Kolumnist

20 vjet pas pushtimit të Irakut - Nga Taulant Dedja

Një deklaratë e ish-kryeministrit kanadez Jean Chrétien dhe një kujtim i imi

“Amerikanët gabuan kur sulmuan Irakun, ka pohuar sërish pas 20 vitesh ish-kryeministri Liberal i Kanadasë Jean Chrétien, duke kujtuar dhe arsyet që e shtynë atë të mos u shkonte pas amerikanëve në këtë aventurë”. Kështu shkruante të shtunën e kaluar (17.02.) në mbrëmje media shtetërore CBC/Radio-Canada. Deklarata e Chrétien u bë gjatë një intervistë me Julie Drolet në programin “Live with Patrice Roy” të premten, një ditë më parë. Ish-kryeministri kanadez ka kujtuar se diskutimet me ish-presidentin e SHBA Xhorxh W. Bush dhe ish-kryeministrin britanik Toni Bler kishin zgjatur për muaj të tërë, por të dy liderët nuk arritën ta bindin atë. Sipas ish-kryeministrit Chrétien, vendimi i tij u bazua në dy argumente: mungesën e pëlqimit të Kombeve të Bashkuara dhe mungesën e provave. Të gjitha dokumentet që ai kish mundur të konsultonte në atë kohë dhe informacionet në të cilat ai kishte akses nuk tregonin asnjë provë se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, siç pretendohej nga Uashingtoni. Kjo ishte hera e pare në histori kur Kanadaja nuk merrte pjesë në një luftë së bashku me amerikanët dhe britanikët.

Lufta e Irakut, ose Lufta e Dytë e Gjirit, filloi zyrtarisht më 20 mars 2003 me pushtimin e Irakut (i njohur si Operacioni Liria e Irakut) nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA (ku përfshihej dhe Shqipëria) kundër regjimit të Sadam Huseinit. Theksoj që aktualisht Iraku, edhe pas 20 vitesh “çlirim” nuk ka arritur të ketë asnjë lloj progresi nga pikëpamja e demokratizimit dhe stabilitetit politik.

I kujtova këto fakte, sepse gjatë një bisede kafeje me dy miq të mirë në Montréal, njëri prej tyre m’u shpreh se nga gjithë vitet e mia në politikë në Shqipëri, i kish mbetur sidomos ndërmend fakti që unë isha i vetmi deputet i Parlamentit të asaj kohe që abstenoi në votimin për dërgimin e forcave të ushtrisë shqiptare në koalicionin e Luftës së Irakut.

Mbaj mend se vendimin për të abstenuar e pata marrë pa u menduar shumë dhe pa asnjë lloj hezitimi, sepse ishte në përputhje me bindjet e mia në raport me mënyrën se si duhet të zgjidhen konfliktet ndërkombëtare, ku lufta duhet të mbetet gjithmonë opsioni i fundit. Pak a shumë një gjë të tillë pata shprehur dhe para kamerave kur gazetarët më pyetën për motivimin e qëndrimit tim, duke iu referuar edhe pacifizmit si parim. Kujtoj gjithashtu, që shefi i Shërbimit Sekret shqiptar të asaj kohe, për të cilin vazhdoj të ruaj të njëjtin respekt si atëherë, më pat treguar që menjëherë pas votimit, të gjitha shërbimet e fshehta të huaja partnere, kishin kërkuar informacion rreth personit tim. Sigurisht jo amerikanët, sepse ata më njihnin mirë për shkak të bashkëpunimit në fushën e reformës së decentralizimit, të cilën e drejtova për disa vite. Madje në një letër drejtuar kryeministrit Fatos Nano (lidhur me atë reformë), të firmosur nga Drejtori i USAID, isha cilësuar edhe si “champion of democracy”.

Pas atij votimi dhe pas një votimi tjetër kundër Marrëveshjes dypalëshe SHBA-Shqipëri për mosdorëzimin e ushtarëve amerikanë të akuzuar për krime lufte te Gjykata Penale Ndërkombëtare (marrëveshje që e kundërshtonte BE) Ambasada e SHBA e fshiu emrin tim nga lista e protokollit të ftesave zyrtare. Kundërshtimin tim në Parlament e argumentova me mungesën e reciprocitetit, sepse SHBA nuk merrte përsipër nga ana e vet mosdorëzimin e ushtarëve shqiptarë tek Gjykata Penale Ndërkombëtare.

© Taulant Dedja

Fotoja Bush-Chrétien: The Canadian Press/Fred Chartrand)