Pushteti i pakontrolluar - Nga Artan Fuga
Kuvendi, ndërsa kontrollon të gjitha format e tjera të ushtrimit të pushtetit shtetëror, vetë është pothuajse i pakontrollueshëm dhe i barazpeshuar prej askujt tjetër.
Ndaj këtij pohimi, ka mundësi që ndokush të reagojë duke e kritikuar. Për shembull mund të thuhet se edhe Kuvendi është i kontrolluar, sepse deputetët janë përgjegjës përpara popullit, përpara zgjedhësve. Mirëpo kjo e vërtetë në formë slogani ka më shumë vlera parimore sesa konkrete.
Fakti është se pasi zgjidhet, deputeti është shumë pak nën kontrollin e mundshëm të zgjedhësve të tij. Aq më shumë që ai nuk i jep kurrkujt llogari dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për ato çka thotë dhe bën si deputet. Pas katër vitesh, elektorati sigurisht mund të votojë lirshëm për ta zgjedhur ose jo një deputet përsëri, por ndërkohë ka kaluar një periudhë shumë e gjatë kohe nga zgjedhjet e mëparshme. Mund të ndodhë që në zonën elektorale të tij të paraqitet një personalitet tjetër si deputet, të cilit askush nuk ka mundësi dhe dëshirë për t’i kërkuar llogari për çfarë nuk është bërë më parë. Ai s’ka marrë asnjë angazhim përpara zgjedhësve të tij. Pastaj, tjetër është që ligjvënësi të ekuilibrohet nga instanca të kualifikuara dhe specializuara pushteti dhe tjetër është reagimi i masave të elektoratit ndaj tij, që nga natyra e tyre janë tepër fluide dhe të elektrizuara në ditën e votimit. E shumta që mund të përfaqësojë votimi në këtë ditë është një procedurë ndëshkimi ose vlerësimi ndaj kandidatëve për të vazhduar të jenë ose jo përfaqësues të zgjedhur të popullit.
Mund të thuhet gjithashtu se duke bartur sovranitetin popullor, Kuvendi bëhet vetiu dhe duhet të jetë i pakufizuar në ushtrimin e pushteteve dhe kompetencave të tij. Por edhe kjo kritikë nuk do të ishte e saktë sepse populli mund ta bëjë delegimin e pushteteve tek të zgjedhur që kanë statuse të ndryshme politike dhe jo medoemos vetëm tek deputetët. Është e vërtetë që deputetët presupozohet të jenë persona politikë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre qendror në shoqërinë demokratike. Nuk i hyjmë fare diskutimit të kësaj çështjeje sepse e marrim të mirëqenë. Problemi është se qysh nga traditat më të hershme të studimeve politike theksohet se një pushtet i pakontrolluar, i pakufizuar apo i paekuilibruar nga pushtete të tjera, qoftë ky një pushtet personal apo kolektiv, ka prirjen të ndeshet me probleme serioze që kanë të bëjnë me ushtrimin e tij. Po të përdorim terminologjinë e Kantit në pozicionimin e tij filozofik kundër Platonit do të thoshim se filozofi nuk mund të bëhet kurrë mbret i urtë dhe i mençur sepse që në çastin kur bëhet i tillë ai nuk është më filozof.
Pushteti i pakontrolluar ka prirjen ta vendosë pasionin dhe ambicien politike mbi arsyen. Po të vazhdonim këtë mënyrë të arsyetuari mund të thoshim se ajo që është e vërtetë për një “filozof” do të ishte e vërtetë edhe për njëqind të tillë që do të bartnin një pushtet disi të pakontrolluar dhe të paekuilibruar nga pushtete të tjerë.
Po të kthehemi në kuadrin tonë historik, mund të shtronim një pyetje. A do të kishin ndodhur ato bllokime si pasojë e konflikteve parlamentare me dialog të munguar nëse një pushtet tjetër demokratik, ta zëmë presidenti i Republikës, do ta kishte kompetencën kushtetuese që në rast krize parlamentare (jo vetëm në rastin e caktimit të kryeministrit të ri) të shpallte brenda disa kriteresh të përcaktuara mire shpërndarjen e parlamentit dhe hyrjen në zgjedhjet e reja?
Kam mendimin se nuk do të kishin ndodhur.
Është një mendim shumë i përhapur në shkencat politike dhe ekonomike se aktorët politikë kryesorë të shoqërisë kanë, krahas disa prirjeve të përbashkëta ose të ngjashme, edhe dallime midis tyre. Pohohet nga studiues shumë seriozë se të zgjedhurit anojnë më shumë drejt një politike më të ndjeshme ndaj zgjedhësve, konsumatorëve vendas, popullsisë autoktone, pra elektoratit që i ka zgjedhur. Ndërsa ekzekutivi, qeveria dhe administrata kanë prirjen për t’u angazhuar më shumë në politika ekonomike dhe shoqërore që u përshtaten më drejtpërdrejt interesave të biznesit të brendshëm dhe sidomos atij të jashtëm. Ekzekutivi udhëhiqet drejt një efikasiteti praktik, por që shpesh nuk mban parasysh parimet e drejtësisë sociale, të ruajtjes së mjedisit dhe interest afatgjata të vendit. Me një fjalë, thuhet se ekzekutivi është më i pambrojtur dhe i ekspozuar ndaj presioneve të ardhura nga qendrat e interesit, apo nga bota e parasë.
Në kushtet tona është krijuar një lloj pavarësie relativisht e konsiderueshme midis atij që i është deleguar pushteti dhe deleguesit të këtij pushteti. Populli sovran ia delegon pushtetin të zgjedhurve të tij. Ndërkohë që pas kësaj procedure këta të zgjedhur, për sa kohë ushtrojnë mandatin e marrë, fitojnë gati një pavarësi të plotë nga elektorati. Por, shpejt, këtë pushtet të madh, sapo e marrin aq edhe rrufeshëm e japin. Pasi emërojnë qeverinë, të zgjedhurit e shumicës, sepse pakica është fare larg këtij procesi, e kanë vështirë ta kontrollojnë ekzekutivin që i kanë deleguar pushtetin për të administruar punët e vendit. Shumica parlamentare mund ta bëjë këtë kontroll sipërfaqshëm, sepse në të kundërt mund të shkaktojë krizë parlamentare dhe të rrezikojë pushtetin e saj. Kurse pakica si opozitë që është, për vetë faktin se është pakicë, as që mendohet të ketë fuqi dhe kompetenca për të ndikuar praktikisht mbi politikën qeveritare.
Në këto kushte, qeveria merr pavarësi të madhe ndaj të zgjedhurve duke u bërë praktikisht faktori vendimtar në vendimmarrjen dhe në zbatimin e politikave kombëtare. Por, pikërisht në këtë çast, ajo rrezikon të ndodhet e zbuluar dhe e pambrojtur ndaj presioneve herë të drejta, por herë edhe të padrejta, të qendrave të biznesit të brendshëm dhe të jashtëm që janë më të forta sesa ajo. Në këtë mënyrë, pushteti fillon nga populli dhe gradualisht, pasi bën një lloj kalimi legjitimues nëpër hallkat e instancave politike, ka prirjen të shkojë realisht drejt qendrave të interesit ekonomik.
Nga libri "Shoqëria Periferike", botuar nga Papirus.












