Kolumnist

Elefanti Horton dhe zgjedhjet e Majit - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

I rrëfeva një shoqeje përrallën e Elefantit Horton pasi më tha që nuk do shkojë të votojë në zgjedhjet vendore të Majit se vota e saj nuk do ndryshojë asgjë meqënëse vendi është kapur nga të dyja duart dhe ato lajnë njëra-tjetrën.

Mu kujtua se në rastet e të vërtetave trazuese përrallat mund t’u vijnë butësisht në ndihmë individëve të çdo moshe për të nxitur sadopak të kuptuarin, shpresën e motivimin.

Hortoni, - po i tregoja shoqes sime, - ishte një elefant me veshë të mëdhenj e dëgjim shumë të mprehtë, aq të mprehtë saqë arriti të kapë një zë nga thellësia e shtratit të një trëndafili. Duke ia vënë veshin mirë e mirë këtij zëri, Hortoni arriti të kuptonte se bëhej fjalë për një komunitet të tërë që jetonte në brendësi të trëndafilit. Hortoni nuk mundtte t’i shihte këta banorë pasi ata ishin shumë të vegjël, pothuaj të padukshëm, por ama “një njeri është njeri, pavarësisht sa i vogël është” mendonte Horton. Dhe kështu u bë mbrojtësi i këtyre liliputëve duke u betuar t’i mbronte me jetën e tij në mënyrë që askush të mos e shkatërronte botën e tyre.

Sigurisht që vajti dhe e deklaroi këtë tek komuniteti i elefantëve të cilët u gajasën së qeshuri. Talljet e tyre nuk pushuan me ditë e netë dhe madje provuan edhe ta burgosnin Hortonin duke i kërkuar në këmbim të lirisë të mohonte historitë me liliputë.

Atëherë Hortoni u kërkoi njerëzve të vegjël të mblidheshin të gjithë bashkë e të vërtetonin ekzistencën e tyre duke thërritur me gjithë forcë, që zërat e bashkuar të arrinin deri tek veshët e elefantëve mosbesues.

U grumbulluan njerëzit e vegjël dhe me gjithë fuqinë e mushkërive lëshuan zërin, por mesa duket jo aq mjaftueshëm sa të dëgjoheshin.

Provojeni edhe njëherë! - iu lut Hortoni. Në këtë moment iu bashkua grupit anëtari më i vogël, ai më i vockli fare dhe mrekullia ndodhi. Thirrja e tyre u dëgjua prej të gjithë elefantëve që ishin grumbulluar rreth botë-trëndafilit.

E kështu, njerëzit e vegjël shpëtuan atëherë kur të gjithë zërat u bënë bashkë drejt një qëllimi. Por ishte Hortoni që u doli në mbrojtje interesave të tyre dhe arriti të kapte ato valë zëri që të tjerët nuk kishin mundur dot më parë.

A ka një Horton në këto zgjedhjet që po afrojnë të arrijë të përfaqësojë zërat që nuk janë dëgjuar deri më sot? A ka një Horton që të dalë kundër e t’i rezistojë presionit të llojit të vet vetëm për të mbrojtur interesat e atyre që janë lënë në harresë? Po vetë këta njerëz që janë tërhequr në thellësi të indiferencës dhe mungesës së shpresës, për të jetuar pa rënë në sy të të fuqishmëve që nuk druhen t’i shkelin me këmbë, a do të munden të bëhen bashkë e të thërrasin me gjithë forcën për t’i dhënë më shumë vlerë jetës së tyre?

Ndoshta këto pyetje mund të të ndihmojnë në vendimmarrje - i thashë mikeshës sime, - dhe nëse jo, mendo që përfitove një përrallë të Dr. Seuss në pak minuta, e cila gjen përdorim në kontekste të ndryshme.

©JetaDedja/Flasshqip.ca