Përçarja që na ndjek pas në kohëra - Nga Vangjush Saro
Konfliktet me Serbinë, vizita e Klintonit, Albin Kurti nuk pret Edi Ramën, “hesapet” qorre me Iranin dhe refugjatët, grindjet mes shqiptarëve në të dy shtetet e tyre… ne po jetojmë sërish një paqëndrueshmëri që dhemb. Gjendemi gjithnjë në dallgë. E megjithëse askush nuk ka dëshirë të mbledhë në një të vetme episodet e vështira, ndonjëherë të shëmtuara - koha na inspiron të shohim përpara - ne prapë jemi të detyruar të kthejmë kokën pas. Duhet të përpiqemi të kuptojmë çfarë nuk shkon mirë, jo vetëm sot e këto ditë, dhe duhet të shpresojmë ndërkaq se po gjejmë ndonjë shpjegim bindës e po korrigjojmë ç’të mundim. Ka shkrues që “i dinë të gjitha”, Ballkani kështu, fuqitë e mëdha ashtu… Por nuk e di pse në ato reagime mungojmë ne, ne shqiptarët.
Po e filloj pra, me një konstatim që kullon zili, por s’kam se si ndryshe. I shoh më të qeta vendet e tjera; edhe disa nga fqinjët tanë. Nuk them se ata po lundrojnë në lumturi apo janë “ku rafsha mos u vrafsha!” Por gjithsesi, nuk përjetojnë kaq shumë ngjarje e përplasje dhe nuk janë kaq të varur a të lidhur nga shtetet e mëdhenj, të detyruar t’u bëjnë atyre horte e lavde. Përpiqem të kuptoj, e pastaj ta ndaj me lexuesit, çfarë na përplas ne shqiptarëve kështu, sa andej këtej, herë pas here, sikur të ishim jetimë…
Nga njëra anë, është pozita gjeografike tejet delikate, si një pikë ballafaqimi mes Perëndimit dhe Lindjes e, po ashtu, një ring interesash të larta, në kohëra. Nga ana tjetër, shqiptari, sa i mirë, aq edhe i keq (i vetes), reciton pareshtur dhe me pathos atdhetarinë; por jepet gjithaq lehtë përpara interesave të çastit. Më e pakta - e kam shkruar edhe më parë - pas sundimit shekullor otoman, fqinjët tanë: grekët, bullgarët, rumunët, hungarezët, maqedonasit, serbët po se po (ishin aleatë me Turqinë,) të gjithë këta vërtet dolën nga ai pushtim copë-copë, por me gjuhën dhe me fenë e tyre. Ne jo, ishim të tjetërsuar ndërkaq në të dy komponentët e zënë goje më sipër. Dhe problemi i madh është se nuk mësuam asnjëherë nga pësimet e së shkuarës.
Edhe pasi fituam pavarësinë, filluan sherret dhe luftërat për pozitë e pasuri, krerët mbanin sa andej këtej, duke shtyrë me bërryl dhe me armë njëri-tjetrin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Konferenca e Mukjes dhe ato çka ndodhën pas saj, vulosën sërish përçarjen dhe ekstremizmin. Kjo do të përsëritej sërish në fillim të viteve ‘60, me ikjen e Shqipërisë - ndryshe nga gjithë të tjerët - prej Bllokut të Vendeve Socialiste, një komunitet me problemet e veta, por ku, gjithsesi, ishim më mirë se ç’do të bëheshim më pas.
Ndërkaq, jemi ndër të paktët popuj, ku përplasjet për të shkuarën, për Luftën e Dytë Botërore, për ndryshimet pas ‘45-ës, për vendimet e rëndësishme në rendin e ri, atë të Demokracisë, për të gjitha këto pra, nuk kanë gjetur ende vendin e duhur, s’kanë ende paragrafët a kapitujt e përshtatshëm në histori. Dhe për më keq, episodet në fjalë vazhdojnë të përdoren për ta përçarë edhe më tej popullin; tash edhe kombin.
Kërkoj ndjesë për mungesën e modestisë, por duke përcjellë në publik librin tim “Shqipëria në dy kohë”, unë e komentoja përmbajtjen e tij si “Shqipëria në çdo kohë…” Dhe nuk ndjehesh mirë kur atje - e kudo ku mund të ketë më shumë vëmendje - ndjen heshtje, por ti prapë kupton se është thënë siç duhet e vërteta për ne; jo që aksh autor, unë në këtë rast, të ndjekë egon e vet intelektuale, por që të flasim e të përpiqemi të gjejmë çfarë nuk shkon me ne.
Valëvitja e flamujve, bërja e shqiponjës me pëllëmbët e duarve, organizmi i festave në rrugët e qyteteve të huaja, mbajtja plot krenari e qylafit, etj., janë shfaqje të një lloj romantizmi patriotik, emfazë. Megjithatë, është lule në krahasim me çfarë ngatërrojnë politikanët dhe një pjesë e mediave, ndërkohë që Kosova, Shqipëria, shqiptarët, duket sikur prapë nuk i kanë punët mirë. Tabloja e zymtë e këtyre ditëve ishte një vjellje ngjyrash: Rusia, Ukraina, Serbia, SHBA, Irani; sikundër ndonjë pagesë e vonuar e ndokujt që me servilizëm politik përpiqet të mbajë fronin. (“Kreditorët kanë kujtesë më të mirë se debitorët.” M. Aurelius)
Sido që të jetë, situata në fjalë tregon për dobësi vetjake (të liderëve shqiptarë) dhe asi kombëtare. Një fjalë e urtë popullore i bie shkurt: “Nuk zë vendi vend.” Ndoshta kjo do të thotë se ne kemi probleme identiteti e mentaliteti dhe, për më tej, (kjo që vjen, gjithsesi, ka më pak rëndësi,) ata që kanë drejtuar dhe ata që drejtojnë vendin, vendet, kanë qenë dhe janë jashtë realitetit. S’mund të themi ndryshe kur njëri thotë natë e tjetri ditë. Sherrnaja që na shoqëron në vite e në shekuj, përçarja që s’na ndahet në vite e në shekuj, viktimizimi ynë kohë e pa kohë, megjithatë nuk na japin shumë mundësi për t’u shpjeguar.
Bie fjala, po qëndroj pak edhe te kriza kulturore; më saktë po rimarr disa paragrafe nga një shënim i botuar gjithë në gazetën e nderuar “Telegraf”: Prej disa kohësh, ca të ashtuquajtur antikomunistë, kanë marrë në dorë shpatën e revanshit dhe kërcënohen andej e këtej sikur të ishin Zeusi: Për faktet historike, për luftën, për gjuhën letrare, për letërsinë, për filmat. Ka klithma nga më të habitshmet, aq sa para disa ditësh dëgjova se në “kohën tjetër” edhe biçikletat qenkeshin… me autorizim (!) Kjo klimë përdhosjeje ndaj gjithçkaje, deri në absurd, këto përçartje, klithma histerike, manira, kanë bërë që “fshati” ynë të bjerë shumë poshtë; që “fshatin” tonë ta mbulojë vreri dhe hakmarrja. Mirëpo, duhet ta mbajmë veten; s’mund të fillojmë gjithçka e gjithnjë nga zeroja, meqë disa nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet dhe fiksimet e tyre. (“Nostalgjia për gjërat e shkuara nuk është domosdoshmërisht kujtesa e gjërave siç ato kanë qenë.” M. Proust).
Të gjitha vendet e tjera ish-socialiste kaluan pak a shumë në ato vija ku shkuan edhe Shqipëria e Kosova. Me ndryshime të dukshme, është e vërtetë, por me episode të ngjashme. Mirëpo ato vende, popujt e tyre, intelektualët dhe drejtuesit politikë e administrativë të tyre e gjetën vullnetin për të ndërtuar një jetë disi më në paqe se më parë, pa luftëra të vazhdueshme mes vedi e me të tjerët, pa servilizma ndaj shteteve më të mëdhenj, pa protagonizëm të sajuar… Kurse ne ia filluam sërish gjithë emfazë: miku më i madh i Amerikës, strehuesi i parë i refugjatëve nga Lindja, të përulur e të rekrutuar si gjithnjë nga më të mëdhenjtë… (Shikoni sa indiferente duken, krahasuar me ç’zjen te ne, Sllovenia, Kroacia, Rumania, deri edhe Maqedonia e Veriut.)
Kam shpresuar dhe shpresoj që kjo histori e sajuar me përplasje dhe ekstremizma brenda vetes, dikur të mbyllet. Pastaj gjendet gjuha edhe me të tjerët. Por ndjekja edhe më tej e këtij kursi të errët, alias një “luftë” civile, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, rrënimi edhe i atyre pak arritjeve në këto dekada, është një lajm i keq. Frika e njërit apo e tjetrit se po humbasin pushtetin, kokëfortësia nga e cila paguan kombi, prirja për të shmangur debatin e ndershëm, këto vërtet janë tepruar.
Politikanët në pushtet, njëri megalloman e tjetri kokëmushkë, si dhe klanet që bubrojnë prapa tyre, këta nuk po e ndihmojnë Shqipërinë e Kosovën, po i trazojnë ato sërish. (“Forma më e lartë e injorancës është dëshira për lavdi.” G. Santayana). Unë e pranoj që në këto radhë mund të ketë përsëritje e gjëra që dihen, pranoj që jam ndalur edhe më parë në këtë temë; në fakt, argumentet dhe interpretimet asnjëherë nuk janë shteruese. Por duhet të kuptojmë se në momente të caktuara plaga dhemb edhe më shumë.
Një i tillë (moment) është ky që po kalojnë tani Shqipëria dhe Kosova. Nuk u bëjmë dot gjyq liderëve, nuk e gjejmë dot as të mesmen e artë; thjesht duhet të përballemi me mentalitetin tonë. Kjo fillon që nga edukimi në familje e shkolla, kur mësojmë natyrën, historinë, si t’u vëmë emrat fëmijëve pa u legenosur, miqtë dhe armiqtë, ndaj të cilëve, megjithatë, s’mund të jemi të ngurosur; kjo kërkon edhe një ringritje të institucioneve: politika, arsimi, kultura, për çka duhet të inkurajohen të përfshihen më të rinjtë.
© Vangjush Saro










