franca u konsumua dhe Britanikët e hoqën Napoleonin në Waterloo. Po ashtu kur Rajhu tretë kapi të gjithë Europën. Britanikët punësua rusët.
Kjo aleancë dhe ky vasalitet i rusëve ndaj Anglo-Saksonëve i ka dhënë Rusisë avantazhe të mëdha. Rusia u rrit me sipërfaqen më të madhe që një shtet zotëron, dhe pas luftës së dytë doli edhe superfuqi, si dhe futi nën çadrën e saj edhe Europën Lindore. Pra kur kanë qënë në krah të anglo-skaksonëve kanë qënë përfitues të mëdhenj.
Mirëpo kur rusët i hyjnë aventurave pa mbështetjen anglo-saksone, ata dështojnë keqas, siç u ndodhi në Afganistan, nga ku hynë Superfuqi (BRSS) dhe dolën si minj të lagur dhe u shpërbënë në 16 shtete, një prej të cilave edhe Ukraina.
Rusët e patën për shumë dekada Ukrainën, por nuk e mbajtën dot.Atëherë pse po përpiqen ta rimarrin? Se nuk vënë mënd!
A do të jetë Ukraina Srebrenica e radhës? Lus Zotin të mos ndodhë!
Pse u arrit deri në këtë pikë?
Të gjithë gabuan, rusët të parët, amerikanët pas tyre. Pasi ngeli e vetmja superfuqi, në vënd që të ndërtonte një rend të qetë, të drejtë dhe të logjikshëm botëror, SHBA, e suksesshme në luftën e dytë kundër socializmit (nacional) si dhe në atë të ftohtë kunder socializmit (internacional), i hyri luftës për të zhdukur Islamin. Duke u shkëputur nga idealizmi, SHBA nuk e kuptoi se besimi është diçka shumë më e thellë, shumë më e lidhur me shpirtin e besimtarit se sa ideologjitë.
Natyrisht propaganda ishte shumë ndryshe nga qëllimet. Proklamohej liria dhe democracia, por që në fakt, shumë ndryshe.
SHBA nuk e kuptoi se nuk është lufta ajo që ndryshon botën, por urtësia dhe mënçuria. Duke hyrë në luftra të paprovokuara, për interesa okulte, dalëngadalë morali i ushtrisë gërryhej aq sa, të paktën në Azi, SHBA nuk ka fituar asnjë luftë, edhe pse ka që nga vitet 1960 që lufton atje. Të vetmen luftë të drejtë që SHBA ka bërë pas Luftës së Ftohtë është ajo e çlirimit të Kosovës, të cilën e fitoi brënda 78 ditësh. Kishte moral të ndërmerrej ajo luftë prandaj edhe rezultati ishte i shpejtë dhe i logjikshëm.
Ndërkohë që ndërhynte pa kriter dhe pa arsye kudo, po rriteshin, nën rrogoz, edhe dy fuqi të tjera, Kina dhe Rusia. Kjo e dyta bëhet haptazi agresive kur në Washington mbretëron mefshtësia.
Kur në pushtet ishte Karter, një njeri i ndershëm dhe paqësor, Brezhnjevin e gënjeu mëndja, dhe i hyri aventurës afgane, ku rusët dështuan me turp. Tani që në Washington është një president i plakur (nga mëndja), i mekur dhe pa vizion, Putinin, si Brezhnjevin e viteve 70, e gënjen mëndja se do të jetë triumfues.
Por dardha e ka bishtin prapa. Jam i sigurtë që ndërhyrja ruse në Ukrainë do ta shkundë SHBA. Jam i sigurtë se zgjedhjet e nëntorit në Kongres do të sjellin një frymë të re, progresiste, dhe se më 2024, amerikanët do të dalin me një president/e energjik/e, vizionar/e dhe Rusia do të paguajë siç pagoi pas aventurës kriminale afgane.
Por që suksesi amerikan të jetë i shpejtë dhe i plotë, SHBA duhet të shpartallojë korrupsionin që i ka zënë frymën.
Shpresoj se gjëndja e rënduar në Ukrainë, nuk do të shpërthejë, aksidentalisht, në një luftë botërore, sepse ajo do të ishte më e tmerrshme, më shkatërruese dhe më shfarosëse se dy të tjerat.
Por larg qoftë nëse shpërthen, do të jetë hera e parë që SHBA dhe Gjermania nuk do të jenë palë kundërshtare, dhe racionaliteti dhe logjika e ftohtë gjermane do të triumfojë dhe Rusia do të reduktohet në një fuqi të mesme rajonale, e parrezikshme për 2 ose 3 shekujt që do të pasojnë.
I druhem ndërkohë Kinës, sepse një supremaci e saj do të ishte mbytëse për botën, dhe shpresoj se aleanca Gjermani-SHBA do të vendosë një ekuilibër të qëndrueshëm pas këtij rreziku.
©Hajro Çini












