Amerika, Shqipëria dhe agjenda e fshehtë e Antony Blinken - Nga Dritan Goxhaj
Pardje na begenisi me vizitën e tij Sekretari i Shtetit të Amerikës z. Antony Blinken. Dhe sigurisht që në kësi lloj rastesh të rralla për një vend periferik të perandorisë, ashtu si jemi edhe ne, nuk do mungonin në asnjë mënyrë vrapimet e shumë politikanëve dhe zyrtarëve për të shtrënguar duart me mikun e fuqishëm, që pastaj t’i hedhin ato foto në faqet e tyre personale nëpër rrjetet e ndryshme sociale, për t’i përdorur për nevoja të kapitalit të tyre politik në këtë kasabanë tonë periferike të perandorisë Perendimore të udhëhequr nga SHBA.
Nga të gjithë, më tërhoqi vëmendjen deklarata në Facebook e zëvendëskryeministres së qeverisë sonë, zonjushës së preferuar të vezirit të këtij vilajetit tonë, Belinda Ballukut. Ajo shkruante: “Vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken tregoi qartë edhe një herë raportet solide, të konsoliduara tashmë prej vitesh, e që forcohen çdo ditë, mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Aleati strategjik i shqiptarëve në çdo kohë. Sot bashkëpunimi mes dy vendeve është në nivelet më të larta, si asnjëherë më parë dhe kemi hapur rrugën për të forcuar më tej këto marrëdhënie në sektorë me rëndësi për të dyja vendet”. Nuk ka asgjë të veçantë deri në momentin që ajo shkruan “sot bashkëpunimi mes dy vendeve është në nivelet më të larta, si asnjëherë më pare dhe kemi hapur rrugën për të forcuar më tej këto marrëdhënie në sektorë me rëndësi për të dyja vendet”.
Këtu më lind pyetja se çfarë kupton, ose dëshiron të thotë kjo zojusha (zonjusha) me “bashkëpunimi është në nivelet më të larta”, mos vallë e ka në nivelin e takimeve, sepse do më dukej çudi që një Sekretar Shteti të vijë në këtë vilajetin tonë e mos të takojë ata që po drejtojnë këtë vilajet. Apo ndoshta e ka për marrëdhëniet, pavarësisht se marrëdhënia më e larte dhe e vetme strategjike në kuadër të bashkëpunimit, ashtu si pretendon kjo zojusha është vetëm në vitin 2003, vit kur Shqipëria pranoi që për hatër të Amerikës ta fuste Shqipërinë për herë të parë në historinë e saj si shtet, pjesë të një koalicioni pushtues, në Irak.
Pas kësaj në nivel bashkëpunimi nuk ka pasur asnjë lloj marëdhënie tjetër. Në Afganistan, Shqipëria nuk mori pjesë në kuadër të pushtimit amerikan por në kuadër të NATO-s me rezolutë të OKB-së. Në rast se i referohet dhënies nga ana e amerikanëve të dy helikopterëve për ushtrinë, ajo nuk është marëdhënie strategjike, por lëmoshë strategjike e amerikanëve në kuadër të gjithë Ballkanit Perendimor, pasi edhe vende të tjera në ballkan morë helikopterë të tillë.
Pastaj Balluku thotë se “kemi hapur rrugën për të forcuar më tej këto marrëdhënie në sektorë me rëndësi për të dyja vendet”. A mundet dikush ta pyesë këtë zojushën se cilët janë ata sektorë të bashkëpunimit që t’i dimë edhe ne të tjerët? Sepse deri më sot mesa unë kam dijeni, qofsha i gabuar, nuk ka asnjë investim amerikan, qoftë ai ekonomik apo strategjik. Dhe gjithnjë në dijeninë time, është po qeveria e kullandrisur nga veziri Rama që në 2015 largoi nga Shqipëria të vetmen firmë amerikane strategjike në Shqipëri, Koorporatën “Lockheed Martin Global Inc. (LMGI)” e cila ishte kontraktuar për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, miratuar me ligjin nr. 9384, datë 04.05.2005 (Këshilli i Ministrave VKM nr. 133, datë 22.03.2006 për “Lejimin e Ministrisë së Mbrojtjes të përdorë procedurë të veçantë prokurimi me Koorporatën Amerikane “Lockheed Martin Global INC (LMGI)”, për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapesirës Detare) si një “vepër e veçantë e Mbrojtjes dhe e Sigurisë Kombëtare”.
Pavarësisht se vizita të tilla në pamje të parë të japin përshtypjen se janë pa një agjendë të vërtetë dhe po përdoren politikisht nga qeveriu dhe gjithë “pinokët” e qeverisë për ta paraqitur si një mbështetje të Amerikës ndaj tyre, në të vertetë është zhgënjyese që ato të bëhen ndaj këtyre kleptokratëve të cilët edhe vetë Departamenti i Shtetit në raportet e tij vjetore i ka konsideruar si qeverisje me korrupsion në rritje. Por më zhgënjyese e bën këtë vizitë fakti që ajo vjen menjëherë pasi ish zëvendëskryeministri akuzon me zë e figurë direkt kryeministrin për lidhje mafioze dhe zhvatje të parave publike.
Të tilla vizita, të cilat nga pas kanë vetëm agjendën e tyre të fshehtë vetëm për interesa të ngushta strategjike të amerikanëve, e dekurajojnë çdo lloj force dhe përpjekeje politike, qofshin ato të organizuara ose edhe individuale kundër kësaj qeverie kleptokratike. Dhe në kuadër vetëm të interesit të tyre të ngushtë, amerikanët u japin mbështetje hajdutëve që të konsolidojnë pushtetin dhe sistemin e tyre kleptokratik në këtë pjesë periferike të perandorisë.
Po cila ishte agjenda e fshehtë e Blinken në Tiranë?
E gjitha ka të bëjë vetëm me gjëndjen në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht me Izraelin. Tashmë ka pothuajse nja 10 ditë që Izraeli ka deklaruar se po përpgatitet që të sulmojë edhe qytetin e fundit në Rripin e Gazës, atë që në fillim e kishte konsideruar si një “vend të sigurt” për palestinezët që i dëbonte nga pjesa tjetër e këtij territori. Tashmë ka deklaruar se do të sulmojë edhe qytetin e Rafës, ku janë përqëndruar rreth 1,5 milionë refugjatë palestinezë. Dhe për ta bërë këtë, në mënyrë që numri i civilëve që mund të vriten gjatë këtij sulmi të mos rritet edhe më shumë seç ka vajtur deri më tani (rreth 28 mijë civilë të vrarë, 75% janë gra e fëmijë), ka karkuar nga vendet arabe përreth që të pranojnë palestinezët si refugjatë.
Në këtë përpjekje për t’i mbushur mendjen, veçanërisht Egjiptit që t’i pranojë, është angazhuar edhe SHBA. Por përpjekja e SHBA në këtë drejtim pothuajse dështoi akoma pa filluar mirë, pasi më datë 10 të këtij muaji të gjitha vendet arabe të Gjirit, Egjipti, Jordania, Arabia Saudite dhe Emiratet lëshuan nga një deklaratë zyrtare se jo vetëm që nuk do e pranojnë këtë gjë, por edhe do marrin masa ndaj një veprimi të tillë. Veçanërisht Egjipti, i cili deklaroi se do të rishikojë në këtë rast edhe marëveshjen e paqes që ka me Izraelin.
Menjëherë pas kësaj ndërhynë SHBA që i kërkuan izraelitëve të bëjnë një plan më të detajuar për të siguruar që palestinezët në Rafah nuk do të preken nga kjo ndërhyrje ushtarake. Dhe menjëherë erdhi edhe përgjigja e qeverisë Izraelite se “ajo do t’i lejojë palestinezët që të evakuohen nga aty përpara se të filloi operacionin në shkallë të gjërë”, pasi tashmë bombardimet nga ajri i ka filluar që të premten që shkoi. Pikërisht këtu hyn edhe vizita e Blinken në Tiranë, pasi erdhi që t’i kërkojë vezirit tonë që të pranojë refugjatët palestinezë të cilët do pranojnë të evakuohen nga Gaza dhe Rafah. Pra po i kërkon Shqipërisë që për hatër të Amerikës, në kuadër të interesit izraelit, të bëhet pjestare në gjenocidin dhe pastrimin etnik që Izraeli po bën ndaj popullatës së pambrojtur palestineze në Gaza.
Ndaj këto lloj vizitash me shtrëngime publike duarsh e fotosh më sjellin në mendje atë poezinë e të madhit e të ndjerit Arben Duka:
“O moj Amerikë,
Për neve ç’u trete,
Me një stilolaps,
Na bërë për vete”.
Uroj që Shqipëria të mos bëhet pjesë e pastrimit etnik në Gaza vetëm për një foto!
© Dritan Goxhaj