Për hixhabin arab dhe shaminë shqiptare - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Një vajzë apo grua gëzon (ose duhet të gëzojë) lirinë dhe të drejtën e zgjedhjes për të mbuluar e dekoruar kokën e saj jo vetëm për arsye rehatie apo stili, por edhe feje. Unë prej vitesh kam mbajtur flokë të gjatë dhe i kam mbuluar e zbukuruar ato me aksesorë të ndryshëm, përfshirë këtu shami, shall, kapele, kapuç, rreth, etj. Përdorimi i këtyre aksesorëve ka qenë në varësi të motit dhe zhvillimit të ndjenjës sime estetike. Ndërsa një mikesha ime muslimane që prej moshës 18 vjeçare kur filloi studimet universitare, i ka mbuluar flokët e saj me një lloj shamie që ajo e quan hixhab, shami të cilat i ka të ngjyrave të ndryshme. Pra koka ime, zgjedhja ime përsa kohë jemi në moshë madhore.
Mbulesa e kokës apo gjithë trupit kthehet në një problem në gjykimin tim kur ajo u diktohet vajzave shqiptare, anëtare të familjeve besimtare, që në momentin kur zhvillimi i tyre biologjik u jep sinjalet e para të përfundimit të fëmijërisë. Kam theksuar fjalën diktohet dhe zhvillim biologjik, pasi kam dyshimet e mia që adoleshentet në Shqipëri apo Kosovë mezi presin të mbulohen kokë e këmbë me veshje si ato të para 1400 viteve, të cilat me siguri nuk janë stiluar duke patur në mendje multikulturalizmin e sotëm dhe as dëshirat apo të drejtat e vajzave e grave, dhe gjithashtu dua të nënvizoj se vetëm biologjia nuk mjafton për të përcaktuar momentin e ndryshimeve të stadeve të zhvillimit të njeriut.
Megjithatë, duke u ndodhur para faktit që shumë shqiptarë i përkasin besimit islam dhe mirë apo keq e praktikojnë atë, do doja të dija se pse nuk është krijuar një degë shqiptare e besimit islam, në kuptimin e përshtatjes së praktikave me kulturën, zakonet dhe traditat shqiptare, pasi mesa di unë falja, ritualet dhe veshjet janë kryesisht me baza arabe.(pavarësisht se islami ka degë të ndryshme me përqëndrime kryesisht në Arabi, Egjipt, Iran, Irak, Indonezi, Turqi, Afrikë etj).
Dikush mund të thotë se feja nuk është statut partie që të ndryshojë sipas oreksit të anëtarësisë dhe kryetarëve. Por a nuk është ekzistenca e degëve të ndryshme të të gjitha besimeve, përfshirë këtu islamin dëshmi që doktrinat shkruhen e rishkruhen, riformulohen e përshtaten? A është besimi në shërbim e në funksion të paqes, dashurisë dhe zhvillimit shpirtëror të njerëzve? Sado naive t’ju duket, pse mos të ketë dhe një version shqiptar të islamit?
Jam kurioze të di nëse janë pyetur ndonjëherë vajzat e gratë muslimane shqiptare se si i duan simbolet e besimit që praktikojnë, në ç’moshë preferojnë të mbulohen dhe në ç’momente duan ta përdorin shaminë? Apo për interesa politike e ekonomike e zgjidhje dritëshkurtra u janë ofruar zakone të gatshme e veshje arabe që opresojnë jo vetëm identitetin personal por edhe atë kombëtar të gruas shqiptare. Pasi burka, nikabi, hixhabi, khimar, chadori apo al-amira janë veshje të bazuara në kulturën e vendeve islamike dhe është mungesë vizioni e origjinaliteti, ofendim për kulturën dhe traditat shqiptare, akulturim do të thoshin ekspertët, që ato të përvetësohen nga gratë muslimane shqiptare.
Ndoshta sot një pjesë e vajzave muslimane mund të duan të përdorin vetëm shaminë gjatë ritualeve fetare sipas stilit të tyre dhe jo siç ua dikton rregullorja e përkthyer gjuhë pas gjuhe, dhe e pa përshtatur me realitetin. Të tjera gra mund të dëshirojnë të stilojnë një veshje të posaçme për t’u falur në përputhje me modelet e kostumeve kombëtare. Disa mundet thjesht të duan të jenë të zhveshura nga simbolikat e kornizave, të lira për t’iu falur shqip Zotit me çdo lloj veshje e dekorimi në kokë a trup, duke besuar se Zoti është dashuri dhe dashuria është pa kushte.
Unë nuk gjykoj askënd në zgjedhjet që bën në jetë, pasi jam e vetëdijshme se zgjedhjet apo mendimet e mia nuk mbajnë pushtetin e të drejtës dhe të mirës. Objekt i gjykimit tim janë “të tjerët”. Me të tjerët nënkuptoj rregullat, politikat, kushtëzimet që u imponohen vajzave e grave shqiptare në emër të besimit, i cili shpeshherë është vërejtur të ketë lulëzuar në oborret e varfërisë dhe varësisë ekonomike, politike, kulturore, sociale e intelektuale.
Klerikët fetarë argumentojnë se mbulesa e grave është obligim. Dakord nëse ky obligim ka konsentin e palëve të përfshira dhe ky konsent është dhënë me vullnet të lirë dhe palët vlerësohen të kenë kapacitetin e mjaftueshëm intelektual për të marrë vendime, sidomos kur kemi të bëjmë me rastet e të miturve dhe të rinjve që nuk kanë fituar ende pavarësinë nga familja.
Organizata të besimit islam në Kosovë po kërkojnë lejimin e shamisë në ciklet e arsimit të detyruar, domethënë para moshës 18-vjeç. Kryeministri Kurti jep ok për shaminë duke filluar nga mosha 16 vjeçare, duke tentuar tkurrjen e debatit në kritere numërore.
Por në vend që organizatat islamike dhe politikanët të përdorin të drejtën për arsimim dhe lirinë e besimit fetar për të përparuar agjendat e tyre, mirë do të ishte t’u hapnin dyert ideve mbi modernizimin dhe përshtatjen e besimit islam me psikologjinë dhe etnografinë shqiptare.
©JetaDedja/Flasshqip.ca










