Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe “Ballkani i Hapur” - Nga Xhevdet Nasufi
Dje në orkestër opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut listoi kundërshtinë e saj për “Ballkanin e Hapur”, alias “Mini-Shengenin” e Vuçiçit. Kjo ndodhi pasi Rama (nuk e ka dhe nuk mundet ta ketë të drejtën absolute për ndërmarje të këtilla ndërkombëtare), de facto shpalli befasisht dështimin (leximi është mes rreshtave) e “Ballkanit të Hapur”. Pra, opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut në mungesë të qartësisë politike vetanake, veproi fillimisht me heshtje në përkrahje të Ramës për projektin e “Ballkanit të Hapur” dhe kundërshtoi Albin Kurtin. Edhe për mbylljen e “Ballkanit të Hapur”, opozita shqiptare, për dallim të përkrahjes së heshtur të saj, preferoi deklarimin publik për mbylljen dhe mos-suksesin e tij, pasi këtë e bëri Rama në mënyren e vet (përkrahja nuk tingëllon keq si reflektim vëllazëror).
Duhet rikujtuar se vlerësimi negativ për “Ballkanin e Hapur” (që paraprakisht dhe fillimisht e bëri Albin Kurti), këtë iniciativë unioniste të mirënjohur edhe deri tani në Ballkanin e trazuar, fillimisht nuk u artikulua negativisht nga politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Është mirë që sot i gjithë koncepti kuptohet ndryshe dhe e tëra kjo i ngjet jetës së përditshme, politikës si veprimtari njerëzore, që në rrugëtim e sipër duhet të rishikohen, të rivlerësohen dhe të riparohen qëndrimet, konceptet dhe idetë, që në vazhdimësi janë nën ndikim të dinamikave dhe zhvillimeve të reja, qofshin në rrafshin socio-ekonomik, qofshin në atë politik dhe globalizues.
Që në fillimet e “Ballkanit të Hapur” kundërshtia ime për të ishte e bazuar në dy shtylla kryesore:
Së pari, “Ballkani i Hapur” presupozonte alternativën për proçesin e ngritur nga Merkel, edhe pse nuk e kishte sensin kredibël shtruar në rrafshin krahasues me proçesin e Berlinit.
Së dyti, mutatis mutandis, nëse është sikur Proçesi i Berlinit, në fakt “Ballkani i Hapur” nuk ka dhe nuk mund të ketë konkurrencë me proçesin e Berlinit. Kjo vetvetiu pretendimin politik për ndershmëri në idenë e projektit e konverton në realitet dhe motiv real se “Ballkani i Hapur” ishte projekt anti-Kosovë dhe proserb. Kj është edhe alibia reale, mendoj unë, e Ramës që u tërhoq nga “Ballkani i Hapur” në kohën dhe momentin e duhur dhe mbeti në përbërjen e tij vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Edhe pse me vonesë, tërheqja e Ramës do të brumohet me pozitivitet në rrafshin e dialogut Kosovë-Serbi, edhe pse vlerësimi në këtë moment duhet të jetë në suaza të spekulimit politik. Por befasia e tërheqjes së tij, papritshmëria si veprim (tërheqja politike është vlerë e shtuar), fakti që brenda “Ballkanit të Hapur” mbeti Maqedonia e Veriut dhe Serbia që u konfirmua nga Kovaçevski dhe Bernabiç, në kuptimin më të thjeshtë tregoi se projekti mbeti me ngjyrimin etnos sllav. Po pse dhe si u gjend në tërë këtë amalgamë politike rajonale Bashkimi Demokratik për Integrim?
Referuar heshtjes së BDI dhe Ali Ahmetit, përsëri “Ballkani i Hapur” nuk mbetet sllavo-etnik, pasi Kovaçevski për vazhdimësinë e tij foli në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, pjesë e të cilës jo më pak se afro njëzetedyvjet është Bashkimi Demokratik për Integrim, me liderin e vet të luftës dhe të paqes së pambaruar, Ali Ahmeti. Dhe krahas kësaj amalgame politike, në një Ballkan të mbushur në histori, me mashtrime dhe mjegullime, edhe BDI duhet të rishqyrtojë vetveten, statusin politik të qeverisjes, sepse në këtë rrafsh:
Kurti që në zanafillë e gjykoi për inegzistent “Ballkanin e Hapur” si projekt, tani këtë në nuanca politike e konfirmoi edhe Rama. Mbeti e pasqaruar dilema fondamentale: heshtja e Bashkimit Demokratik për Integrim i ngjet standardit që ajo ngërthen, pohim pro “Ballkanit të Hapur”, apo kundër tij?
Në gjykimin tim, ky është moment përcaktues për integristët, vallë janë në tabanin etno-politik në praktikimin e politikës së tyre, apo janë në grupimin sorosian në zbatimin e politikave qeverisëse qytetare. Shtruar edhe më qartë, Ali Ahmeti dhe partia e tij tani haptas janë në kundërshti me Ramën dhe Kurtin, Shqipërinë dhe Kosovën (kuptohet kundërshti politike) dhe de facto e de jure në përkrahje të Kovaçevskit.
Dhe si përfundim, çdo shqiptari në Maqedoninë e Veriut, kërshëria politike i është drejtuar kah BDI, parti etno-politike progresiste, apo parti soros-qytetare, që është e papërputhshme me një Ballkan të trazuar etnikisht nga bandat dhe kastat kriminele politike.
© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut










