Kolumnist

Me fitoren e Pierre Poilievre Canada is back again - Nga Taulant Dedja

Taulant Dedja - Chambly, Québec

Në 15 vitet e mia si imigrant i brezit të parë në Kanada, është hera e parë që emocionohem nga fjalimi i një politikani. Fjalimi i mbrëmshëm i Pierre Poilievre, pas fitores në garën për kryetar të Partisë Konservatore Kanadeze, sipas meje, ishte historik. Sigurisht unë nuk mund ta parashikoj sot se ç’do të bëjë ai në të ardhmen, por ajo që mund të them me bindje, është se rrugëtimi i tij dhe i familjes së tij është simboli i Kanadasë reale, sikurse dhe fitorja ishte spektakolare, pas një fushate gjithashtu spektakolare cep më cep të vendit. Po kështu, ishte hera e parë në jetën time, që votoja në një proces një anëtar një votë për zgjedhjen e një lideri partie dhe sigurisht kënaqësia që ndjeva nga rezultati ishte e dyfishtë.

Me shifrat e djeshme dhe mbylljen e procesit që në raundin e parë krejt në mënyre të qartë, ndryshe nga dy herët e fundit, kur u zgjodhën Andrew Scheer dhe Erin O’Toole (për të cilët kam gjithashtu simpati të veçantë si njerëz që kanë çarë përpara me forcat e tyre) Konservatorët kanadezë dëshmuan se janë të bashkuar. Pierre Poilievre fitoi në gjithë Kanadane, 330 nga 338 zona dhe në veçanti 73 nga 78 zona në Québec. I fundit që duhet t'i bashkohej kësaj fitoreje, Jean Charest, duket se iu bashkua dje me deklaratën që bëri. Fitorja e Pierre Poilievre është madje më e madhe se fitorja e ish-kryeministrit Stephen Harper (mentori i Poilievre) kur u zgjodh për herë të parë në krye të Partisë Konservatore. Pierre Poilievre ndofta e ndihmoi dhe situata ekonomike aktuale, por aq më mirë për kanadezët.

Për ndarje konservatorësh sot flasin në fakt më shumë "patericat" e kamufluara të Trudeau (Trou d'eau - vrimës në ujë), apo komenton negativisht, siç pritej, ndonjë si ministri i kabinetit të tij për Marrëdhëniet Ndërqeveritare, Dominic LeBlanc, mbrëmë i ftuar në studion e Radio-Canada, "fils à papa", që nuk e ka provuar të punojë në McDonald’s, se e kish të atin Guvernator të Përgjithshëm dhe mik të babait të Trudeau, i cili ishte edhe ai kryeministër.

Pierre Poilievre dhe bashkeshortja e tij imigrante nga Venezuela, Anaida, janë historia e vërtetë e Kanadasë, vendit që u krijua nga imigrantët, historia e popullit të thjeshtë, historia e klasës së mesme kanadeze, historia e gjithë imigrantëve që kanë sakrifikuar apo sakrifikojnë vetëm me punë për të mbajtur familjen, historia e të gjithë atyre që kanë pritur apo presin çeqet e rrogës çdo dy javë për të shlyer faturat dhe hipotekën e shtëpisë, fëmijët e të cilëve nuk janë rritur në oborre qeveritare dhe në tryeza luksi protokollare.

Me të drejtë mbase, disa po thonë që Canada is back again! Le të shpresojmë!

©Taulant Dedja