Intelektualët, specie në zhdukje - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Gjatë gjithë historisë, intelektualët e vërtetë janë përpjekur për të qenë të pavarur, duke iu kundërvënë orvatjeve të shtetit për t'i shndërruar në teknikë të pushtetit e për t'ua mbyllur gojën. Sa prej tyre ia kanë dalë? Artistët dikur, muzikantë, piktorë, aktorë, e skulptorë paguheshin rregullisht nga mbretërit e borgjezët. Sot paguhen nga partitë. Kuptohet, për pushtetarët është një lëvizje me fitim “të blejnë” intelektualin dhe shpesh ata ia kanë arritur qëllimit.
Shumica e atyre që rëndom quhen intelektualë sot janë bërë nënpunës të institucioneve që drejtohen e kontrollohen nga qeveria ose edhe kompanitë private që njëlloj ushtrojnë presion mbi intelektualin duke e mbajtur atë të varur.
Sipas C.W. Mills, intelektuali duhet të jetë një mendimtar që shkruan, flet dhe ligjëron ide të paautorizuara. Intelektuali sfidon në këtë mënyrë ata që janë në pushtet (cituar në Aronowitz, 2014).
Ndërkohë, Aronowitz (2014) shkruan për intelektualin politik si një mendimtar që edhe pse mund të jetë i stacionuar fizikisht e ekonomikisht në ndonjë institucion shtetëror apo privat, ai ka pushtetin për të ushtruar ndikim në politika e për të nxitur ndryshime, por për këtë lypset etikë intelektuali, dhe ajo me kalimin e viteve të qëndrimit në kolltuqe zyrash e qarkullime pushtetesh rrezikon të venitet.
Misioni i një intelektuali do duhet të jetë ekspozimi i korrupsionit e gënjeshtrave të ofruara nga propaganda zyrtare. Për më tepër, intelektuali duhet të jetë ai që ofron kritika të pamëshirshme konstruktive për gjithçka ndodh në vend. Të bëhesh intelektual para së gjithash, është një detyrim moral ndaj vetes po aq sa ndaj shoqërisë- theksonte Mills.
“Intelektualët po vdesin” shkruan Russel Jacoby (2000), duke shprehur njëkohësisht dhe frikën e tij të madhe se intelektualët janë një specie në zhdukje. Ata mbyllen nëpër auditore kur bëhen profesorë ose nëpër laboratore kur merren me shkencë të aplikuar dhe bëhen të padukshëm për masën. Ata bëhen të varur nga institucionet, rrogat, partitë, qeveritë, ndërkohë që detyra e tyre duhet të ishte angazhimi me publikun përmes kritikave të hapura kundër politikave të dështuara e zyrtarëve të korruptuar.
Nisur nga sa më lart, a ka intelektualë sot në Shqipërinë e zhytur në varfëri e korrupsion, dhe ku janë ata?
Unë them se ka, por le ta sqarojmë edhe njëherë se kush quhet Intelektual.
Intelektuali nuk është njeriu që shmanget e fshihet laboratoreve, klinikave e auditoreve. E as ai që i ka humbur etika mes dallaveresh e kompromise pushtetesh. Këta zor se mund të quhen intelektualë.
Intelektuali është ai mendimtari që s’e tërheqin as majtas e as djathtas, as para e as mbrapa. Është ai që ofron zgjidhje për problemet për të cilat ngre pikëpyetje me zë të lartë dhe përgjegjshmëri.
Është ai që nuk druhet të kundërshtojë mendimet, veprimet dhe vendimet e atij që ka pushtet dhe ndikim në jetën dhe mirëqënien e njerëzve të rrethit më të ngushtë e deri tek publiku i gjerë.
Është ai që mendon se ka edhe të tjerë më të zotë dhe se ai nuk është më intelektuali i intelektualëve.
Është eksperti, njohësi, i dituri modest, i kulturuari, i pavaruri, që hallin më të madh do të ketë zgjidhjen dhe jo fshehjen e problemit.
Por sa sukses mund të arrijnë intelektualët e pavarur në kushtet e sotme? A janë ata të aftë të tërheqin vëmendjen e masës që kënaqet me batuta e ahengje? A mund të bëjnë për vete turma me fjalime të sofistikuara dhe teknike? Vështirë!
Prandaj intelektuali ekspert i pavarur mund të konsiderohet në jetën publike një specie në zhdukje, pasi nuk ka audiencë të mjaftueshme e përshtatshme për të.
Por ama, nëse pushtetarët dhe kandidatët për pushtet do kthejnë sytë e të konsultohen me intelektualët, pa ushtruar presione për mbyllje goje e heqje ofiqesh, atëherë mund të kemi një fije shprese se Shqipëria bëhet!
©JetaDedja/Flasshqip.ca










