Teatër me ndërkombëtarë - Nga Vangjush Saro
Është pak e vështirë të thuhet nëse vërtet ka ndonjë përparim në këto kohë - se po bëhet kaq shumë zhurmë - apo Tranzicioni na ka mundur përfundimisht. Ne shohim që kryeministri shqiptar është tejet i angazhuar në njëlloj teatri me ndërkombëtarët. Në fillimet e kësaj karriere të dytë, pas Bashkisë dhe Kulturës, në takime të rëndësishme rajonale dhe më gjerë, ai binte në sy për veshjet disi ekstravagante. (Nuk ishte ende në “lartësinë” që do të kapte më pas, kur filloi të shtirej “më i afërt” me politikanë të ndryshëm, teksa bënte me ta biseda serioze, por edhe humor, madje shpesh duke u dhënë edhe mend atyre.)
Nga koha në kohë, z. Rama u përpoq të binte në sy gjithnjë e më shumë në skenën evropiane të politikës. Në mënyrë të veçantë, ai u faktorizua në të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik”, ideja e bashkimit të vendeve të gadishullit problematik, në çka, siç dihet tashmë, u bënë disa tentative, por, si me thënë, iniciatorët u koritën. Por edhe pse ishte dhe mbetet njëlloj dështimi, “Shengeni Ballkanik”, i shërbeu kryeministrit për të krijuar zhurmë, për të bërë batuta dhe për t’u njohur në rajon si një politikan “i moderuar”.
Veças, po me batuta, ai vazhdoi me mediat, me opozitën, me partinë e vet, me këdo që përpiqej t’i thoshte diçka ndryshe. Dalëngadalë, kjo sjellje u bë pjesë e një lloj teatri bërtitës, demagogjik, që mbulonte dhe mbulon më së miri problemet e vërteta të vendit. Tash, siç u tha në krye të këtij shënimi, loja është hapur mirë edhe me partnerët; (në fakt, ata janë regjur me lojëra dhe demagogji, pa le ku do të dalë kjo punë!)
Ky Samit i Procesit të Berlinit, siç quhet, në vështrimin tim, ishte gjithashtu një aktivitet i sforcuar dhe demagogjik. (“Ngjashëm me një xhiro shqiptare, Evropa vjen vërdallë në një rreth vicioz.” L. Ypi) Duket sikur partnerët i ndjekin zhvillimet në Shqipëri (edhe në Ballkan, të themi) pa shumë entuziazëm, në mos dyshues. Si mund të shpjegohet ndryshe që edhe ata pak gjë ofruan që të mos na mundte Tranzicioni(!)
Në fakt, le të flasim për shtëpinë tonë: nuk ka rezultate konkrete në fushat kryesore të jetës, në ekonomi, në arsim e kulturë. Pati një lloj bum-i në Turizëm e, me sinqeritet, shpresojmë të justitikohet edhe më tej mbarësia e kësaj vere. Por ja, kaq ishte. Mund të shtojmë diçka edhe nga fryma sportive e vendit me kontributin e Skuadrës Kombëtare të Futbollit. E prapë, është pak. Askush të mos mendojë se radhë të tilla shkruhen me dëshirë. Por e vërteta është që Tranzicioni na ka mundur.
Le të fokusohemi në probleme. Vendin e ka mbytur korrupsioni, aq sa edhe zv. kryeministri doli huq, po ashtu disa ministra e shumë zëvendës e drejtorë, shefa policie, kryetarë bashkish. (Nuk po zgjatemi më në këtë pikë, se lajmet me SPAK janë të shumta.) Më tej, pjesërisht edhe për çka u tha më lart, problematikat e përditshme të jetës së vendit, siguria, mjedisi, mjekësia, minimumi jetik, të gjitha këto mbetën thjesht objektiva, që për fat të keq nuk i arriti (sadopak) asnjë qeveri shqiptare; tash as edhe kjo e z. Rama, që zëvendësoi punën me spektaklin, siç u pa edhe në Samitin në fjalë.
Prapë i kthehem idesë dhe përjetimit se radhët a fjalitë e pakëndshme e cinike nuk do t’i doja në asnjë nga shënimet e mia. Por ec e dil nga pikëpyetjet. Ja një fakt i vogël, që mbledh në një të vetme ato që u thanë më lart. Të dëgjojmë një nga ekspertët e fushës: “Janë rreth 40 apo 50 mijë apartamente bosh dhe që nuk dalin në treg; as me qira as për shitje.” Dhe më tej, pije gjer në fund kupën e helmit: “Në shitje dalin vetëm rreth 50% e apartamenteve të reja.”
Kujt i mburren ata se po e zbukurojnë dhe evropianizojnë Tiranën dhe po e zhvillojnë vendin (!) Ndërkaq, nuk ka as rezultate (po i quajmë) politike: PS është e nënshtruar; opozita, po dihet, e shkatërruar; dhe vendi s’ka pikë besimi te politika. Në këtë ndërkohë, gjenden vërtet partnerë që bëjnë interesantin; por qytetarët shqiptarë, më së shumti shtresat nevojtare, rrinë e vështrojnë dhe s’kanë as zë për të bërtitur e për t’u ankuar… Ani. Ia ka dalë z. Rama të ketë vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe t’u paraqitet atyre si një “drejtues që bind”? Po, mund të themi. Dukja kështu është. Madje ndonjëherë pamja i inspiron edhe ata, partnerët. (“Unë jam i bindur se është gabim që pasi u takuam në Selanik 20 vite më pare, Ballkani Perëndimor nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian.” Kancelari gjerman Olaf Scholz)
E përsëris, e gjitha është një lloj teatri. Një lloj baleti, si ai i pardjeshmi, të cilin partnerët e ndiqnin sikur të ishin në ndonjë “vaki”. Kushedi, mbase nuk kishte edhe ndonjë gjë të keqe; gjithsesi, nuk janë parë skena të tilla në takime politike. Por përtej cic-mic-eve, ka një interes të Evropës Perëndimore për problemet e Ballkanit? Sigurisht që po. Ka një vëmendje gjithaq edhe ndaj Shqipërisë? Po. Dhe në temën në fjalë, e në këto përpjekje, z. Rama ka meritat e veta. Në planin e marrëdhënieve me Botën, ai duket gjithnjë aktiv dhe ia del të bëjë pak spektakël, të duket edhe dinjitoz dhe i barabartë në biseda, madje më luftarak e ndonjëherë edhe më argëtues se të tjerët. (Problemi është se ata, partnerët, vijnë nga vende dhe edukata që ushtrojnë dëgjimin, paçka se edhe bëjnë sikur; dhe nuk e thonë asnjëherë të parën fjalën që duhet thënë e fundit; pra, në përgjithësi e marrin shtruar.) Kështu duket, që jemi ende te teatri.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e bëri të qartë se qysh përfitohet nga fondi prej 6 miliardë euro i Bashkimit Europian. (Po ajo, në tetor 2022, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, tha në një konferencë për shtyp: “Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë”.) E jo. Pa u kryer reformat e kërkuara, “thesit” nuk do t’i hapet gryka. Ndërkaq - ku ishim, asgjëkundi - vendet e Ballkanit duhet të “hapen”, që do të thotë se ajo puna e “Shengenit Ballkanik” s’është harruar; por mbi të gjitha “çapëlimi” është ndaj atyre që mëtojnë e diktojnë tregjet.
Dhe kështu, nuk bën dot politika vetjake, bie fjala për bujqësinë; së paku, për atë që fundja diçka prodhon. Dhe ai thesi do të hapet si fillim për të marrë, pastaj për të dhënë. (“Kreditorët kanë kujtesë më të mirë se debitorët.” M. Aurelius) Është vërtet e vështirë të hidhemi nga teatri, nga skena, në jetën reale… Kryeministri, në fakt, thjesht kuron dekoret; (ashtu si fasadat e ndërtesave të kryeqytetit dikur). Ai herë i vizaton ato, siç u pa edhe në këtë Samit, herë luan edhe vetë në skenë. Mbase gabohem, ndoshta ka ndonjë hap përpara, por më duket që shfaqja gjithnjë e sërish bie monotoni; e tash s’po ka më duartrokitje.
© Vangjush Saro










