Urtësi

Kultura e dhembshurisë dhe respektit - Nga Çapajev Gjokutaj

Nuk di pse sot në mëngjes, krejt pa shkak, m’u kujtua Tomi. Kisha kohë, mbase dekada, që nuk e kisha sjellë në mend, ndaj më ngjau si ringjallje.

Nejse Tomi, atëhere 10-12 vjeç, banoi për pak vjet pranë shtëpisë sone. Ishte i sëmurë mendor, por rrallë fare rallë bëhej agresiv; si rregull vetëm kur i binin në qafë.

U çudita se si dhe pse kujtesa më rishfaqi me detaje sikur të kishte ndodhur dje një buzëmuzgu kur disa adoleshentë nisën ta gjuanin me gurë. S’do mend që Tomi u kundëpërgjigj egër. Gurët fishkëllenin si predha, ndaj u struka pas një fuçie, i frikësuar në palcë, por edhe kurioz për të ndjekur betejen.

Tomi rezistoi 10-15 minuta që m’u dukën një përjetësi dhe pastaj ia dha të qarit. Ishte një britmë përzier me ngashërim allasoj, të ngjallte keqardhje përzier me neveri.

Mbaj mend se atëherë kishte shumë më tepër kokoroçë që talleshin e englediseshin me të sëmurët mendorë.

Sot e kësaj dite nuk di të them: pse dikush që vuan nga zemra apo mëlçia ngjall keqardhje, kurse ata që kanë probleme të shëndetit mendor përcillen jo rrallë me përqeshje, tallje e ngacmime?

Mbase ngaqë mungonin argëtimet që sot televizionet dhe interneti na i ofrojnë me shumicë. Mbase kultura e asaj kohe ishte më e hapur për qasje negative, lënduese e agresive ndaj tjetrit, sidomos ndaj të dobëtit e të nëpërkëmburit.

Mos më thoni se ata që u bien në qafë të sëmurëve mendorë, ndjejnë në thellësitë e paartikuluara të vetdijës se kanë diçka prej të marri dhe, që të vrasin frikërat, bëjnë tabelë qitjeje tjetrin, fatkeqin e buzëplasurin.

Nuk di a kishte parasysh ndonjë nga këto shkaqe të hamendësuara Kazanzaqis kur shkruante se në Ballkan çdo katund ka të marrin e vet, po s’e pati e bën, duke tallur më të dobëtin.

Gjithsesi një gjë dihet me siguri: historia e civilizimit dëshmon se kultura e forcës, e stigmatizimit dhe e hakmarrjes, gradualisht e në zhvillim e sipër i lë dhe duhet t’i lerë vend kulturës së dhembshurisë e të respektit, sidomos për njerëzit në nevojë e në fatkeqësi.

© Çapajev Gjokutaj