Kurrë nuk është vonë për katharsis shpirtëror - Nga Ndue Ukaj
Koeficienti i intiligjencës sonë politike vazhdon të pësojë rënie dhe për pasojë të stërkeqët. Faji mund të jetë i dreqit e i të birit dhe kjo pak ka rëndësi. Me rëndësi, është fakti se vendi ynë është në një gjendje shumë të rëndë dhe shpresat për rimëkëmbje janë vyshkë. Të paktë janë atë shqiptarë që thonë: lum unë për vendim tim. Në të kundërtën, dëgjon ankime, pezm, pakënaqësi dhe dëshpërimi pafund.
Vendi ynë me këtë intiligjencë të mjerë të cilën po e përditëson, me gjuhë të përçartë publike, me sjellje foshnjore e veprime tipike banditeske, është shumë larg normalitetit, kurse për progres cilësor as që mund të bëhet fjalë.
Ata që na shohin nga jashtë, miq e armiq, shohin një shoqëri të dërmuar, pa shpresa dhe pa kurrfarë ideali. Dhe ky është realitet i trishtë.
Në të vërtetë, kjo është fatkeqësia ma e madhe për një vend, kur i thahen idealet dhe litari i injorancës i lidh njerëzit dhe i tërheq kado.
Përsa kohë nuk e kuptojmë se nuk është krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun, jemi larg shoqërisë humane dhe të qytetëruar politikisht.
Vendi ynë i dërmuar nuk mund të gjallërohet me arrogacë, autoritarizëm e mllef, por duhet dashuri, kujdes e solidaritet. Para se gjithash - duhet ta rrisim shpirtin e tolerancës - siç porosiste i urti dhe i mençuri Ibrahim Rugova.
Tashmë duket qartë se e kemi bjerrë çdo ideal të lartë e human dhe rendim si të çmendur në një martonë pa qëllim e pafund, duke provuar deri ku shkon e keqja e marrëzia.
Koha është të kthehemi prapa dhe të shohim se ku kemi gabuar. E vërteta është se kemi gabuar shumë dhe të gjithë. Kurrë nuk është vonë për pendim dhe katharsis shpirtëror.
©Ndue Ukaj












