Mbi debatin e kandidatëve për kreun e Partisë Konservatore Kanadeze - Nga Taulant Dedja
Të mërkurën 25 maj, në Laval pranë Montrealit, u zhvillua debati i dytë mes gjashtë kandidatëve për kryetar të Partisë Konservatore të Kanadasë: Pierre Poilievre, Jean Charest, Patrick Brown, Leslyn Lewis, Roman Baber dhe Scott Aitchison. Debati, i treti dhe i fundit pas atyre të Ottawa dhe të Edmonton, u zhvillua në frengjisht dhe u moderua nga ekonomisti dhe biznesmeni Marc-Olivier Fortin. Sipas rregullave të partisë kryesore opozitare, afati për të regjistruar anëtarë të rinj që do votojnë për kryetarin e ri ështe 3 qershori, ndërsa rezultatet e votimit do shpallen më 10 shtator në Ottawa.
Sigurisht të asistosh në një debat të tillë nuk është diçka e zakonshme, po të mendosh që fituesi i garës, në zgjedhjet e ardhshme do jetë kandidati për kryeministër i Kanadasë në krye të partisë që do synojë pas tre humbjesh radhazi të rikthehet në krye të qeverisjes, për herë të parë qysh nga viti 2015.

Për të qenë realist, më duhet të them se nisur nga karriera politike, vetëm dy nga gjashtë kandidatët aktualë e kanë vërtet staturën dhe eksperiencën për të pretenduar drejtimin e Konservatorëve dhe ndofta një ditë të qeverisë së Kanadasë. I pari, i konsideruar nga sondazhet si favorit i garës, Pierre Poilievre, deputet federal i Ottawa nga viti 2004, ka qenë Ministër Shteti për Institucionet Demokratike nga 2013 deri në 2015 dhe Ministër i Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Social në 2015, në kabinetin e Kryeministrit të fundit Konservator Stephen Harper. I dyti, Jean Charest, ish-Kryeministër i Québec (2003-2012), në vitet 1986-1993 ka qenë ministër e zv. kryeministër në qeveritë e Brian Mulroney dhe Kim Campbell. Gjithashtu kryetar për katër vjet i Partisë Progresiste Konservatore, pas zgjedhjeve të vitit 1993, kur në Dhomën e Komunave partia arriti të marrë vetëm 2 deputetë nga 295.
Theksoj që debati real, ashtu siç ishte paralajmëruar, jo vetëm për shkak të staturës, por edhe për shkak të bilinguizmit perfekt, u zhvillua mes Poilievre dhe Charest. Katër të tjerët, me një frengjishte nën nivelin bazik (për të mos thënë nivel i mjerueshëm) ishin më shumë dekor dhe lexonin më të shumtën e kohës tekste të parapërgatitur, që në disa raste nuk përputheshin as me pyetjen e moderatorit. Por duhet veçuar nga të katërt kryetari i Bashkisë Brampton, Patrick Brown, i cili që nga fillimi deri në fund, përpiqej pa kurrfarë etike t’i ndërpriste fjalën Pierre Poilievre. I njëjti Brown madje, në disa raste duartrokiste Jean Charest, kur edhe ky i fundit sulmonte deputetin e Ottawa. Kujtoj që në mars, një nga të përditshmet kryesore anglofone në Ontario, pat komentuar që ekziston një pakt i padeklaruar mbështetjeje mes Charest dhe Brown. Kjo gjithsesi mbetet për t’u provuar deri më 10 shtator…
Ndërkohë, salla ngjante me një pallat sporti, ku në të dy krahët ishin vendosur tifozët e dy ekipeve (Poilievre dhe Charest), që sipas rastit brohorisnin favoritin e tyre ose reagonin me fishkëllima apo thirrje pakënaqësie ndaj kundërshtarit të tij. Nuk patën fare efekt as thirrjet e vazhdueshme të moderatorit për të mbajtur qetësi. Gjithsesi kjo lloj atmosfere i dha gjallëri dhe deri diku ritëm debatit, që shpesh humbiste sensin për shkak të ushtrimit të mundimshëm në frengjisht të Lewis, Brown, Aitchison dhe Baber.
Temat kryesore për të cilat moderatori u drejtoi pyetje gjashtë kandidatëve ishin imigracioni, siguria publike dhe lufta kundër krimit të organizuar, ekonomia dhe inflacioni, shëndeti publik, gjuhët zyrtare dhe frengjishtja në Qubéc, pandemia dhe zinxhiri botëror i furnizimit, politika e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes.

Njëlloj si nga fillimi i fushatës për lidershipin konservator, në diskursin e Poilievre ka dominuar ideja e lirisë dhe të drejtave qytetare, të cënuara nga kufizimet e qeverisë Liberale gjatë pandemisë si dhe ekonomia, sidomos fuqia blerëse, që për shkak të inflacionit është prekur seriozisht. Oratoria e tij, stili i drejpërdrejtë dhe pa stërhollime kanë dalë sërish në pah, sikurse dhe qetësia dhe vetkontrolli në reagimet ndaj sulmeve të konkurenteve, të cilët pa përjashtim e sulmonin gjatë gjithë kohës, pa arritur në asnjë rast ta destabilizojnë. Përkundrazi, në çdo reagim ai arriti ta përcjellë qartë mesazhin e tij, për çdo temë. Stili i diskursit të tij kam përshtypjen se po tërheq gjithnjë e më shumë të rinjtë dhe atë pjesë të qytetarëve të zhgënjyer nga stili politik tradicional, por edhe kanadezët me origjinë nga vendet europiane ish-komuniste, të ndjeshëm ndaj standardeve të lirive politike dhe ekonomike.
Sa i takon Charest, edhe pse nuk mund t’i mohoet talenti shumë i spikatur si orator, duhet theksuar që e vetmja referencë me të cilën ai u përpoq të argumentojë pse duhet të jetë kreu i ardhshëm i Partisë Konservatore, ishte periudha si lider i Liberalëve dhe kryeministër i Québec. Po të kujtosh faktin që partia e sotme Konservatore nuk është ajo e vitit 1997, që Charest e braktisi për t’u konvertuar në liberal, vështirë të mendosh se ai do jetë në gjendje, pas gati 25 viteve larg saj, të bindë militantët nga një oqean në tjetrin për ta votuar si kryetar. Pa folur për faktin që, edhe pse Komisioni “Charboneau” e “lau” nga akuzat për korrupsion, imazhi i qeverisjes së tij në këtë aspekt mbetet gjithmonë i dyshimtë dhe i atakueshëm. Ndërkohë, Poilievre i ka kujtuar atij dhe faktin që asnjëherë nuk ka bërë publikë kushtet e kontratës së tij me gjigandin kinez të telekomunikacionit Huawei, kompani të cilës iu mbyll dera përfundimisht nga qeveria kanadeze për arsye të sigurisë kombëtare.
Pas edhe gati një jave në dispozicion për të rekrutuar anëtarë të rinj për secilin kandidat, do duhet pritur 10 shtatori për të mësuar emrin e fituesit të garës për kryetar. Nëse Poilievre ka tashmë avantazhin e mbështetjes së një numri deputetësh trefish më të madh se Charest, apo edhe të disa figurave të rëndësishme të partisë, përfshi dhe ish-kryetarin Andrew Scheer, Jean Charest nga ana e tij e mbështet shpresën tek fakti që kryetari mund të mos zgjidhet që në raundin e parë dhe ai mund të përfitojë nga formula e votimit, që secilit votues i jep mundësine të përcaktojë një emër si alternativë të dytë apo të tretë, pas kandidatit të tij të preferuar.

Pas tre humbjesh radhazi në zgjedhjet federale, pas dy kryetarësh të larguar për shkak të humbjeve dhe me një pjesë të elektoratit të tërhequr nga partia e Maxime Bernier, Konservatorët nuk e kanë më luksin të vazhdojnë të gjenerojnë sherre të brendshme. Në domosdoshmërinë e zgjedhjes së kandidatit më të aftë për të mundur Liberalët e Trudeau në ballafaqimin e ardhshëm përballë elektoratit kanadez, balanca duhet të shkojë në favor të atij që plotëson në shkallën më të lartë cilësitë dhe kriteret e një fituesi dhe figure që bashkon në shkallë sa me optimale sensibilitetet dhe rrymat brenda Partisë Konservatore dhe garanton të marrë shumë deputetë në Ontario, provincën nga varet fati i fituesit.
Sipas meje, deri tani, kjo balancë shkon dukshëm në favor të karizmatikut Pierre Poilievre. Si imigrant i brezit të parë nga një vend ish-komunist, i zhgënjyer totalisht nga qeverisja aktuale e kryeministrit Trudeau, e kaluara e Jean Charest dhe diskursi i tij i ricikluar nuk më ngjall asnjë shpresë.
©Taulant Dedja
Fotot: Flasshqip; Radio-Canada/Ivanoh Demers










