Mbi situatën në Veriun e Kosovës - Nga Hajro Çini
Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka nxjerrë në pah gjithçka. Asgjë nuk mund të krijonte një situatë aq të rrezikshme njëkohësisht poaq edhe sqaruese. Pjesa dërrmuese e faktorëve të brendshëm apo të jashtëm kanë përsëritur, si të ishin kompjutera të programuar, atë që kanë bërë gjithnjë.
Serbët kanë krijuar grupin kriminal të rradhës me anë të të cilit krijojnë turbullirat në veri të Kosovës. Është sëmundje e vjetër dhe e pashërueshme serbe. Kështu kanë vepruar që nga krijimi si shtet e deri më sot. Bota e kishte harruar, por serbët e shfaqën fytyrën e tyre në Slloveni, në fillim të viteve 90, pak javë më vonë në Kroaci, pak muaj më vonë në Bosnje Hercegovinë dhe tani luajnë të njëjtin skenar edhe në Kosovë.
I vetmi vënd ku ata nuk arritën të bëjnë të njëjtën gjë ishte Maqedonia, për të cilën SHBA dërgoi, me mandat nga OKB, një grup ushtarësh në kufi me Serbinë. Serbia bindet vetëm me gjuhën e forcës, asnjëherë me gjuhën e arsyes dhe kurrë me atë të diplomacisë.
Politika Perëndimore, si gjithnjë, është në mes të gjumit dhe sapo shfaqet ndonjë krizë, shpejt mobilizohet të dënojë viktimën më të pafajshme, sepse duke qënë viktimë, duket se është edhe më e dobët. E la situatën të shkojë deri në dëshpërim, dhe pastaj ndërhyn “diplomatikisht”, sa për ta ngrirë konfliktin dhe jo për ta zgjidhur atë një herë e përgjithmonë.
Politika ruse, gjithnjë regresive, gjithnjë nxitëse dhe mbështetëse e forcave më të egra dhe më çnjerëzore.
Shqiptarët, përsëri sipas traditës. Pjesa kombëtare në mbrojtje të kombit dhe të së drejtës, pjesa enveriste gjithnjë në krah të Serbisë, sepse ajo pjesë nuk ka asnjë ndjenjë kombëtare, është e pacivilizuar shoqërisht dhe nuk ka as ndjenja njerëzore. Për më tepër, që edhe partinë ia ka krijuar Beogradi dhe me kryetar të parë një serb nga Mali i Zi, Miladin Popoviçin. Me kohë, kur kombi shqiptar do të civilizohet, pjesa antikombëtare shqip folëse do të reduktohet bindshëm, siç edhe ka ndodhur në Kosovë pas 1990.
Ballkani ka qënë shpesh, që nga Lashtësia, arenë përleshjesh. Çezari dhe Pompeu i pastruan llogaritë midis tyre atje, dy luftërat botërore kanë shpërthyer në Ballkan, njëra në Sarajevë dhe tjetra më 7 prill 1939 në brigjet e Shqipërisë. Është e pandershme që pushtimin e paprovokuar të Shqipërisë nga Italia, të mos e konsiderojnë edhe fillimin e luftës, sepse atje shpërthyen për herë të parë armët, për të vazhduar, disa muaj më vonë, më 1 shtator 1939, në Poloni, që bota e konsideron fillimin e luftës.
Por Ballkani nuk ka qënë gjithnjë kështu. Ra në një qetësi shekullore sapo hyri nën çadrën e perandorive Romake (të Lindjes dhe Perëndimit) e deri sa aty u shfaqën dyndjet bullgare dhe më pas sllave dhe serbe. Për disa shekuj, nga i pesti e deri në të trembëdhjetin, gjendja ishte e tensionuar midis Perandorisë Bizantine që kërkonte të ruante Perandorinë dhe dyndjeve të lartpërmëndura. Ballkani ra përsëri për 5 shekuj në paqe, prosperitet dhe qetësi, sapo forcat osmane shpartalluan Serbinë dhe e kthyen në vasale të bindur, deri kur filloi të ngrihej Perandoria ruse.
Në librin e tij, “Ottoman Centuries”, shkollari Britanik Lord Kinross e prezanton Ballkanin si fuçi baruti dhe si shkak përmënd rënien e Perandorisë Osmane dhe ngritjen e asaj ruse.
Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, u shpresua, se baruti në Ballkan ose ishte djegur ose ishte lagur përfundimisht.
Tani ndodhemi përpara një situate që mund të kthehet lehtësisht e rrezikshme, veçanërisht kur DASH e drejton një arrivist i korruptuar. Nuk është rastësi që dy diplomatë të lartë amerikanë, të cilët kanë shërbyer rrezikshëm në Ballkan, Mathew Palmer apo Riçard Grenell, sot janë të punësuar në një kompani lobimi (korruptimi me një fjalë) në Washignton dhe paguhen nga Serbia.
Kosova ka bërë përparim të ndjeshëm, por për fat të keq, pas vdekjes së Dr. Rugovës, në politikën e saj morën krahë shqipfolës të rrezikshëm.
“Veç na jepni pushtet, na lini të vrasim shqiptarë, të vjedhim dhe pasurohemi dhe ju bëni çfarë të doni me Kosovën, coptojeni, ndryshoni kufinjtë etj.” - ishte marrëveshja midis kriminelëve Thaçi dhe Veseli me ca “aleatë” perëndimorë, që duke i shantazhuar, zgjidhnin lehtësisht problemet gjithnjë në dëm të Kosovës.
“Na lini të vjedhim, të pasurohemi, dhe vazhdoni si me Thaçin”, - ishte qëndrimi i Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt dhe ca hajdutëve të tjerë.
Por tani Kosova ka dy shtylla të pakompromis, të pakorruptuara, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, që ca “aleatë strategjikë” nuk i parashikuan, dhe natyrisht duan edhe pak kohë që edhe ata ta pranojnë dhe respektojnë realitetin e ri politik, institucional dhe shtetëror në Kosovë. Jam i sigurtë se dhe ata aleatë gradualisht po ndërgjegjësohen.
Kurti dhe Osmani, në një unitet shëmbullor, kanë sfiduar tabu, që disa ish-a të “rëndësishëm” të arrestuar në Hagë, jo vetëm që nuk guxonin, por edhe i krijuan. Në të gjitha sfidat e guximshme që politika e Kosovës ka ndërmarrë, është krijuar në fillim një pështjellim i madh i aleatëve kundër Kosovës, por kur Kurti me qetësi, urtësi, mënçuri ka dhënë sqarimet dhe kur Vjosa Osmani ka bërë deklaratat presidenciale, aletatë e kanë kuptuar se Kosova dhe udhëheqësit e saj të rinj kanë pasur 100% të drejtë dhe nën zë kanë këshilluar Vuçiçin që “të tërhiqet për të ruajtur fytyrën se Kurti e ka kapur mat”.
Kështu ndodhi me targat, kështu ndodhi me pikat ilegale mafioze doganore, kështu, shpresoj unë do të ndodhë edhe me tensionimin e fundit. Por pas kësaj radhe, Kosova ka ruajtur territorin e saj, ka ushtruar sovranitetin e saj kudo si dhe forcat e sigurisë së saj, që kanë befasuar gjithë botën me profesionalizmin dhe aftësinë për t’u ndeshur me krimin e organizar, mund të veprojnë lirisht në të gjithë Kosovën.
© Hajro Çini










