Për të qeshur

Lidhe qënin… - Nga Marelba Fushekati

Marelba Fushekati - Toronto

Ka kohë që derën e zyrës e mbajmë të mbyllur. Me letër në derë, madje edhe me një alamet stende para saj, ku kërkojmë me përulje të kuptohemi e të na kontaktojnë nëpërmjet këtyre çyçyverave të teknologjisë. Dera troket sidoqoftë. Për forcë zakoni, për faktin që “s’të zë Covidi po trokite derën me majën e çelësit”, nga halli here-herë se jo të gjithë shprehen si duhet në anglisht, e për shumë arsye të tjera, të mëdha e të vogla që nuk mbarojnë e që besoj se merren me mend.

Dera e zyrës troket këtë muaj më shumë edhe nga qejfi i festave - është shumë më i pakët se vitet e tjera - e kur mirënjohësit të gëzojnë me kartolina urimi të shkruara me dorë, e me një kuti me çokollata. E hapim me qejf derën. Vdekëtarë jemi të gjithë, të mbrujtur me dëshira kalamajsh që vdesin për konfeta me xixa e fjalë të mira.

Disa nga trokitësit, shumë nga ata, janë vetë i dytë ndërsa trokasin. Me vete kanë miqtë e tyre me katër putra.

Me një shami trekëndore në qafë, si bandanat që mbanin dikur kaubojsit, një Chihuahua i vogël leh, aq sa ia lejojnë kordat e vogla zanore, e pret ti hapësh derën. Ia hap.

- Hajde Winston!

Kur e kam takuar për herë të parë të zonë dhe qenin e tij, mend u meka kur më tha që qeni e kish emrin Winston Churchill. As nuk pyeta për arsyet si e qysh i kishin vënë këtë emër. Kam bërë paqe me pyetjet e shumta që herë herë të çojnë në përfundime jo të rehatshme të bisedës.

Winstoni u rrotullua nja dy herë, e si gjithmonë kur dua ti prek shaminë që ka në qafë, përvesh buzën e sipërme e më shfaq dy kunja të ndritshme që i shoqëron me skërmitje gjithë sherr.

Dera troket prapë. Jemi shumë brenda një ambienti të vogël.

Çurcilli duhet të dalë.

Majku është një burrë trupmadh. Edhe qenin që sapo e ka blerë e ka zgjedhur trupmadh. Ka një turiçkë nga e cila i varen buzët që i lëkunden sa majtas sa djathtas ndërsa ecën.

- Si ia ke vënë emrin, e pyes.

- Benito.

- Si…

- Pooo, si Musolini. I ngjan. Ka personalitet.

As këtë nuk e pyes se pse ia ka vënë qenit emrin ashtu. Mjaft që sot Lufta e Dytë Botërore erdhi e mu shtrua për vizitë. Kthej kokën nga djali që punon me mua.

- E di ti kush është Musolini - e pyes.

- Jo - më thotë.

Mirë.

Më erdhi për vizitë një patriot ndërkaq që flisnim për qentë e për emrat. Më tregonte për punët që kish bërë në Shqipëri para se të emigronte në Kanada. Ish marrë me shumë e me pak nga të gjitha.

Kam shitur edhe disqe muzikore, shtoi. O po kam bërë lekë me ato unë. E di ti atë këngën “Lidhe qënin ti moj qëne, dale, dale?” Zjarr moj zjarr! I blinin emigrantët, e pëlqenin shumë.

Në kohë të lehta e të rënda, suksesin e kemi para syve, vetëm se jo gjithmonë e gjejmë rrugën që të çon drejt tij.

Mjafton të “lidhësh qënin”.

©Marelba Fushekati