Kolumnist

Mbyllja e “Open Balkan” nuk i zgjidh problemet e rajonit të shqyer - Nga Enver Bytyçi

E nisën si “Minishengen” në vjeshtën e vitit 2019. Pas pak më shumë se një viti ia ndërruan emrin sipas propozimit të Sandrit të Sorosit miliarder dhe e quajtën “Open Balkan”, pra i vunë nofkën e “Open Society” të vetë miliarderit në fjalë. Dhe vjen një ditë e njëri prej dy themeluesve, njëkohësisht mbrojtësit më të zellshëm të kësaj iniciative serbo-ruse, pra Edi Rama, deklaron se “Ballkani i Hapur nuk ekziston më”.

Në Ohër, në Shkup, në Tiranë, madje dhe në Beograd kryeministri i Shqipërisë e kërcënonte Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për refuzimin që ata ia bënë Minishengenit dhe “Open Balkan”-it. “Do të na lusni e ne nuk do t’ju pranojmë”. “Ju jeni kundër paqes dhe integrimeve”. “Nuk kuptoj pse ju refuzoni, Ballkani i Hapur është për të gjithë”. “Do të izoloheni”. “Ne do të vazhdojmë edhe pa ju, kush të dojë le të vijë, kush mos të dojë le të rrijë në fatin e vet”. “Ballkani i Hapur është ideja më e shkëlqyer e të gjitha kohërave”.

Të gjitha këto i thoshte samit pas samiti kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Thoshte disa gjëra edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Por ato çfarë thoshte Vuçiç e Zaev ishin shumë më pak se artikulimet e Ramës dhe shumë më të moderuara se dhëmb-kërcitjet e kryeministrit të Shqipërisë. Në fund “Open Ballkan” u mbyll. Dhe në këtë Ballkanin e shyer për shkak të politikave të dominimit serb në rajon, nuk mund të rezistonte një nismë si kjo. Aq më tepër se Procesi i Berlinit ishte dhe mbeti një iniciativë e njëjtë me iniciativën Rama-Vuçiç-Zaev e njëkohësisht shumë më solide.

Z. Rama në deklarimin e tij për mbylljen e “Ballkanit të Hapur” tha se ai e kreu misionin e tij. Se pse u investua kaq shumë kapital politik e më pak kapital financiar për këtë iniciativë serbe, askush nuk e mori vesh. Për ta mbyllur pas pak më shumë se tri vitesh. Për ta zhbërë si më shkop magjik, madje siç duket pa u konsultuar as me partnerët themelues. Kështu ndodh vetëm me autokratët. Vetë themelimi i Minishengenit apo “Open Balkan” ishte iniciativë autokratësh. Pa rregulla, pa statut, pa marrëveshje, pa traktat, pa një dokument ku të përcaktoheshin mënyrat e sjelljes. Një shoqatë joqeveritare themelohet nga një asamble, ka një statut, ka një akt-themelimi e përcakton rregulla si të si hapet e si të mbyllet. “Open Balkan” ishte nën nivelin juridik të një OJQ-je. Prandaj u themelua nga tre liderë autoritarë ballkanikë dhe u mbyll nga njëri prej tyre, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pse ndodhi kjo? Sepse Ballkani vazhdon të jetë një zonë europiane e shqyer, ku më i forti përpiqet ta shqyejë më të dobëtin. Ku agresori bën rolin e viktimës dhe viktima akuzohet për aggression. Ku arroganca fiton qytetarinë dhe qytetaria lihet në skutat e harresës. Ku mafia bashkëpunon me ndërkombëtarët dhe të pakorruptuarit konsiderohen destabilizues. Ku lobimi vlen më shumë se parimi dhe e drejta. Ku forca shitet për moral. Ku arsyeja konsiderohet naivitet. Ku logjika ka humbur sensin e saj. Ku drejtësia nuk shkon as deri te koncepti që shprehte para 4000 vitesh Kodi i Hamurabit. Prandaj dhe papritmas del një njeri i gjatë dhe i thotë të gjatit tjetër në Beograd, se “Ballkani i Hapur u mbyll”. Thotë edhe se “misioni i tij përfundoi”. Ndërkohë askush nuk e di se cili ishte ky mision.

Arroganca është tipari kryesor i kësaj iniciative dhe me arrogancë ajo u shua si të mos kish qenë kurrë e vërtetë. Ndërkohë arrogantët vazhdojnë të triblojnë në politikë si xhonglerë me bekimin e disa udhëheqësve, politikanëve dhe diplomatëve të vendeve më demokratike të botës. Aq sa të venë në diskutim e në dyshim sistemin e vlerave që demokracia bart. Ndoshta kjo është pasoja më e tmerrshme që popujt e Ballkanit po përjetojnë në këto kohë të mbrapshta.

Arroganca e autokratëve kleptokratë të Ballkanit, sidomos në Serbi e në Shqipëri është burimi i të gjithë konflikteve në rajon. E si për fatkeqësinë e këtyre popujve, janë pikërisht këta autokratë që përkrahen dhe mbështeten nga ata që kanë bërë emër si liderë me pikëpamje demokratike e humane në Europë e në SHBA, e sidomos nga “Open Society” e Sorosit. Dhe nëse analizojmë në thelb ngjarjet që zhvillohen në veri të Kosovës apo ato në Bosnjë-Hercegovinë, na rezulton se gjithçka ndodh, ka si shkak autoritarizmin politik të lidershipit serb të shoqëruar nga mbështetja e atij të Shqipërisë. Akoma më shumë: Gjithçka buron nga lobimet dhe korrupsioni i këtij lidershipi të korruptuar në partneritet me diplomatë dhe politikanë perendimorë të lidhur me Sorosin famoz.

Ishte Kosova ajo që i qëndroi fort tundimit dhe presionit për të mos u bërë pjesë e Ballkanit të Hapur. Prandaj dhe kjo vepër anti-shqiptare e Vuçiç-Rama-Zaev dështoi. Ishte politika shqiptare në Shqipëri e në rajon e përçarë rreth kësaj ideje. Prandaj dhe Edi Rama nuk mund ta vazhdonte më tej marrëzinë e tij të bashkëpunimit në këtë iniciativë me Serbinë. Ishte presioni i kancelarit, Olaf Scholz, që e zhbëri “Open Balkan”-in e “famshëm” të panaireve të verës. Sepse ajo iniciativë vinte edhe në kundrshtim me Procesin e Berlinit. Pra ishte përçarja brenda-shqiptare, brenda-rajonale dhe me Gjermaninë, ajo që e mbylli “Ballkanin e Hapur”. Nuk është arsyeja ajo që thotë Edi Rama se ai “e kreu misionin e tij”.

Megjithatë Ballkani edhe pas kësaj vazhdon të mbetet një Ballkan i shqyer, në të cilin ambiciet e Serbisë për hegjemoni e territore bëhen gjithnjë e më kërcënuese. Megjithatë mbyllja e “Open Balka” nuk i zgjidh problemet e Ballkanit të shqyer.

© Enver Bytyçi