Emrat në zarfe për Presidentin si pyetja për lejimin e kanabisit - Nga Agim Baçi

Sipas filozofit francez Claude Lefort, një shoqëri nuk mund të flasë për vlerën e demokracisë nëse nuk arrin të bëjë dallimin mes reales dhe imagjinares, mes të vërtetës dhe të pavërtetës, mes të drejtës dhe të padrejtës, mes të ligjshmes dhe të ndaluarës, apo edhe mes normales dhe patologjikes. Por dallimi i tyre është sot i vështirë për shkak se gjuha e spektaklit dhe e konsumit arrin të krijojë një manipulim të tillë të realitetit, sa asnjë përfundim për këtë dallim nuk është i lehtë.
Mjafton të shohim spektaklin e zarfave që ka shpikur kryeministri Rama për zgjedhjen e kreut te ri të shtetit, për të kuptuar se jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe vetë bashkëpunëtorët e tij bëhen pjesë e një komunikimi qesharak dhe të gënjeshtërt, duke tentuar të krijojnë bindjen e një konsensusi popullor për Presidentin e ri.
Ky model është edhe një kurth i ri për opozitën, që është ende në kërkim të së vërtetës për veten, pasi e vë atë përballë presionit publik, një presion të cilin vetë Rama po e përgatit përmes “demokracisë së zarfit”. Dhe me shumë gjasë, pyetja që kërkon të ngrejë Rama pas këtij “modeli me zarfe” është shumë e thjeshtë: a mund të jetë opozita më e madhe se populli?
Në fakt, nëse do të ishte për një demokraci funksionale, z. Rama duhej të pyeste se çfarë mendojnë qytetarët për korrupsionin e qeverisjes së tij, a duan të qëndrojnë qytetarët nën këtë qeverisje, apo duan të largohen sa më parë nga Shqipëria, a arrijnë të përballojnë jetesën me çmimet që rriten përditë, a ndihen të barabartë përpara ligjit, etj., etj., pyetje pa fund që qytetarët kanë sa herë janë përballë zyrave ku marrin shërbimet. Por kjo s’mund të ndodhë, pasi procesi i “demokracisë me zarf” nuk synon aspak përfshirjen e mendimit të qytetarëve, por thjesht idenë se ata po marrin pjesë në një proces, i cili jo vetëm që nuk është as kushtetues por, në thelb, është shmangie e detyrimeve kushtetuese.
Ky proces, që duket si një vazhdë e procesit të Këshillimit Kombëtar, duket sikur synon të vendosë rolin e ri të Presidentit me të njëjtin rang me pyetjen për lejimin apo jo të përdorimit të kanabisit. Dhe në fund Rama kërkon të dehë publikun me avujt e propagandës së tij se, ata, qytetarët, ishin vendimtarë në njeriun që do të zgjidhet në krye të shtetit, dhe se nuk kish nevojë për ndonjë konsensus tjetër...
©Agim Baçi