Kolumnist

Dy “studentët” e Ballkanit përballë gjashtë “profesorëve” europianë - Nga Enver Bytyçi

Një fotografi e kryeministrit Kurti përballë kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni, presidentit të KE, zotit Borrell e zotit Lajçak ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe është komentuar në forma e me ngjyra të ndryshme. Por jo vetëm kaq. Qëndrimin e “autoriteteve të Prishtinës” e ka përshëndetur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë “mjaft më me kërcënimin e paqes” dhe se “tani është koha të pranohen marrëveshjet”. Ndërsa këtë deklaratë dikush e ka intepretuar si “pranimi nga Kurti i variantit të Ramës të asosiacionit që u paraqit nga pesëshja euro-amerikane”.

Në të vërtetë ka dy prirje: Njëra prej tyre që ta mohojë fitoren e Albin Kurtit dje në Bruksel, ose së paku t’ia faturojë atë pjesërisht edhe Edi Ramës. Këtë po bëjnë disa eksponentë të opozitës në Kosovë. Tjetra prej tyre lidhet me hiperbolizimin e asaj që ndodhi dje në kryeqytetin e BE, duke e quajtur pamjen e lartpërmendur si skenë ku Kurti është mësuesi e gjashtë apo shtatë të tjerët nxënësit e tij. Ose si skenë ku Kurti bën heroin e kështu me radhë.

Që në fillim duhet thënë se kryeministri Kurti ia arriti më në fund që projektet euro-amerikane t’i sjellë në nivelin e pranueshëm prej Kosovës. Kështu ndodhi edhe me variantin e modelit të asosiacionit pa kompetenca ekzekutive. Ai rezistoi dhe rezistencën e tij kundërshtarët e Kosovës e miqtë e Vuçiçit e kritikuan ashpër. Madje e bënë atë fajtor dhe i vendosën edhe sanksione. Miqtë e Beogradit u bashkuan, u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin dhe i detyruan edhe miqtë e Kosovës që për momentin të pranojnë ndëshkimin e Kurtit.

Më së shumti në këtë vendim ndikoi kryeministri i Shqipërisë, i cili qe i pari që paralajmëroi “sanksione” europiane dhe vetë filloi aplikimin e tyre ende pa u marrë një vendim i tillë, kur anuloi mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në Gjakovë.

Tani ky Rama me cicërimat e tij në X (ish-Twitter) duket se dëshiron të marrë rolin e protagonistit. Megjithatë, nëse do jetë i sinqertë në qëndrimet e tij pro-Kosovës, duhet përshëndetur. Por nuk duhet harruar se gjithçka që ai bën edhe për Kosovën, ka motive krejt personale, asgjë patriotike, asgjë njerëzore, Ndryshe Rama do duhej të miratonte rezolutë në Parlament e ta njihte në qeveri genocidin serb në Kosovë. Vetëm ky akt e bën atë disi të çlirohet nga kthetrat e Aleksandër Vuçiç!

Ndërsa duke u rikthyer te fotografia e Kurtit përballë shtatë përfaqësuesve të BE-së, mendoj se aty zoti Kurti ishte si të thuash para një komisioni provimi. Në atë komision ishin anëtarë dashamirë të tij e të Kosovës, skeptikë ndaj tij, si dhe kundërshtarët e dëshmuar në shumë prova tjera. Kryeministri i Kosovës e dha provimin me rezultat të shkëlqyer. Kryetari i Komisionit, Scholz, u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti me përzemërsi. Dy francezët, Macron dhe Michel, u befasuan, sepse e kishin paragjykuar vazhdimisht nga ankesat e Vuçiç dhe të Edi Ramës për Albin Kurtin. Ndaj filluan të shihen nga njëri-tjetri.

Meloni ishte disi indiferente dhe dukej e patrazuar. Ishte gjithashtu hera e parë që përballej me “studentin” në fjale, kryeministrin e Kosovës. Ndërsa dy protagonistët e dialogut, Borrell dhe Lajçak, u mërzitën. Ndoshta kishin pritshmëri që zoti Kurti të mos e kalonte provimin dhe mos i surprizonte për mirë një president dhe dy kryeministra europianë. Ata ishin në siklet, sepse Kurtin e kishin servirur si problemi i zgjidhjes.

Kjo ishte arsyeja pse Borrell refuzoi të vendosë notën dhjetë për Albin Kurtin. Në deklaratën e tij ai sërishmi i tha opinionit se “palët parashtruan kushte, të cilat pala tjetër nuk i pranoi”. Nuk tha se presidenti serb e refuzoi edhe Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit, si dhe Aneksin e miratuar në Ohër dhe kerkoi ndryshimin e tyre. Nuk tha edhe se Vuçiç refuzoi të nënshkruajë ato dy marrëveshje, ndërkohë që Kurti ishte i gatshëm ta bënte këtë. Sepse nuk donte që “studentin” e tij të preferuar e priveligjuar, tashmë kryetar i shtetit serb, ta poshtëronte e ta kritikonte. Ndaj dhe refuzoi notën jo kaluese për mikun e tij, Aleksandër. Lajçak ia la topin në dorë Borrellit e nuk foli. Nuk e deklaroi notën për asnjërin prej “studentëve” që ishin dje në Bruksel.

Kjo është ajo pamja që unë e lexoj në fotografinë e zotit Kurti përballë gjashtë përfaësuesve të BE-së. Kurti dha një performancë të shkëlqyeshme, bazuar në të drejtën europiane dhe ndërkombëtare. Vuçiç vazhdoi të mbrojë tezat nacionaliste të Serbisë së Madhe. Tani është radha e “profesorëve” në atë komision të heqin masat ndëshkuese për Kosovën dhe të vendosin sanksione për Serbinë.

© Enver Bytyçi