Të (mos) jesh perfekt – Nga Jeta Dedja
Im bir, Henri shprehu dëshirën të luanim ping-pong ose tenis tavoline siç i thonë në Amerikën e Veriut. Blemë çfarë duhej, sistemuam tavolinën, rrjetën, hapëm kutinë më katër raketa dhe 8 topa rezervë dhe u ndamë në dy skuadra. Kisha kohë pa luajtur ping-pong sa nuk mbahet mend.
Gjuajtjet e para ishin mysybet, topi fluturonte në ajër sikur po luanim tenis fushe. Unë kërkova të dal nga loja duke thënë se më shumë po ulja e ngrija kurrizin për të kapur topin që binte poshtë sesa po kënaqesha. Por biri im i vogël me atë mendjen e tij të bukur dhe shpirtin konkurues më tha se kur mëson diçka të re nuk mund të presësh ta bësh mirë që në fillim dhe se me pak praktikë do më dukej loja më e thjeshtë dhe më e bukur.
E si mund t’i rezistoja këtij argumenti bindës, për më tepër që shpesh sfidoj prirjet për perfeksionizëm të të tjerëve sa herë që m’i parashtrojnë si problem.
Të vendosësh standarde të larta për performancën tënde nuk sjell dobi gjithmonë. Kur këto standarde arrihen me lehtësi nuk kanë qenë të larta, kur realizohen me përpjekje të mëdha dhe ia del, mundi të jep kënaqësi dhe shpërblim, sigurisht që procesi ka qenë i shoqëruar edhe me një nivel të caktuar stresi a ankthi, por kur personi as nuk u afrohet atyre kritereve të fryra që ka renditur në mendjen e tij çfarë ndodh?
Ka shumë të ngjarë që njerëzit me prirje perfeksioniste të mendojnë se ata e kanë të ndaluar të gabojnë se nuk mund të zhgënjejnë të tjerët e të shfaqen para tyre si të paaftë. Prandaj ata do përpiqen shumë që të jenë perfektë.
Do të harxhojnë më tepër kohë për të kompletuar një detyrë të pa asnjë të metë, do e kontrollojnë e rikontrollojnë disa herë, do kapen pas detajeve e do ngecin për disa orë me to.
Mbase do përpiqen ta bëjnë vetë atë, të frustruar e zemëruar nga “moskokëçarja” e të tjerëve që nuk shfaqin të njëjtin shqetësim për përsosmëri.
Nëse do t’u propozohet një metodë a zgjidhje e re, atipike, nuk do guxojnë ta provojnë nga frika e dështimit, e gabimit.
E nëse në fund “dështojnë” sipas kritereve të tyre, këta persona do ndihen sikur bota iu përmbys, do mërziten e zemërohen ndërkohë që i bëjnë gjyqin vetes. Do të vuajnë pra, pa dashur këtu të listoj gjithë llojet e vuajtjeve të tyre.
Atëherë si të mos jesh perfeksionist?
Imagjinoni dikë që po lexon këtë shkrim e në fund të komentojë për ndonjë gabim drejtshkrimi që unë do kem bërë a fjalë të huaj që kam përdorur. Drejtshkrimi apo huazimi është një vogëlsi teknike që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me temën, por personi me prirje perfeksioniste përfill detajin si elementin më të rëndësishëm për të marrë vëmendjen e tij, ndërkohë që përfitimi do të ishte po të konsiderohej tabloja e madhe. Se në fund të fundit sa katastrofik është një gabim gjuhësor në këtë shkrim?
Për t’iu kthyer shembullit të ping-pongut me tim bir ku unë nuk shfaqa aftësi të mira për të luajtur. Do ta kisha lënë lojën përfundimisht nëse do ndiqja prirjen për përsosmëri, por vazhdova duke bërë kompromisin e uljes së standardit të performancës në lojë, se ishte dita e parë dhe se nuk po luanim për fitore. Në njëfarë mënyre si në një rast trajtimi fobie ku individi ekspozohet ndaj burimit të frikës, unë lejova veten të luaja "keq", pra të isha joperfekte.
A ka rrezik të ulim fare standardet duke normalizuar gabimet apo dobësitë ?
Jo, nëse vendosim standarde realiste të cilat nuk do na kushtojnë jetën profesionale e familjare, shëndetin mendor e fizik dhe kënaqësitë që marrim gjatë kohës së lirë. E nëse është vështirë të bëhet dallimi mes nivelit realist dhe atij të lartë, atëherë mund të bisedohet me dikë që perfeksionizmi nuk e shqetëson.
©JetaDedja











