Urtësi

Kuptimi dhe marrëdhenia e lexuesit me tekstin - Nga Çapajev Gjokutaj

Ulur në kolltuk lexon. Troket dera. "Vetëm je?", pyet i porsaardhuri. Tjetri mbyll librin dhe ia kthen: "Jo, tani mbeta vetëm."

M’u kujtua krejt pa pritur kjo anekdotë e lexuar dekada më parë.

Mbaj mend se atëhere e lexoja si stigmatizim të vizitorëve bosh e bjerrakohë. Dhe sidomos si vlerësim të librit: të lesh Balzakun a Tolstoin, për të broçkollisur me Qaniun a Naqen.

Tani vras mendjen: si mund të jetë kaq cinik e gati-gati sadist njeriu e t’i thotë mysafirit "je zero me xhufkë, në prani tënde ndihem vetëm".

Por mund të jenë edhe dy miq të ngushtë, them me vete. Janë mësuar që kënaqësinë e takimit ta shprehin me biseda hidh e prit. Garë batutash.

Gjithnjë me anekdotën në mend, i them vetes se mbase s’kam patur të drejtë që mbivlerësoja librin, komunikimin me të.

Biseda kokë më kokë me një mik është po aq e nevojshme për njeriun, sa edhe leximi i një libri. Ose, më saktë, biseda dhe libri nuk e zëvendësojnë dot njera tjetrin, nga që kryejnë funksione të ndryshme.

Anekdota është po ajo. Kam ndryshuar vetëm unë, lexuesi. Në varësi të çastit a të formimit tim të sotëm, nxjerr kuptime të tjera nga i njëjti tekst.

Vetëm se nuk kam pranë mësuesen e letërsisë që të ngulë këmbë: "Ç’ka dashur të thotë autori?"

Ju mund të thoni: "Ç’hyn autori në këtë mes?" Dhe mund t’ju kujtohet ai frëngu që thoshte se autori vdiq dhe se kuptimet gjenerohen nga marrëdhenia e lexuesit me tekstin.