Mbi (ç)edukimin e mirënjohjes - Nga Jeta Dedja
- Nga: JETA DEDJA
Për çfarë të jetë mirënjohës njeriu më parë? Kujt duhet t’ia shprehë mirënjohjen?
Feja na mëson të jemi mirënjohës për bekimet që kemi marrë në jetë. T’i jemi mirënjohës Zotit, familjes, e miqve.
Politika na tregon çdo ditë në media që duhet t’u themi faleminderit kryetarëve e pushtetarëve për çdo taksë që paguajmë për të marrë një shërbim apo investim publik. Këtë mundësisht ta bëjnë edhe fëmijët në parakalime e po ashtu prindërit e tyre në sheshtakime.
Psikologjia thotë që të vlerësojmë gjithçka kemi se kështu ndihemi më mirë dhe bëhemi më të mirë gjithashtu. Mirënjohja është e lidhur me lumturinë sipas disa studiuesve të psikologjisë pozitive.
Edhë përvoja ka treguar se pas një nderi apo të mire që dikush bën, pa kompensim të mëpasshëm, është ndjerë më i lartësuar në shpirt, kur është falenderuar, dhe përfituesit janë ndjerë më të lumtur kur përballen me njerëz plot mirësi. Është e vërtetë edhe pse interpretohet në realitetin e sotëm si kulmi i budallallëkut.
Mirënjohja është një falenderim ndaj diçkaje që merr dikush, e prekshme ose abstrakte qoftë ajo që merr. Përmes mirënjohjes njerëzit arrijnë të dallojnë të mirën në jetën e tyre, e cila shtrihet përtej vetes duke bërë të mundur që njerëzit të lidhen me diçka më të madhe sesa vetja, me të tjerët, me natyrën, me Zotin.
Por qënia njerëzore ka tendencën t’i kushtojë më tepër vëmendje çështjeve negative sesa pozitiveve. Instinkti ynë i mbijetesës na orienton të fokusohemi te rreziqet që na rrethojnë sesa tek të mirat që kemi. Prandaj dhe rrallë falenderojmë apo dallojmë bekimet që kemi marrë.
Ka plot që besojnë se të mirat që u ndodhin në jetë DUHET t’u ndodhnin. Ka njerēz që të mirat i presin prej të tjerëve dhe madje ua kërkojnë me zor sikur t’u përkisnin dhe sigurisht që nuk falenderojnë, jo sepse e quajnë si borxh, por sepse nuk janë mirënjohës. Por ka edhe të tjerë që besojnë se detyra e tyre, për të cilën paguhen duhet të renditet tek mëngjeset e falenderimeve. Ose ndonjë tjetër mundohet ta shesë si bekim për jetën tënde një ftesë për darkēn e fundvitit apo Iftarin e shtruar nga politikanë. Ja në këto raste, falenderimi e humb kuptimin.
Fjalët magjike, “Të Falem Nderit” ato që Petro Nini i quante dikur fjalë të bukura shqipe, ato që na i mësonin prindërit në fëmijëri, ashtu pa dashur kanë ndërtuar vlerat tek disa, ndër to dhe mirënjohjen. Tek ca të tjerë thjesht fjalët magjike kanë kaluar tangent e kanë humbur rrugën, duke u rikthyer dikur në formën e falsitetit, sidomos kur bien nën prozhektorë skene apo blice kamerash, apo intervista e komente rrjetesh sociale.
Faleminderit Kryetarit të Bashkisë që na rikonstruktoi shkollat e kopshtet!
Faleminderit Kryeministrit që na shtroi rrugët!
A duhet vërtet të falenderohen këta njerëz të veshur me pushtet kur përmes ushtrimit të autoritetit të tyre funksional bëjnë të mundur që një grup njerëzish, zgjedhësish ose jo të përfitojnë një shërbim ose një investim publik?
Është bërë e modës që çdo investim apo dhe bamirësi të shoqërohet me frazat “Nën kujdesin e …”, “U mundësua nga…”, a thua se këta janë vërtet supermen-et me superfuqi jashtëtokësore që me një kërcitje të gishtave bëjnë magji apo mrekullitë? A thua se me mundim kanë siguruar dhe sakrifikuar nga vetja t’u vijnë në ndihmë hallexhinjve dhe të mos u kërkojnë asgjë në këmbim??
Dikush do thotë, po por kanë meritën se kanë menaxhuar mirë burimet apo fondet. Dhe për këtë duhen falenderuar?? Se kanë bërë detyrën apo shfrytëzuar postin për hir të interesave vetjake a politike, apo për përmirësim të imazhit publik, duhet të falenderohen e të marrin mirënjohjen e popullit?
Janë bajate skenarët e takimeve të të mëdhenjve me popullin, ku plot qytetarëve u është mësuar roli të lavdizojnë liderin në shesh. Ka mbetur pa u realizuar ende t’u ngrihen përmendore e të kthehen më pas në vende pelegrinazhi. Por me siguri është planifikuar në një moment tjetër “spontan” të propozuar po aq “spontanisht” nga ndonjë qytetar i thjeshtë i bashkëqeverisjes.
Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, u kanë edukuar qytetarëve të tyre të shprehin mirënjohjen në Ditën e Falenderimeve. Në këtë ditë qytetarët mund të falenderojnë dhe bekojnë nëse duan që nga thërrimja e bukës deri te Presidenti i vendit apo Mbretëresha.
Kjo është një mënyrë inteligjente për të stimuluar virtutin e mirënjohjes te populli yt, përmes festës dhe jo arrogancës apo presionit që pushteti në Shqipëri shpesh pëlqen të veshë.
©JetaDedja











