Kolumnist

Dashuria mes shqiptarëve dhe esnafi politik - Nga Ilir Levonja

Mes Shqipërisë dhe Kosovës ka sot një pleksje nervash aq sa totalisht është harruar një e vërtetë e madhe, kombi. Si Shqipëria apo Kosova nuk janë as të Edi Ramës dhe as të Albin Kurtit, janë të kombit. Kombi ka ca nocione që pikërisht për shkak të makutërisë së esnafit të tij politik, një huazim nga profesori Zekeria Cana, është sot i ndarë. Dhe mund të ishim më keq akoma sa të kishim edhe ndonjë shtet tjetër me emrin Labëria, apo kushedi Dibra e Madhe etj., ashtu siç kemi sot Kosovën.

Në valën e tekave të njëshit apo tjetrit, ka edhe një përfshirje të madhe mendjesh që nuk mjaftohen me një opinion edhe aq, por vazhdojnë. Për shembull, kasta e Edi Ramës në Tiranë vazhdon me dhunë verbale karshi Albin Kurtit dhe Kosovës. Ashtu sikundër edhe një valë e ashpër nga Prishtina, karshi Edi Ramës dhe Shqipërisë. As njëra dhe as tjetra nuk janë as të Edit dhe as të Albinit, megjithëse në raport me Tiranën, Prishtina ka një rotacion të përkryer dhe një demokraci normale, ndërs ajo e Tiranës ëshhtë totalisht autokraci.

Mund të qeverisësh e ta ndryshosh Kushtetutën e vendit sa herë të duash edhe pse qeveris me 700 mijë votues. Emigranti shqiptar i Shqipërisë nuk ka të drejtë vote edhe pse është faktor dominant në ekonominë shqiptare. Madje është ai që paguan prindër pa të ardhura ose prindër me pensione diskriminuese. Emigranti shqiptar i Kosovës voton, pra ka të drejtë vote dhe është totalisht i nderuar në vendin e vet. Shqipëria thuajse ka vdekur pasi ka humbur pjesën më vitale të saj, gati 40% e popullatës, që është dhe krahu i të ardhurave, jeton jashtë vendit. Madje sipas statistikave të fundit, për çdo 5 orë largohet një i ri.

Dhe duke ardhur nga një mendësi totalitare e kanë zero ndjenjën e atdhedashurisë. Për rrjedhoj kanë sot në krye të vendit një komsomolas nga kasta internacionale e ish-Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Eshtë pikërisht Edi Rama që pasi përçau edhe diasporën, aq sa sot gjen kudo komsomolas deri në mes të New York-ut, nuk lejon emigrantët të votojnë, prishi edhe raportet e brishta mes dy vendeve, vetëm për një qëllim, karriken e vet.

Ndryshe nga Tirana, qeveria e Prishtinës qarkullon, dorëhiqet, mbahen zgjedhje të parakohëshme dhe çështja kombëtare është pjesë jo e një personi, por e gjithë elitës politike. Shqipëria nuk e ka një të tillë, ka shpurë politike, por jo elitë. E gjitha është nën diktatin e një shpure prej të fortësh, aq sot të vjen ndot kur shikon se si partia më e madhe e pluralizmit shqiptar është bërë kashtë e koqe. Ndaj Shqipërisë nuk u takon t'i zemroheni, por Edi Ramës po, një gango lagjeje që sot për ironi të asaj esnafërie që ka ndarë kombin, ka preferuar të zgjedhë të jetë pjesëmarrës në varrimin e Silvio Berlusconi-t dhe jo në Gjakovën historike.

Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin ashtu si kombet e mëdhenj. Pas rënies së murit të Berlinit 1989, porta e Brandeburgut nuk ekzistoi më, gjermanët u bashkuan, pa pyetur se çfarë thoshte Amerika, Izraeli, Bashkimi Sovjetik etj. Edhe ne komb i madh jemi, por kemi pasur historikisht qeveri apo esnafër makutë, komsomolas, sa pro jugosllavëve, sa pro rusëve aq edhe kinezëve, por kurrë pro prirjes apo vokacionit historik shqiptar. Mburren me Skënderbeun por vdesin për Erdoganin... Shqipëria është thjesht e juaja ndaj duajeni njëri-tjetrin, se kjo dashuri do shembë çdo portë Brandeburgu apo trarë si ai Kalimashit!

© Ilir Levonja