Dhimbje - Nga Milaim Nela
Ndjej dhimbje që Shqipëria ime ka rënë në dorë të njerëzve më pa integritet e më pa moral që ai vend ka njohur ndonjëherë.
Ndjej dhimbje që Shqipëria në vetëm 10 vjet është shpopulluar nga 1/3 e popullatës më aktive e më të vlefshme të saj, kur shpresohej që vendi ishte gati për fazën e fundit të integrimit në Europë.
Ndjej dhimbje që shumica e popullatës aktive në Shqipëri nuk arrin ta kuptojë se ku është zhytur vendi e është pré e propagandës perfide të një grupimi politiko-mediatik mafioz.
Ndjej dhimbje që viktimat e qeverisjes më antishqiptare që ka patur Shqipëria që kur mbahet mend, vazhdojnë të mbeten nën narkozë e të trullosur nga propaganda.
Ndjej dhimbje që njerëz të thjeshte edhe pse kanë pikëpamje dhe ideologji të majtë, nuk e kuptojnë që ky klan nuk ka asnjë lidhje as me PPSH as me PSSH, por është një grupim politiko-mafioz e armik i betuar i Shqipërisë që ka mision shkatërrimin e saj.
Ndjej dhimbje që bashkëatdhetarët e mi nuk e kuptojnë sa antishqiptare eshte qeverisja e sotme e “Rilindjes”, që i ka bërë dhe po i bën Shqipërisë atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtues kurrë në histori.
Ndjej dhimbje që e djathta shqiptare përpos shtypjes, përçmimit, shkalafitjes që i ka bërë makineria bastarde, nuk gjen as forca e as njerëz të organizohet, të artikulohet, të mbledhë më të mirët e saj e t’i dalë në mbrojtje shoqërisë shqiptare që është më e pambrojtur se kurrë.
Ndjej dhimbje që e vetmja shpresë e të Djathtës dhe opozitës shqiptare është një 79 vjeçar, që për turpin tonë më shumë, sesa për meritën e tij, ngelet ishulli i vetëm reagues e opozitar, pse jo dhe më i kthjellti dhe i vetmi njeri politik me peshë në mbrojtje të interesit kombëtar.
Ndjej dhimbje që ne i kemi në majë të gjuhës kritikat për njëri-tjetrin e i gjejmë të metat aty ku nuk janë, por nuk gjejmë forca për t’u bashkuar për ato që na bashkojnë për ta shpëtuar atë çfarë ka mbetur nga Shqipëria jonë e vogël.
Ndjej dhimbje që shqiptari edhe i shkolluar, shitet kaq lehtë e kaq lirë.
Jemi pak, kemi mbetur shumë pak.
Ju që keni mbetur aty e ne që jemi këtej ,nuk kemi gjë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë se Shqipërinë, e kurrë nuk do gjejmë qetësi përveçse në atë tokë të shenjtë, të cilën po na e marrin, po na e boshatisin, po na e tjetërsojnë me një shpejtësi që nuk është parë kurrë më pare.
Po na marrin vendin!
Po na marrin tokën!
Po na marrin vorret e të parëve!
Po na marrin gjuhën!
Po na marrin nderin!
Po na marrin vendlindjen, atë tokë siç thoshte i madhi Mitrush Kuteli, ku dikur nga njeri det në tjetrin det ishim zot vetë.
Sot nuk jemi në gjendje të ruajmë as pragun e derës se na kanë ardhur bash aty e po na kërcënojnë.
Të zgjohemi!
© Milaim Nela