Kolumnist

“Rilindja” ndot veten dhe Shqipërinë - Nga Vangjush Saro

U qelb puna krejt! Këtë e bëri edhe “Rilindja”, që erdhi në pushtet me daulle të madhe, por tash ka ndotur keq veten dhe Shqipërinë. E ndërsa flitet e shkruhet pareshtur për skandale, në ekonomi, në shëndetësi, në drejtësi e gjithkund, se si m’u kujtua një episod i para disa kohëve, kur kryediplomatja amerikane në Shqipëri u ngrit dhe iku nga një mbledhje e rëndësishme në çastin që po merrte fjalën i sapoemëruari për “menaxhimin e donacioneve të huaja”, z. I. Beqaj.

Mund të ketë qenë një rastësi, mund të jetë e padrejtë që ta përmendësh dikë, në arrati apo në Tiranë; por, dreqi ta hajë, “trimat” e Rilindjes e kanë bërë baltë gjithandej. Kurse kryeministri i tyre (se nuk mund ta quaj dot të shqiptarëve) pozon si të mundet dhe bën agjitacion kohë e pa kohë për arritje, që vetëm ai i shikon. Rritja e pagave, shtimi i favoreve, koha krejt e reduktuar e punës, të gjitha këto nuk u hyjnë fare në sy shtetarëve sharlatanë. Janë të pangopur dhe të papërgjegjshëm. Ndërkaq, edhe pa qenë në brendësi të detajeve, mund të vëresh lehtësisht që, megjithatë, shumica e skandaleve dhe abuzimeve mbeten të pandëshkuara në Shqipëri.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, kjo është një histori që vazhdon prej dekadash. Disa nga të akuzuarit arratisen, disa kanë rregulluar “letrat”, të tjerë janë hë për hë të paprekshëm. Ligjet janë, por nuk zbatohen… Kështu thuhet rëndom, sikur dukuria të ish një lloj fataliteti, pra s’kemi ç’të bëjmë (!) Në fakt, kjo psikozë ushqehet nga vetë pushteti, sepse kështu ndihmohen edhe më tej kaosi e pandëshkueshmëria. (“Ligji duhet të jetë i hapur për të gjithë dhe vazhdimisht.” F. Kafka) Lidhjet e nëndheshme në politikë, biznes, shtyp e drejtësi, janë përvoja reale dhe produkti i vërtetë i kohës.

Kombinimi i interesave të klaneve, si dhe bërtitjet për një çikë “stabilitet” - këtu qasen po njësoj edhe aleatët - bëjnë që Shqipëria të ecë kuturu. Kurse publikut i jepen versione të përçudnuara të aferave; asnjëherë nuk gjendet një përfundim bindës. Dhe kështu, një vend ku nuk u shkohet gjërave deri në fund, është i destinuar të jetojë në falsitet e mjerim. Nuk mund të thuhet se pjesa tjetër e rajonit tonë, por dhe e botës, janë në festë dhe kudo bëhet drejtësi. Gjithsesi, është më ndryshe pamja në Perëndim, për ku jemi nisur dhe pa le kur sosemi!

Ish-Kancelari i Austrisë, S. Kurz, po hetohet për një dëshmi të rreme; akuzohet se ka gënjyer përpara një komisioni parlamentar, që hetonte nëse ai kishte ndërhyrë në emërimin e një të besuari të tij si kreu i një kompanie publike (!) Nga fakti që politikani në fjalë ka dhënë dorëheqjen, deri te lloji i akuzës, duket qartë sa larg jemi ne, kur abuzimet me pushtetin nuk janë thjesht… një dëshmi e rreme, një favorizim, por vjedhje skandaloze sheshit, në një ekonomi të rrënuar, që nuk prodhon thuajse asgjë.

Në SHBA thirret në gjyq ish-presidenti Trump, por nuk e lë kush pas dore edhe të birin e presidentit aktual Biden. P. Pelosi, bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, u shpall fajtor nga gjykata amerikane me akuzën për drejtimin e makinës nën ndikimin e alkoolit; ishte fjala për një aksident në Kaliforni. Pelosi u dënua me pesë ditë burg dhe tre vjet liri me kusht. Është pak, por është kaq simbolike. M’u kujtua pastaj edhe një rast privat këtu në Vankuver… Burri i një prej shoqeve të vajzës, polic hetues, kthehej nga një festë pak dejshëm; ai dhe makina e tij nuk po “silleshin” mirë në rrugë. U raportua (nga kolegët e vet ose nga vozitës të rastit) dhe u procedua: Ndalim i mjetit. Pezullim i patentës disa muaj. Gjobë e rëndë. Mostër frymëmarrjeje përpara se me ndez makinën. Detyrim për të ndjekur një kurs etike, etj.

Edhe një herë, le të shikojmë sa larg botës gjendemi. Një pjesë e policëve tanë këto kohë, duket sikur po zbulohen lakrat vende-vende, bashkëpunojnë në masë me banditët dhe politikanët banditë. Tabloja me të tillë, është ndonjëherë kaq e ashpër dhe fyese. (“Se nuk dallohet kush është njeri, e cili bishë.” A. Ahmatova)

Ngado që ta kapësh argumentin, nuk shkon fare kjo pabesi ndaj një historie mbushur me të tilla dhe ndaj një populli kohërash të raskapitur, që zhurma e madhe (vetëm) për Turizmin nuk e çlodh dot assesi. Studimi i një kompanie prestigjioze në Hollandë kumtonte para do kohe se Shqipëria zinte vendin e parë në Evropë për… sharje në Portale e Internet. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por ajo që djeg keq e më keq, është vendi i parë për abuzimet me pushtetin dhe pastaj mosndëshkimi i protagonistëve.

Që të jem i qartë e njëherësh asfare mizor, nuk do t’ia dëshiroja mundimin askujt. E veças, do të më dukej pa vend flakja në burgje e abuzuesve gjithfarë, të çdo rangu qofshin; kjo rëndon buxhetin e shtetit. Le t’i lëmë burgjet për ata keqbërës ordinerë, që realisht përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve. Të tjerët, besoj, është më mirë të dorëzojnë pasuritë dhe pastaj të dënohen me punë korektonjëse: të pastrojnë rrugët, plazhet, të mbjellin pemë, nuk di çfarë tjetër. Jo për gjë, por janë kaq shumë… (Vetëm për aferën e koncensionit të Sterilizimit, me çka filloi ky shënim, gjer më tash janë 8 të akuzuarit. Është burgosur ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, K. Rjepaj, biznesmeni I. Rrapaj dhe është dhënë masa “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për 6 zyrtarë të MSH-së.)

Përtej vijës së padukshme, që ndan ironinë nga e vërteta, ndonjëherë të duket sikur institucionet s’e kanë në plan ndëshkimin e hajdutëve dhe abuzuesve. Edhe kur e bëjnë këtë, shfaqin një anësi që të habit. Ata (institucionet) veç shtohen e rrëmbejnë për vete një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit, ndërkohë që mbeten ende si një lloj zbukurimi tranzicional. Pra, le ta përsërisim, ligjet janë, institucionet gjithashtu, por zyrtarët e koruptuar prapë shijnë (!) Skandalet plasin e mbyllen sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo ndodh dhe do të ndodhë për aq kohë sa ta vendosë politika, më së shumti ata që janë në pushtet… se ç’është ditë e ç’është natë, kur gdhihet e kur ngryset, kush hyn (brenda) e kush ia hedh paq. Çfarë vodevili!

© Vangjush Saro