Rilindja “kopjon” Sigurimin e Shtetit - Nga Vangjush Saro

Nuk e kuptova një qasje të këtyre ditëve të Kryeministrit Edi Rama që thotë se Partia Socialiste “do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj”. Është fjala që të përdoren të dhënat dhe shprehitë e gjithkujt në postën përkatëse në rrjetet sociale? Për qëllime politike? Është një shtysë më shumë, një mundësi tjetër për të manipuluar 14 Majin? (“Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të…” thotë një personazh i Xh. Xhojsit.)
Rrjetet sociale kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre: ashtu siç mund të ndihmojnë për të komunikuar, për të shpërndarë shpejt lajme, për të mësuar e për të kuptuar më shumë nga bota, ashtu edhe mund të përdoren për të cënuar privatësinë e njerëzve. T’u hysh atyre në faqe për qëllime politike, më duket e ulët. Këtë e bënte dikur Sigurimi i Shtetit, teksa survejonte familje të tëra, persona për të cilët dyshonte.
Mënyrat e atëhershme ishin më të prapambetura, por më brutale: Mbajtja shënim e fjalëve të njerëzve në mbledhje, në punë, në radha, në stadium e kudo. Inçizime të kamufluara. Marrje në pyetje e dëshmitarëve ose drejtpërdrejt e të dyshuarve. Përdorimi i “fuksave” (spiunëve). Etj. Qëllimi i informacionit që mblidhej ishte kontrolli mbi jetën e qytetarëve, më nga afër të dihej qëndrimi i të dyshuarit, i të dyshuarve në lidhje me parimet, urdhëresat dhe “rregullat” e atij rendi. Dhe pastaj, me një ligj absurd, mbështetur në rrethanat e të dyshuarve e të kohës, gjithçka kurorëzohej me internim apo burgim.
Sot jemi në një epokë tjetër, në situata të tjera. Përndjekje haptazi nuk ka. As me ligj. Por në kushtet kur partitë politike dhe pushtetet duan të kontrollojnë sa më mirë, sa më thellë, jetën e njerëzve, bindjet e tyre, votën e tyre, bëkërkan paq punë rrjetet sociale, faqet vetjake të njerëzve në këto rrjete! Kjo s’është ndonjë gjë e re, se e gjithë bota është bërë tani një grusht… antenash. Por të thuhej troç, pa droje, pa e menduar dy herë, që… do të kontrollohen llogaritë e njerëzve në rrjetet sociale, duke synuar as më shumë e as më pak “nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave”, prapë më duket e habitshme. Më duket e padrejtë. (Sado që… “nëse kështu thotë shoku Napoleon, atëherë kështu duhet të jetë.” Xhorxh Oruell “Republika e kafshëve”)
Se mos e “ndritën” ata që ishin më parë në pushtet! Mbaj mend, takova para shumë vitesh një shoqen time, M.P., mbesë e një rilindasi, bijë e një intelektuali që shkoi në burg për bindjet e tij antikomuniste. Papritur, dikush e mori në telefon. Dhe ajo, një vajzë dikur aq dinjitoze, u kthye nga unë me frikë: Ka miting, më kërkon drejtoresha, merren mungesat. Më habiti. “Erdha, drejtoreshë, erdha!” Drejtoresha, që andej, vazhdonte fliste me një dialekt që të hapte kokën. Iku me vrap shoqja ime…
Në këto dekada, kemi gjithnjë skena ku njerëzit poshtërohen për një vend pune e për ndonjë kockë. Diktojnë skota politikanësh të zhytur në skandale e abuzime dhe që me doemos duan të mbajnë pushtetin: për të fshehur spekulimet e tyre përmes ushtrimit të këtij pushteti, për të siguruar edhe më tej fitime dhe për të kontrolluar jetën e votën e njerëzve.
Ani, ta shpalosësh tani copë qëllimin, kontrollin mbi faqet internetike të njerëzve - sado që përmendet, sa me la gojën… vullnetarizmi - kjo bie erë të keqe. Të kujton kohë të shkuara. Nuk di si hiqet qafe skota (e politikanëve) në fjalë, por koha është që ata të kenë një përgjigje. (“Budallenjtë na marrin për budallenj.” Stendal)
© Vangjush Saro