Kolumnist

Folklorizëm me shqiptarë e ndërkombëtarë - Nga Ndue Dedaj

1.

Dikur i këndohej Partisë së Punës si të ishte një hyjni e zbritur nga qielli në tokë, “Lum e lum për këtë parti”, duke i blatuar asaj gjithçka, a thua se më përpara nuk kishte ekzistuar as dielli e hëna. Por nuk ka reshtur ky zakon i mbrapshtë as në demokraci, këtu dhe në Kosovë, ku udhëheqësit janë vënë në këngë si kreshnikët e motmoteve. Mos e beso po deshe!

Kënga e fundit kësodore i përket një grupi polifonik lab, që i këndoi këto ditë qeverisë për hapjen e rrugës së re Kardhiq-Delvinë. Siç mund të merret me mend, udhëheqësit janë “male mbi male”, që kanë emra: Damjani, Balluku dhe “kreu i qeverisë”, Edi Rama. Doemos që kjo këngë e kënduar te tuneli i Skërficës nuk kaloi pa u fshikulluar në rrjetet sociale, se si është e mundur që në shekullin XXI një grup popullor gjen si personazhe për t’u kënduar pikërisht qeveritarët, edhe sikur ata të mos ishin të përfolur bash për këtë rrugë, për rritjen e kostos së saj me 20 milionë euro. Në këtë stil emfatik prit kur t’iu këndohet nesër të gjithë ministrave, kryebashkiakëve, si heronj të kësaj kohe.

Nga një tjetër vështrim, përpos nevojës për vota, si mund të jetë ndjerë Kryeministri, një piktor modernist, para një shfaqje folklorike, ku ai lavdërohej si të ishte ndonjë princ mesjetar? Vetëm pak ditë më parë ai kishte ecur krah për krah me Presidentin amerikan në samitin e NATO-s në Spanjë dhe a mund të përfytyrohet që atje t’iu kishte dalë përpara ndonjë grup folklorik për t’iu thurur lavde rapsodike udhëheqësve të botës? Assesi jo, vetëm nëse do të kishte qëlluar dikush nga ne me kostum popullor e mendësi të një shekulli më parë.

2.

Ka qenë një tjetër traditë në të shkuarën, krerët zakonisht nuk këndoheshin, por viheshin “n’arshikë” (këngë satirike), ku në anët e Veriut është e njohur njëra sosh e viteve ‘30, që vë në lojë krerët e një krahinë për një magjar të ngordhur, çka mund të thuhet se ka qenë dhe “estrada” e atyre kohëve, ku satira ishte e taksur për ata që shkonin majë kalit.

Ashtu si ndaj udhëheqësisë sonë folklorizante, e kemi dëshmuar me kohë adhurimin deri në përulësi, o për një fuqi të huaj, o për një tjetër, bile dhe me rapsodi të forta patetike, me tund malet e detet. Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina. Për hatër të Moskës e Beogradit kemi bërë kurbane politikë në Tiranë pas Luftës së Dytë Botërore, por jo dhe me Pekinin. Pastaj i kemi sharë e na kanë sharë me vite, në kongrese, gazeta e festivale. Me të njëjtën patetikë rapsodike e patëm sulmuar gjatë gjysmë shekullit komunist dhe Amerikën, “xhandarin ndërkombëtar të popujve”, nuk ia patëm falur vëllait tonë të madh kinez rrëshqitjen në imperializëm me vizitën e Niksonit në Kinë etj.

Paçka indoktrinimit tonë, Amerika nuk ishte djalli i zi, siç e paraqiste agjitpropi dhe folklori shqiptar i kohës. Kanë ndryshuar kohët, partnerët strategjikë janë të tjerë. Shqipëria nuk ka krahasim me të kaluarën në rrafshin gjeopolitik, ama zakonin e vjetër të adhurimit të të mëdhenjve nuk e kemi harruar. Rapsodizmi, si lavdërues, si sharës, është shprehje e inferioritetit të njërit karshi tjetrit, të dobëtit ndaj të fortit, të voglit ndaj të madhit etj., por mes njerëzish të barabartë apo partnerësh ndërkombëtarë askush nuk duhet të ndihet inferior.

Edhe sot nuk mjaftohemi me folklorizmin mes nesh, por përfshijmë pa lidhje dhe të tjerë, shtete, qeveri, superfuqi, individë. Duke dashur të vënë në dukje rolin e madh që kanë SHBA-të në botë, ka nga ata që arrijnë deri aty sa të thonë: “Zoti në qiell e Amerika në tokë”. Sado intriguese artistikisht, kjo amerikanët nuk i sugjestionon aspak, pasi ata vërtetë kanë dërguar në Hënë astronautë, por vetë janë me këmbët në tokë. Çalon çdo krahasim, por sidomos kur krahasohet diçka qiellore me “gjegjësen” e vet tokësore.

Duke qenë vlerësues për qeverinë dhe popullin amerikan, rolin vendimtar të Presidentit Willson në mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes, hapjen e shkollave teknike, përkrahjen e proceseve demokratike në 90-n, misionin e madh të SHBA-ve për çlirimin e Kosovës, reformën në Drejtësi e gjithçka tjetër në dobi të shqiptarëve, na duken pa vend folklorizmat e mësipërm. Tingëllon folklorike dhe ajo çka jemi vetëquajtur apo na kanë quajtur të tjerët si populli më proamerikan në rajon, a thua se kjo është një medalje që ne e kemi prej ari e të tjerët e kanë prej bronzi.

Shqiptari është dalluar për kodin e mikut dhe nuk ndodhte asnjëherë që ai t’i thurte lavde mikut në sy. Një gjë e tillë, në mos e shëmtuar, ishte e pabukur. Amerikanët i dinë ndjenjat e sinqerta të shqiptarëve me kohë, pasi Amerika ishte bërë e afërt përmes emigrantëve të shumtë ekonomikë e më pas politikë, që kishin gjetur liri, strehë dhe punë atje. Më mirë se askush mirënjohjen për këtë e kanë shprehur Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi e të tjerë shqiptarë të mëdhenj që jo vetën jetuan në Amerikë si qytetarë elitarë e diplomatë, por bënë emër atje në gjysmën e parë të shekullit XX.

Amerika nuk ishte e largët as për njeriun e thjeshtë të maleve shqiptare. Në vitin 1929, një grua e moshuar mirditase, në kullën e saj në Blinisht, e pyet të shoqen e antropologut amerikan Carleton Coon, se sa larg ishte Amerika prej Mirdite, a kishte male Amerika si Mirdita etj. Kur zonja i tregoi fotografinë e djalit të saj foshnjë, plaka u habit se si e kishte lënë vetëm, shkoi tek arka e teshave, nxori një kokërr mollë dhe ia dha zonjës që kur të kthehej t’ia jepte djalit. Të mëdhenj e të vegjël në atë odë malesh dëgjonin me kureshtje për punët e Amerikës. Këtë episod të thjeshtë, por mjaft domethënës, qëmtuar nga një libër i atyre viteve, e sollëm për të thënë se kjo ka qenë tradita jonë e fisme ndaj mikut, “një kokërr mollë” bujarisht dhe jo teprimet me gjeste e fjalë.

Dinjiteti është gjëja e parë që të vjen ndër mend, çka shqiptarë e amerikanë e kanë treguar herët e vonë mes tyre. Është e tepërt çdo fjalë përderisa rrallë familje shqiptare nuk ka sot në Amerikë o vajzën, o djalin, o vëllain, o motrën, o të gjithë së bashku. Ky realitet njerëzor e politik nuk lë shteg për rapsodizëm. Neve na duhet Amerika, por dhe ne i duhemi Amerikës, përderisa na begenis, si në vendin tonë, si në vendin e vet. Jemi miq, partnerë, bashkëpunues, po jo çdo gjë që sugjerohet nga matanë Atlantikut, mund të jetë e përshtatshme për ne, siç qe propozimi për të sjellë këtu armët kimike për t’i shkatërruar, çka shkaktoi protestën e të rinjve në sheshin “Skënderbej”.

Këto janë gjëra normale mes vendeve dhe shteteve. Sot i tregojmë Amerikës jo vetëm problemet tona të integrimit euro-atlantik, për çka kemi pasur gjithmonë mbështetjen e pakursyer të saj, po dhe “hasmin” politik të brendshëm dhe ajo na thotë se kush është i mirë e kush i keq këtu ndër ne, kush është “non grata”, që i duhet hequr viza njëherë e përgjithmonë e kush mund të qeverisë dhe tri mandate pa i hyrë ferrë në këmbë, paçka abuzimit me qeverisjen, korrupsionit të ministrave që kanë përfunduar në SPAK etj. Të paktën ky është perceptimi publik, paçka se përgjigja diplomatike është gati: “Se kë nxjerrin në krye shqiptarët, ky është problemi i tyre”.

Doktor Berisha mund të duket jashtë kohe për rimarrjen e drejtimit të PD-së, por qeveria amerikane nuk ka mundur t’i bindë demokratët e shumtë që e mbështesin në rithemelimin e saj, për përfshirjen e tij në afera korruptive. Kurse Berisha, nga ana e tij, ka shpallur “armik” një biznesmen e filantrop të shquar amerikan, Xhorxh Sorosin, duke ia numëruar “paudhësitë” e tij në Shqipëri dhe Europën Lindore e folur për soroistë si për djaj.

3.

Ka mbi tridhjetë vite që Europën e shohim si yllin e karvanit, ama kemi pasur raste shfrimesh të pazakonta kundër saj, gjer nga një poet i madh si At Gjergj Fishta, ku ende ia kujtojmë atë vargun e tij të “famshëm” ndaj Europës, si shprehje e revoltës në një çast kritik ekzistencial për Shqipërinë e fillimeve të shekullit XX. Ka nisur të ketë një shikim kritik ndaj BE-së nga qeveritarët tanë, për mos-hapjen e dyerve Shqipërisë dhe zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor.

Nëse rrimë brenda metaforës së “detyrave të shtëpisë”, siç është artikuluar nga zyrtarë të lartë europianë, ti si “mësues” nuk mund të japësh detyra pa fund deri në 130 mijë faqe për dikë që e sheh si “nxënës”, e të mos e vlerësosh me notë pozitive asnjëherë?! Nëse ai vjen pa i plotësuar ato pikat, paragrafët nga njëshi te dhjeta, njëzeta a njëqinda, kohë pas kohe, është dhe përgjegjësia jote si “mësues”, që nuk ke gjetur një strategji më të mirë të integrimit.

Standardet e shumëtrumbetuar kanë vlerë kur nuk kthehen në bumerang ndaj tjetrit. Por, krahas kritikës ndaj udhëheqësve të Europës për shtyrjen e pamotivuar disa herë të çeljes së negociatave, duhen thënë dhe mangësitë e tua keq-qeverisëse, por dihet që këto të fundit të kushtojnë pushtetin.

Shqiptarët çdo 9 Maj kremtojnë Ditën e Europës, sepse ajo u përket dhe atyre si europianë që janë, mirëpo ata do të dëshironin që këtë ta bënin si anëtarë të bashkësisë europiane dhe jo vetëm si bashkëkontinentas me europianet e BE-së. Europa dhe Shqipëria kanë një rrugëtim të përbashkët historik, për keq dhe për mirë (por pa qenë gjithnjë bashkë “në të mirë e në të keq”), europianët me shqiptarët i lidhin ngjarje të mëdha historike, si dhe personazhe të papërsëritshëm të albanologjisë, dijetarë si Edith Durham, që i lartësoi shqiptarët para botës në fillimet e shekullit XX, duke jetuar dhe vetë mes tyre.

Shembujt e humanizmit europian ndaj shqiptarëve janë të panumërt, por do të mjaftonte për ilustrim roli i protektkultit austriak, që hapi shkollat e Rilindjes, botoi librat shkollorë shqip, arsimoi shqiptarët në universitetet e Austrisë, duke çelur ravën e krijimit të shtetit shqiptar etj. Atëherë si është e mundur që ato projekte të një kohe të vështirë u përmbushën me sukses, teksa zgjerimi i BE-së drejt të vetëve, një projekt në radhë të parë i vetë Europës, nuk po realizohet?

Para njëqind vjetësh Amerika vë veton për moscopëtimin e Shqipërisë, kurse sot Bullgaria vë veton për mosanëtarësimin e një vendi tjetër, Maqedonisë së Veriut, për shkak problemesh dypalëshe, duke u bërë pengesë dhe për ne. Kjo është demokracia dhe drejtësia e kontinentit ku rrojmë? Siç shihet në problematika të tilla europiane ka vend për analizë e reflektim të dyanshëm dhe as për paragjykim, as për rapsodizëm.

Folklorizmi ynë i sotëm politik është i përzier dhe me njëfarë tallavaje patriotike. Kur u bë Abazoviç Kryeministër i Malit të Zi, rrjetet sociale gjëmuan, duke bërë fjalë tashmë për tre kryeministra shqiptarë në rajon, bashkë me Ramën e Kurtin, bile u lakua si “shqiptar” me origjinë arbëreshe dhe Kryeministri i Australisë, a thua se shteti i vogël fqinj dhe ai tjetri shumë larg nesh nuk ishin nisur për të zgjedhur kreun e vet të qeverisë, por enkas një shqiptar, për të na bërë qejfin neve. Doemos çdo hap drejt afirmimit të elitës shqiptare politike, kulturore në vendet e banuara dhe nga shqiptarë etnikë është një gëzim i natyrshëm i neve këndej, por kjo nuk ka nevojë të përcillet me slogane “folklorike” kinse atdhetare.

***

Po bëhet një shekull qysh kur ajo nëna e moshuar nxori nga arka kokrrën e mollës, që do të kalonte muaj nëpër dete për të mbërritur tek ai djali i vogël amerikan, që ajo nuk do ta njihte kurrë. Dhe sado të zgjaste kthimi i antropologut të njohur dhe të shoqes, ajo mollë me siguri nuk do të kalbej. Gjestet e miradijes janë shprehje e qytetarisë së ndërsjellë, ku ti je ti, e ai është ai dhe jo njëri diell e tjetri hënë.

Na kanë mbetur në mendje pamjet e marshimit festiv të shqiptarëve të Amerikës në Nju Jork më 13 qershor. Asgjë rapsodike në atë shpalim, pasi shqiptarët atje mendojnë dhe sillen si amerikanë, për të cilët folklorizmi është i tejkaluar.

Amerikanë e europianë të respektojnë vetëm nëse ti di të nderosh vendin tënd dhe bën gjënë e duhur për promovimin e vlerave të tij tradicionale dhe bashkëkohore. Atëherë ata bëhen pjesë e valles tënde shqiptare në rrugët e Nju Jorkut e kudo tjetër.

©Ndue Dedaj – Panorama.