Yuri Kim, “vrasësja me pagesë” e opozitës - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto
Atë që nisi McGonigal para pesë vitesh, e bitisi Gjykata e Apelit Tiranë nën presionin e drejtëpërdrejtë të Ambasadores Kim, si “vrasësja me pagesë” e opozitës shqiptare. As mendjet më të sëmura nga ideologjia soc-majtiste nuk e kishin imagjinuar që 33 vite pas rënies së komunizmit, inkuzicioni politik do vazhdonte me të njëjtën urrejtje ndaj mendimit ndryshe, duke dënuar me “vdekje” Partinë Demokratike. Të parën parti opozitare që krijuam në Dhjetorin e 90-ës, kur bërtitëm me naivitetin tonë rinor: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Por, pas vendimit të sotëm me siguri shkojmë në regjimin monist të Kim-ve. Në ndryshim nga ai i Koresë, Kim-i ynë është “dainty”, dy metra dhe si dymetrosh që është, “s’mund” të jetë as gënjeshtar, e as hajdut. Për këtë del garant edhe Ambasadorja Kim. Është pikërisht kjo e fundit, që ka kohë që punon nën e mbi rrogoz për asgjesimin e opozitës. Dikush mund të thotë se Znj. Kim zbaton politikën e shtetit amerikan. Dhe kjo deri diku është e vërtetë, por mos e imagjinoni Departmentin e Shtetit të SHBA sikur natë e ditë mendon për fatet e Shqipërisë sonë të vogël.
Janë nja tre a katër burokratë që mes shumë detyrave, hedhin ndonjë sy nga ne. Dhe realiteti tregoi që edhe këta nuk janë të imunizuar nga korrupsioni dhe lobimet. Me shumë gjasa e tillë është edhe “non-grata” që iu dha kryedemokratit Berisha, nga SHBA së pari dhe nga Gjykata e Asgjesimit (Apelit) të opozitës së dyti.
Për kujtesë, ishte Ambasadorja Kim, që e preu në besë PD-në pas marrëveshjes që u firmos brenda mureve të Ambasadës, marrëveshje që u hodh në kosh nga Rama me ndihmën e deputetëve të “kërpëratës”. Mos vallë nuk kishte fuqi Znj. Kim t’i kapte për “veshi” ato pseudo-kllouno-deputetë, që të ngrinin kartonat pro marrëveshjes? Sigurisht që po.
Ju kujtohet Donald Lu si i detyroi të 140 deputetët të firmosnin reformën e dështuar në Drejtësi?
Vajtën si cjapi te kasapi dhe ngritën kartonat duke ia “dhuruar” Drejtësinë Ramës. Ishte zonja Ambasadore që i njohu zgjedhjet e 21 Prillit ende pa u shpallur rezultati. Ishte prapë zonja Ambasadore që dërgoi emisarët e saj në Gjykatën e Asgjësimit (Apelit) të Opozitës Tiranë, për të trysnuar trupën gjykuese, për t’i dhënë opozitës kashtën. As barin jo.
Emrat e Agronit, Iridës dhe Elonës, që sot dhanë vendimin për të legjitimuar sistemin një-partiak në Shqipëri, “meritoinë” një pllakë përkujtimore me yllin e kuq (si ato të bazave të Partisë Komuniste) ku të shkruhet: Lavdi gjyqtarëve Irida, Elona & Agron të Gjykatës së Asgjesimit të Opozitës!
Ky monizëm i vulosur nga Gjykata e Asgjesimit të Opozitës, do t’u kushtojë shtrenjtë shqiptarëve.
E teksa shkruaj këto rreshta mendja më ndalet te ato ditë-netë të Dhjetorit 90, kur një nga studentët pjesmarrës, në vend të fjalimit na recitoi disa vargje të Pushkinit:
“Ti hiqmu për një çast prej syve
O muz e zbehtë e dashurisë
Ku je ti tmerr i Perëndive
O këngëtare e Lirisë”.
© Ilir Gjini - Toronto












